‘Kosova nuk ka strategji për sistemin e ngrohjes’

Ekonomia January 22, 2018 - 22:53

Ekspertë të energjisë thonë se Kosova nuk ka strategji për sistemin e ngrohjes.

Eksperti i energjisë Agron Dida, tha se në Kosovë sezoni e ngrohjes është shtatë muaj.

“Edhe druri edhe linjiti janë ndotës të ambientit. Duhet të punohet që të kemi më shumë pyllëzim në Kosovë. Ka shumë prerje të drurit, ka import të tij, ka edhe kontrabandë. Gati 3 metra kub shkojnë për ngrohje, rreth 80 % është e drurit përdoret për ngrohje, por për shkak të zhvendosjes në qytet ka rritje të konsumit përdoret për ngrohje me energji elektrike”, tha ai.

Sipas Didës të gjitha ndërtimet e larta që po bëhen në Prishtinë po instalojnë vetëm pajisjes me ngrohje nga energjia elektrike.

“Nuk ka strategji për të zgjidhur problemin e energjisë elektrike”, deklaroi ai sonte në emisionin ‘Subvencion’ në RTK. 

Kurse drejtori i Inspektoratit Qendror në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, Besim Zogaj, deklaroi se ka rritje të hapësirave të pyjeve në Kosovë.

“Ka pyje që kanë kaluar në parqe nacionale. Në bazë të ligjit shfrytëzimi i parqeve nuk lejohet. Pyjet kanë kaluar në menaxhim të komunave. Kjo ka nxjerrë problem dhe ka krijua problem të madh dhe i dëmtoi shumë pyjet”, tha Zogaj.

Kurse kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, vlerësoi se ka shumë ndotje në këtë komunë. ‘Edhe pse është punuar ka ende ka ndotje. Kemi pasur takime që të kemi mbështetje për koogjenerim për ngrohje e Komunës së Obiliqit. Gjatë sezonit dimëror, ka shumë ndotje nga ekonomitë familjare”, tha Gashi.