MAPL-ja konstaton shkelje ligjore nga Kuvendi i Drenasit

Ekonomia January 19, 2018 - 08:28

 

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Republikës së Kosovës, duke interpretuar anën ligjore të vendimit nr. 111/05-190, të datës 27.12.2017, me të cilin është përcaktuar përbërja e Komitetit për Politikë dhe Financa prej 7 anëtarëve, ka konstatuar se Kuvendi i Drenasit ka bërë shkelje ligjore duke kërkuar që aktin ta harmonizojë me ligjin në afatin prej 30 ditëve.

Në seancën e dhjetorit të vitit 2017, kur ishin formuar komitetet e përhershme të Kuvendit, këshilltarët opozitarë kishin tërhequr vërejtjen se është duke u shkelur ligji, por që kryesuesi Labinot Halilaj nuk i kishte përfillur vërejtjet e tyre. Më i zëshëm në kundërshtimin e tij ishte kryetari i “Vizionit për Drenasin” Xhavit Drenori, i cili kishte vlerësuar “se po tentohej t’u vidhej mandati i anëtarëve në Komitetin për Politikë e Financa ‘Vizionit për Drenasin’, ‘Vetëvendosjes’ dhe AAK-së”.

“Në mbledhjen e fundit të KK-së, të mbajtur me 27.12.2017, ‘Vizionit për Drenasin’, ‘Vetëvendosjes’ dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u tentua t’u vidhet mandati i anëtarëve në Komitetin për Politikë dhe Financa.

I paralajmëruam që po shkelnin ligjin, por nuk iu bë vonë. Ne u ankuam në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila ka në kompetencë monitorimin e komunave dhe më 17 janar ky vendim i paligjshëm është anuluar. Tani ata që tentuan të na vjedhin mandatin si duhet quajtur?

S’ka tjetër, njeriu që vjedh definitivisht quhet hajn. Mandatet i kemi fituar nga votat e qytetarëve dhe i kemi të shenjta, nuk i shesim e as nuk i falim. Po e përsëris, komunën tonë po e udhëheq truri i shekullit të 19-të”, ka thënë Drenori.

Ndërkaq Sokol Bylykbashi, koordinator i Qendrës së lëvizjes “Vetëvendosje” në Drenas, tha se MAPL-ja ka konstatuar se ka pasur shkelje dhe i ka vërtetuar vërejtjet që kanë  dhënë. “MAPL-ja konfirmon pohimet dhe vërejtjet tona, Kuvendi Komunal i Drenasit ka bërë shkelje ligjore. Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të datës 27.12.2017 janë themeluar komitetet e përhershme të KK-së. Në atë mbledhje e kemi paralajmëruar kryesuesin Labinot Halilaj se po bën shkelje ligjore duke i përjashtuar grupet politike ‘Vizioni për Drenasin’, LVV-në dhe AAK-në nga Komiteti për Politikë dhe Financa. Përveç kësaj, është bërë shkelje edhe në përfaqësimin gjinor në këtë komitet”, ka thënë Bylykbashi, i cili ka sqaruar se me kërkesën e 11 këshilltarëve të partive opozitare kryesuesi i Kuvendit të Drenasit është detyruar të ftojë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën do të diskutohet për shkeljet që janë bërë.

Në anën tjetër Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, duke interpretuar anën ligjore të aktit të themelimit të Komitetit për Politikë e Financa të Komunës së Drenasit, ka konstatuar shkeljet ligjore që janë bërë. “Vendimi nr. 111/05-190 me të cilin është përcaktuar përbërja e KPF-së prej 7 anëtarëve është në kundërshtim me Ligjin nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore për arsye të mospërfaqësimit të barabartë të femrave në këtë trup të Kuvendit dhe me Udhëzimit Administrativ nr. 03/2014 për themelimin, përbërjen dhe funksionimin e komiteteve te përhershme në komunë për arsye të mospërfaqësimit të etniteteve politike në harmoni me numrin e ulëseve të fituara në Kuvend. Meqë në Kuvendin e Komunës së Drenasit numri i etniteteve politike të përfaqësuara në Kuvend është më i madh se numri i anëtarëve të KPF-së, atëherë formula e përfaqësimit në këtë komitet bëhet sipas renditjes së subjekteve politike, duke marrë parasysh numrin më të madh të përfaqësuar në Kuvend”, ka konstatuar MAPL-ja, e cila i ka rekomanduar Kuvendit të Drenasit që në afatin prej 30 ditëve ta harmonizojë aktin e themelimit të Komitetit për Politikë e Financa me dispozitat ligjore në fuqi.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Republikës së Kosovës, duke interpretuar anën ligjore të vendimit nr. 111/05-190, të datës 27.12.2017, me të cilin është përcaktuar përbërja e Komitetit për Politikë dhe Financa prej 7 anëtarëve, ka konstatuar se Kuvendi i Drenasit ka bërë shkelje ligjore duke kërkuar që aktin ta harmonizojë me ligjin në afatin prej 30 ditëve.

Në seancën e dhjetorit të vitit 2017, kur ishin formuar komitetet e përhershme të Kuvendit, këshilltarët opozitarë kishin tërhequr vërejtjen se është duke u shkelur ligji, por që kryesuesi Labinot Halilaj nuk i kishte përfillur vërejtjet e tyre. Më i zëshëm në kundërshtimin e tij ishte kryetari i “Vizionit për Drenasin” Xhavit Drenori, i cili kishte vlerësuar “se po tentohej t’u vidhej mandati i anëtarëve në Komitetin për Politikë e Finanaca ‘Vizionit për Drenasin’, ‘Vetëvendosjes’ dhe AAK-së”.