Britanikët përjashtohen nga “Trepça”

Ekonomia January 19, 2018 - 08:07

Me 10 tetor të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ambasadori Britanik në Kosovë, Ruairí O'Connell, i kishin vënë firmat e tyre në një memorandum mirëkuptimi. Ata u morën vesh që Ambasada të asistonte në rekrutimin e njerëzve kredibilë nëpër bordet e ndërmarrjeve publike. Por, kur nuk kanë shkuar as 3 muaj nga nënshkrimi i këtij memorandumi Qeveria e Kosovës e shkeli atë, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Zyrtarë të kësaj ambasade kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se janë larguar nga Komisioni për Emërimin e Anëtarëve në Bordin e “Trepçës” me kërkesë të Qeverisë së Kosovës. Kjo ndodhi pavarësisht faktit se fillimisht të dyja palët ishin pajtuar që në Komision të jenë edhe ekspertë nga Ambasada. Por, gjithçka ndryshoi në fund.

“Bordi i Trepçës ka qenë fillimisht në listën e dakorduar ku ne do të ishim të angazhuar. Mirëpo me kërkesën e Qeverisë së Kosovës ne jemi tërhequr nga ky proces”, thuhet në një përgjigje për gazetën “Zëri” nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Tashmë Komisioni për Emërimin e Anëtarëve në Bordin e “Trepçës” është konstituuar, ndërsa me 23 janar 2018 do të fillojë shqyrtimi i 100 kandidatëve, sa edhe kanë kandiduar. Nga Ambasada thonë se memorandumi mbetet ende në fuqi, ani pse lënë të kuptohet se veprimet e fundit të Qeverisë mund ta vënë në dyshim gjithë projektin, shkruan sot Gazeta Zëri.

“Nepotizmi vazhdon të mbetet kërcënim jetik për Kosovën. Ky projekt po ndihmon pikërisht të luftohet ky fenomen. Por, i gjithë projekti do të ketë sukses vetëm nëse Qeveria ka vullnetin politik të emërojë njerëz të mirë nëpër institucione dhe ta përfundojë praktikën e punësimit me të “njohshëm”, thuhet në përgjigjet e Ambasadës. 

Shatri: Për “Trepçën” duhen edhe veprime politike

Gazeta “Zëri” përmes burimeve të sigurta mëson se i gjithë sherri ka plasur pas kushtëzimeve që i kishte bërë Qeveria rreth kandidatëve nga komuniteti serb që do të emëroheshin në Bord. Qeveria po synon që ta formojë një Bord unik për “Trepçën”, ku do të ishin edhe shqiptarët, edhe serbët. Për momentin “Trepça” është e ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe Stan Tërgun me minatorë shqiptarë.

Se ka qarkulluar kjo ide e pranon edhe Haki Shatri, këshilltari për ekonomi i kryeministrit Haradinaj. Ai ka thënë për gazetën “Zëri” se në situatën aktuale për “Trepçën” nevojiten edhe disa veprime politike. “Për ‘Trepçën’ në këtë fazë nevojiten edhe veprime politike. Kjo nënkupton që duhet ta gjejmë një zgjidhje për involvimin në Bord edhe nga komuniteti serb”, ka thënë Shatri, derisa ka mohuar se është në dijeni se nga ky proces janë tërhequr ekspertët nga Ambasada Britanike. Sipas Shatrit, Qeveria po synon që ta formojë një Bord për të dyja pjesët e “Trepçës”. Megjithatë, nga 100 kandidatët që kanë aplikuar, sipas tij, nuk ka asnjë nga komuniteti serb. “Nuk e di që ka pasur mospajtime me Ambasadën e Britanisë. Ideja fillestare ka qenë që ata të na ndihmojnë për të zgjedhur njerëz kredibilë nëpër borde”, ka shtuar Shatri.

Ai ka treguar se për momentin procesi është në fazën kur janë pranuar aplikacionet e kandidatëve dhe është formuar Komisioni që do ta bëjë shqyrtimin e tyre. Kjo fazë pritet të fillojë më 23 janar. Këtë proces ka refuzuar ta komentojë drejtori i tanishëm i “Trepçës”, Ahmet Tmava. Ai ka thënë së konkursi është shpallur nga Qeveria dhe se nuk di asgjë rreth zhvillimeve të fundit.

Shkelja e memorandumit në “Ibër-Lepenc”

Mirëpo para shkeljes së memorandumit për “Trepçën”, Qeveria e Kosovës nuk e ka respektuar këtë memorandum që ka me Ambasadën Britanike as në rastin e emërimit të dy anëtarëve në Bordin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”. Bëhet fjalë për Muharrem Xhemajlin dhe Liridon Zogianin, të dy pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gazeta “Zëri” ka shkruar se emërimi i Xhemajlit, përveç politik, dyshohet se është edhe i jashtëligjshëm, pasi i njëjti ka qenë kandidat për deputet i PDK-së. Me Ligjin për Ndërmarrjet Publike ky emërim cilësohet si i jashtëligjshëm.

Gazeta ka pyetur Ambasadën edhe për emërimet në “Iber-Lepenc”. Kanë thënë së nuk janë konsultuar as në këtë rast. “Ambasada Britanike, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës janë pajtuar dhe kanë nënshkruar memorandumin për rekrutimin e një numri të caktuar pozitash. Emërimet për bordin e ‘Ibër-Lepencit’ nuk kanë qenë në listë, prandaj edhe ne nuk kemi qenë të involvuar apo të konsultuar”, thuhet në përgjigjet e Ambasadës.

