Kompanitë e huaja kanë miliona euro borxh ndaj shtetit

Ekonomia January 23, 2018 - 08:20

Kompanitë e huaja që veprojnë në Kosovë i kanë borxh shtetit të Kosovës plot 3 milionë e 827 mijë euro. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në total borxhi i bizneseve ndaj shtetit, duke përfshirë ato vendore e të huaja, ka arritur mbi 218 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Nuk janë vetëm bizneset vendore që nuk i paguajnë tatim shtetit. Të rregullta në tatime del se nuk janë as kompanitë e huaja që veprojnë në Kosovë. Borxhi i tyre ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ka arritur në 3 milionë e 827 mijë euro.

Megjithatë kjo është shumë më pak krahasuar me borxhin nga bizneset vendore. Prej 90 mijë bizneseve, sa mendohet se janë të regjistruara në Kosovë, gati gjysma e tyre nuk ia paguajnë tatimet shtetit.  

LEXO EDHE: Premtohet transparencë në dialog

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në total borxhi i bizneseve ndaj shtetit, duke përfshirë ato vendore e të huaja, ka arritur mbi 218 milionë euro.

“Borxhi i të gjitha bizneseve që kanë ndaj ATK-së është 218,490,944.87 euro. Borxhi i bizneseve të huaja të cilat veprojnë në Kosovë është 3,827,564.05 euro, kurse bizneset private kanë borxhe prej 214,663,380.82 eurosh”, kanë thënë për gazetën nga Zyra për Informim në ATK.

LEXO PO ASHTU: Për 10 muaj 623.8 milionë euro dërgesa nga diaspora

Sipas tyre, numri i bizneseve që kanë borxh ndaj ATK-së ka arritur në 31 mijë e 571 biznese.

Në tenderët publikë, biznese me vërtetime të falsifikuara tatimore

Në të kaluarën Administrata Tatimore e Kosovës është ballafaquar me një dukuri në rritje, atë për falsifikimin e vërtetimeve tatimore nga ana e bizneseve. Kjo dukuri është ende evidente.

Gazeta “Zëri” e ka pyetur ketë institucion lidhur me bizneset që po marrin pjesë në tenderët publikë duke i falsifikuar vërtetimet tatimore.

“Në bazë të njohurive që kemi secili operator ekonomik kërkohet të dorëzojë vërtetimin mbi kryerjen e obligimeve tatimore para propozimit për dhënien e kontratës nga autoritetet kontraktuese dhe konsiderojmë se kjo çështje është e rregulluar me Ligjin e Prokurimit dhe rregullat e prokurimit publik”, thuhet në përgjigjet e ATK-së.

Mirëpo sipas zyrtarëve të ATK-së, dukuria e falsifikimit të vërtetimeve tatimore është në rënie e sipër. Për vitin 2017 ata kanë hasur vetëm në një rast të tillë.

“Gjatë vitit 2017 kemi pasur vetëm një rast të dyshimit për falsifikimin e vërtetimit tatimor, të cilin e kemi dërguar në Drejtorinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Policinë e Kosovës”, kanë thënë zyrtarë të ATK-së.

Falja e 105 milionë eurove borxhe

Ligji i Administratës Tatimore i konsideron të pambledhshme borxhet që kanë një periudhë më shumë se gjashtë vjet, por njëkohësisht në këtë kategori bëjnë pjesë disa tatimpagues me specifika të veçanta.

Ka biznese që kanë ushtruar veprimtarinë nga viti 2000-2008, në disa raste pronarët janë shtetas të huaj dhe kanë ndërprerë aktivitetin.

Për këtë arsye në vitin 2016 Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka falur rreth 105 milionë euro borxhe ndaj tatimpaguesve në disa kategori prej 3 shtatorit 2015, kur ka hyrë në fuqi Ligji për Faljen e Borxheve Publike.

Vetëm gjatë këtij viti (2016) ATK-ja ka pranuar rreth 6000 kërkesa për përfshirjen në programin e faljes së borxheve. Ndërsa, për borxhet deri në 100 euro që janë falur në mënyrë automatike janë mbi 21000 tatimpagues që janë përfshirë nga kjo falje.

Falja e borxhit është bërë në disa kategori. Në kategorinë e subjektit të cilit i janë falur borxhet që kanë pasur deri në 100 euro, do të thotë se faljet janë bërë në mënyrë automatike.

Në këtë kategori bëjnë pjesë mbi 21 mijë tatimpagues, të cilët janë përfshirë nga kjo falje. Pastaj është falja ku janë realizuar përmes kërkesave të tatimpaguesve me pagesa të menjëhershme dhe me përfshirjen e marrëveshjes me këste.

Numri i tatimpaguesve që janë trajtuar sipas këtij kriteri është 1953 tatimpagues gjatë vitit 2015, ndërsa gjatë vitit 2016 janë 5531 tatimpagues, që në total janë 7484.

Ligji i Administratës Tatimore i konsideron të pambledhshme borxhet që kanë një periudhë më shumë se gjashtë vjet, por njëkohësisht në këtë kategori bëjnë pjesë disa tatimpagues me specifika të veçanta.

Kemi biznese që kanë ushtruar veprimtarinë nga viti 2000-2008, janë pronarët shtetas të huaj dhe kanë ndërprerë aktivitetin nuk gjinden këtu, kështu që edhe kjo kategori trajtohet me automatizëm.