Lekaj: Borxhi 63 milionësh është pretendim i Bechtel & Enka-s

Ekonomia January 18, 2018 - 18:47

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot vizitoi punimet në autostradën “Arbën Xhaferi”, duke u njoftuar nga afër me përparimin e arritur në punime në këtë pjesë të mbetur të kësaj autostrade.

Ai tha se segmenti i kësaj autostrade nga Ferizaj e deri në Doganaj, do të përurohet në qershor të këtij viti, ndërsa pjesa tjetër në fund të vitit 2018-të.

Po ashtu, ministri Lekaj, ka sqaruar edhe njëherë se shuma nga 63 milionë euro, është pretendim i kompanisë “Bechtel & Enka” dhe se ai asnjëherë nuk ka thënë se do të paguhet, duke sqaruar më tej se janë në bisedime me kompaninë për këtë pretendim, që Ministrisë së Infrastrukturës i bie barrë nga qeverisja e kaluar.

“Sa u përket 63 milionë eurove të pretenduara nga kompania ‘Bechtel & Enka’, unë e kam sqaruar mjaftë mirë, se ajo nuk i takon periudhës tonë të 100 ditëshit, por i takon periudhës tri vjeçare 2014-16, ku qeverisja paraprake nuk i ka kryer obligimet e veta dhe ka ardhur deri te ky pretendim, por që asnjëherë nuk kam thënë se do të paguhet, por që do të negociohet dhe falënderoj ‘Bechtel & Enka’ për gatishmërinë që kjo shumë të negociohet”, ka thënë ministri Lekaj.

Ndërsa, drejtori i projektit i kompanisë ‘Bechtel & Enka’, Riyadh Alkhazjari, ka falënderuar ministrin Lekaj për bashkëpunimin e sinqertë dhe tejet konstruktiv, që nga momenti kur ai ka ardhur në krye të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në fund të vizitës, ministri Lekaj, ka konfirmuar se ky projekt do të përfundojë me kohë dhe se në vitin 2019 do të fillojë së ndërtuari edhe autostrada e Dukagjinit.