Nga ana tjetër, nga shoqëria civile vlerësojnë së emërimi i ish-kreut të OVL-ve të UCK-së është i jashtëligjshëm.

Dardan Abazi, nga INDEP-i, ka thënë për “Zërin” se në rastin e Xhemajlit është shkelur rëndë Ligji për Ndërmarrjet Publike. Ai ka kërkuar nga institucionet relevante që të fillojnë menjëherë hetime për këtë rast. “Këto emërime shkelin Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, përkatësisht Nenin 17.2 të ligjit që përjashton të emëruarit politikë, bartësit e posteve udhëheqëse në parti politike apo kandidatët për poste të zgjedhura”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, politizimi masiv i ndërmarrjeve publike ka dëmtuar pavarësinë e tyre, performancën në ofrimin e shërbimeve ndaj publikut dhe në aftësinë e tyre për të qenë ekonomikisht të arsyeshme. “Ne kundërshtojmë politizimin e mëtejmë të ndërmarrjeve publike dhe i bëjmë thirrje Agjencisë Kundër korrupsionit, Prokurorisë së Shtetit dhe organeve gjyqësore që të dalin në mbrojtje të ligjshmërisë dhe parimeve të shtetit të barabartë”, ka thënë ai.

 Premtimet e Haradinajt kur e nënshkroi memorandumin

Me 10 tetor 2017 kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell, e nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, e përfaqësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Qëllimi i Memorandumit të Mirëkuptimit është që, në pajtim me legjislacionin në fuqi, të mbështeten përpjekjet e përbashkëta për ta siguruar fuqizimin, pavarësinë, meritokracinë dhe profesionalizmin në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve publike.

Kryeministri Haradinaj ishte zotuar për respektim të obligimeve që dalin nga ky Memorandum dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë të Qeverisë së Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar. “Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me Mbretërinë e Bashkuar, i cili ka për qëllim të sigurojë një proces ligjor, por edhe kredibil të rekrutimit të të gjithë personave që do të mbajnë përgjegjësi në agjencitë që janë kompetencë e Qeverisë”, pati thënë kryeministri në këtë rast.

Ndërsa Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, pas nënshkrimit të Memorandumit pati thënë se dukuritë e emërimit të njerëzve joprofesionalë, të cilët nuk janë aty për ta ndihmuar institucionin, por për të avancuar qëllimet e shefave të tyre, nuk e ndihmojnë Kosovën. “Emërimi final i personave nëpër pozita i takon Kosovës dhe të zgjedhurve të saj si shtet i pavarur dhe sovran, në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi. Andaj, suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Qeverisë së Kosovës dhe dështimi po ashtu dështim i saj”, kishte thënë ambasadori O’Connell.

OJQ-të: Qeveria ta ndalë praktikën e shkeljes së ligjeve

Organizatat joqeveritare (OJQ) INDEP, instituti GAP dhe GLPS përmes një reagimi kanë kërkuar nga qeveria “Haradinaj” ta ndalë praktikën e shkeljes së ligjeve rreth emërimit të anëtarëve të bordit nëpër ndërmarrje publike. Ky reagim i OJQ-ve vjen pas një hulumtimi të gazetës “Zëri”, i cili është botuar të enjten, ku përmes një vendimi kryeministri Haradinaj kishte emëruar dy anëtarë të PDK-së në Bordin e ndërmarrjes publike “Iber Lepenc”. “Emërimet e tilla janë politike dhe në kundërshtim me Ligjin nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Kryeministri i Kosovës dhe Qeveria e tij po shkelin të njëjtat dispozita, të cilat ne i kishim denoncuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). Qeveria vetë e kishte cituar opinionin e AKK-së të datës 15.02.2015 që vërtetonte shkeljet ligjore me rastin e emërimit të drejtorëve të bordeve të ndërmarrjeve publike. Tani me këto vendime Qeveria po bën pikërisht të njëjtën gjë që Qeveria e kaluar kishte bërë, duke emëruar të afërm politikë dhe njerëz që ligji ua ndalon emërimin në borde të ndërmarrjeve publike”, thuhet në reagimin e tyre. Aty më tutje thuhet se në vendimin e datës 12 janar 2018 Qeveria ka emëruar Muharrem Xhemajlin si drejtor të Bordit të ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci” SHA, ani pse i njëjti kishte qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas tyre, ligji sanksionon një gjë të tillë meqë i njëjti nuk mund të jetë i pavarur sipas kërkesave ligjore. “Vendimi qeveritar Nr. 02/24 është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që ta anulojë këtë vendim dhe të zgjedhë njerëz profesionalë në vend të kandidatëve për deputetë, të afërmve partiakë dhe militantëve politikë. Politizimi i ndërmarrjeve publike dëmton rëndë institucionin e konkursit publik, të drejtën e trajtimit të barabartë të qytetarëve dhe legjislacionin në fuqi. Pasojat e saj po i shohim në performancën gjithnjë e në rënie të këtyre ndërmarrjeve, në korrupsionin në rritje dhe në shërbimet ndaj publikut gjithnjë e më të dobëta. Depolitizimi dhe vënia e ligjshmërisë në emërimet e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike është obligim i procesit të integrimit, përkatësisht i Agjendës Evropiane të Reformave”, thuhet në reagim.

“Nepotizmi vazhdon të mbetet kërcënim jetik për Kosovën. Ky projekt po ndihmon pikërisht të luftohet ky fenomen. Por, i gjithë projekti do të ketë sukses vetëm nëse Qeveria ka vullnetin politik të emërojë njerëz të mirë nëpër institucione dhe ta përfundojë praktikën e punësimit me të “njofshëm”./ZËRI