Mbi 100 kandidatë për Bordin e “Trepçës”

Ekonomia January 16, 2018 - 08:17

Gjiganti metalurgjik “Trepça” vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit edhe pas gati një viti e gjysmë nga miratimi i Ligjit për “Trepçën” në Kuvendin e Kosovës, shkruan sot Gazeta 'Zeri'.

Në tetorin e vitit 2016 deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan ligjin, i cili pati hasur në kundërshtim të fuqishëm të shtetit të Serbisë dhe të vet menaxhmentit dhe punëtorëve të “Trepçës” në pjesën veriore, por në vend që t’i shkohet deri në fund në mënyrë që ligji të jetësohet.

 Qeveria e kaluar që udhëhiqej nga Isa Mustafa nuk ndërmori asnjë hap për t’i formuar dy bordet, pa të cilat ligji nuk mund të zbatohet. Në këtë mënyrë e gjitha barra për formimin e Bordit Mbikëqyrës, i cili duhej të përbëhej nga njerëz të politikës, si dhe ai Menaxhues, i cili do të duhej të përbëhej nga profesionistë të fushës i mbeti Qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinajt. Ky me ta marrë drejtimin e Qeverisë pati autorizuar tri ministritë që të punojnë dhe të koordinohen për ta funksionalizuar Ligjin për “Trepçën”, por deri më tani asnjëra prej këtyre ministrive (MZHE-ja, MF-ja dhe MPMS-ja) nuk kanë bërë asgjë që situata të ndryshojë, shkruan Zeri.

MST: Tmava: Qeveritë janë vonuar për t’i formuar bordet

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, vazhdimisht ka potencuar se qeveritë janë vonuar për t’i formuar bordet dhe kjo ka bërë që situata në “Trepçë” të jetë e rëndë. Ai ka potencuar se “Trepça” ndodhet në gjendje të vështirë financiare, se janë mbledhur shumë borxhe të cilat nuk janë paguar, si dhe ka sqaruar se “Trepça” është “duke jetuar” sot për nesër. Ai pohon gjithashtu se kombinati ka mbetur as me AKP-në e as me Qeverinë e Kosovës dhe se “Trepça” përballet me problemin thelbësor të funksionimit, çka ka bërë që të bjerë edhe prodhimi për rreth 30 për qind. “Vazhdojmë të përballemi me probleme të mëdha, sidomos me problemin e funksionimit. Mungesa e bordeve ka bërë që të mos funksionalizohet ligji, pa të cilin nuk mund të bëhet ristrukturimi i ‘Trepçës’ dhe regjistrimi i ndërmarrjes. Pa këtë ligj nuk mund të ketë as investime dhe as të zbatohen politikat zhvillimore. Kërkesa e punëtorëve, e menaxhmentit, e të gjithëve është që sa më parë të bëhet funksionalizimi i ligjit që ‘Trepça’ të hyjë në politikat zhvillimore sepse tek e fundit ligji është obligim për implementim”, tha Tmava, duke shtuar se Qeveria aktuale ka premtuar formimin e shpejtë të bordeve. Ai shtoi se ka informacione se konkursi është mbyllur dhe se është në proces vlerësimi i kandidatëve.

Se ka mbetur vetëm edhe pak kohë deri te formimi i dy bordeve e thotë edhe këshilltari i kryeministrit Haradinaj për çështje ekonomike, Haki Shatri. Ai ka treguar për qëndrimin kategorik të kryeministrit Haradinaj se deri në fund të këtij muaji do të themelohen dy bordet. “Brenda këtij muaji do të formohet Bordi i ‘Trepçës’. Konkursi është mbyllur, kanë aplikuar shumë njerëz profesionistë të fushës, ndërsa është formuar komisioni, i cili do t’i vlerësojë kandidatët. Janë mbi 100 kandidatë që kanë aplikuar, ata do të intervistohen dhe pastaj do të vazhdojnë procedurat për formimin e Bordit. Formimi i Bordit është punë që do zgjidhje të shpejtë, nuk mund të presim më gjatë”, ka thënë Shatri, duke shtuar se në bazë të Ligjit për “Trepçën” fillimisht duhet që ajo të regjistrohet si ndërmarrje publike në MTI, si dhe të zhvillohen procedurat të tjera. 

E me Ligjin për “Trepçën” Qeveria e Kosovës bëhet pronare e 80 për qind të aksioneve të “Trepçës”, ndërsa 20 për qind e tyre u mbesin punëtorëve. Pagat aktuale të punëtorëve të “Trepçës” sillen prej 600 deri në 800 euro, varësisht përvojës së punës dhe përgatitjes profesionale, por asnjëri prej tyre nuk ka sigurim shëndetësor apo jetësor.

MST: 11 milionë euro borxhe

E ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare deri para vitit 1990 “Trepça” (miniera e Stan Tërgut) prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit, ndërsa aktualisht nga aty nxirren 150 mijë tonë xehe. Edhe kapacitetet e saj humane janë zvogëluar po ashtu përgjatë viteve, duke u reduktuar në 1.400 numrin e punëtorëve nga mbi 20.000 sa ishin të punësuar në këtë kombinat para aplikimit të masave të dhunshme të Serbisë. Kosova asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të detajuar për vlerën reale të kombinatit metalurgjik “Trepça”. I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992 ka vlerësuar se potenciali material i “Trepçës” është 85 miliardë dollarë.

Në anën tjetër, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale në konferencën e mbajtur të fundvitit ka konstatuar “se ende ka nevojë për punë në këtë sferë dhe njëra ndër sfidat kryesore mbetet gjiganti metalurgjik “Trepça’”.

“Investimet në ‘Trepçë’ do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik pas katër vjetësh, ndërsa tani kjo ndërmarrje ia ka 11 milionë euro borxh KPMM-së. Si pasojë e këtij borxhi licenca do të duhej t’i ndërpritej, megjithatë Qeveria ka vendosur që t’ia vazhdojë licencën për shkak të punëtorëve”, kanë thënë në KPMM.

Ndryshe, “Trepça” është e ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe Stan Tërgun me minatorë shqiptarë. Për shkak të statusit të pazgjidhur dhe ndarjes, “Trepça” ngjason në vetë qytetin e ndarë të Mitrovicës./ZERI.