Në mars, afati i fundit për pagesën e 63 milionë eurove “Bechtel-Enka”-s

Ekonomia January 17, 2018 - 08:14

Në fillim të muajit mars Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës, duhet t’ia paguajë shumën prej 63 milionë eurove në formë penalltie kompanisë “Bechtel-Enka”, e cila po e ndërton autostradën Prishtinë-Shkup.

Gazeta “Zëri” mëson se ky është afati i fundit kur duhet të kryhet ky obligim financiar nëse eventualisht Ministria e Infrastrukturës nuk arrin ndonjë marrëveshje ndryshe me përfaqësuesit e kompanisë.

Deri te kjo kosto shtesë, sipas ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, kishte ardhur pasi Ministria e udhëhequr nga pararendësi i tij Lutfi Zharku nuk i kishte kryer me kohë obligimet financiare.

Kjo gjë i ka vënë në veprim disa deputetë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Kosovës. Ata po kërkojnë që sa më parë të bëhen publike detajet e këtij rasti, shkruan Zeri.

“Çështja e dënimit nga ‘Bechtel-Enka’ duhet të trajtohet më shumë seriozitet nga ne si komision. Mbajmë përgjegjësi të gjithë për këtë punë. Unë propozoj që t’i bëjmë kërkesë ministrit që të vijë në Komision me dokumentacionin përkatës rreth detajeve të kësaj penalltie dhe asaj se pse ka arritur puna deri këtu”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila në mbledhjen e këtij komisioni. Kusari Lila ka kërkuar me urgjencë nga sekretaria e Komisionit që t’i bëjnë kërkesë ministrit Lekaj për dokumentacionin e nevojshëm. “Deri në mars është afati kur duhet të kryhet ky obligim ndaj ‘Bechtel’-it. Andaj nëse nuk ndërmarrim diçka të gjithë jemi fajtorë”, ka pohuar Kusari-Lila.  

Për shumën prej 63 milionë eurosh, të cilën zyrtarët e kompanisë po e cilësojnë si kosto shtesë e jo penallti, Ministria e Infrastrukturës ka qenë e informuar me kohë, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

Ndërkaq për momentin të dyja palët janë duke negociuar për gjetjen e një modaliteti rreth pagesës së borxhit. Ministria e Infrastrukturës po kërkon që kjo shumë të ulet, derisa nga kompania “Bechtel-Enka”, ndonëse e kanë konfirmuar se janë në bisedime, qëndrojnë prapa shumës prej 63 milionë eurove.

Ela Ruci, zëdhënëse e “Bechtel-Enka”-s, ka thënë se shuma prej 63 milionë eurove nuk është penallti, por, siç e ka quajtur ajo, “kosto aktuale”. “Ne kemi informuar Ministrinë e Infrastrukturës mbi koston për vonesat dhe ndryshimet në planifikimin dhe në ekzekutimin e projektit në 2.5 vjetët e kaluara, e cila është rreth 63 milionë euro. Ne do të punojmë me Ministrinë e Infrastrukturës si gjithnjë për ta arritur një marrëveshje”, ka thënë Ruci.

Ndërkaq nga Ministria e Infrastrukturës nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës së deri ku kanë shkuar këto negociata.

Përveç kësaj, deputetët kanë kërkuar publikimin e të gjitha kontratave publike e të cilat janë ende valide. “Ne duhet të kërkojmë nga ministri që t’i bëjë publike të dyja kontratat me “Bechtel”-in. Dikush duhet të marrë përgjegjësi për 63 milionë eurot. Detajet se si ka ardhur deri te kjo duhet të bëhen sa më shpejt publike. As kontrata me ‘Counter Global’ nuk është bërë publike”, ka thënë Dardan Sejdiu, anëtar në Komisionin për Zhvillim Ekonomik.

Ai ka kërkuar që komisioni sa më shpejt t’i pajisë deputetët me kontratat dhe me dokumentacionin e nevojshëm rreth penalltisë prej 63 milionë eurove. “Në tremujorin e parë të na sillen të gjitha kontratat publike që janë ende valide. Qysh javën tjetër të na sillen”, ka qenë kërkesa e Sejdiut.

Ndërkaq për ish-ministren e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajramin dikush duhet të marrë përgjegjësi. Ajo ka thënë së në këtë mes dikush ka faj. “Ekziston dokumentacioni i nevojshëm, ekzistojnë komunikimet zyrtare. Nëse është shqiptuar një penallti, atëherë sigurisht që ka pasur nga kompania paralajmërime. Kërkesa ime është që ministri Lekaj të vijë në komision dhe të raportojë”, ka thënë Bajrami.

Ndryshe, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka paralajmëruar më herët se autostrada Prishtinë -Shkup do të përfundojë në fund të vitit 2018. Por, sipas tij, me një kosto shtesë prej 63 milionë eurosh. Për këtë shumë Lekaj dhe paraardhësi i tij Lutfi Zahrku polemizuan publikisht. Ky i fundit tha se bëhet fjalë për 14.8 milionë. Por, nga kompania që po ndërton autostrada tash e sa vjet në Kosovë, “Bechtel-Enka”, e patën konfirmuar se Ministrisë së Infrastrukturës ia kishin kërkuar 63 milionë euro shtesë./ZERI.

Image