Investime milionëshe për punën shkel e shko

Ekonomia January 10, 2018 - 08:21

Disa projekte për renovimin e pjesëve të ndryshme të objektit të Qendrës së Kulturës në Skenderaj janë realizuar që prej përfundimit të luftës.

Të paktën katër projekte janë financuar nga Komuna e Skenderajt, Qeveria e Kosovës, por edhe nga organizata të ndryshme të huaja për t’i riparuar dëmtimet që i janë shkaktuar objektit të Shtëpisë së Kulturës në Skenderaj, të shumtën nga organet e dhunshme të Serbisë të aplikuara edhe në këtë Qendër, si dhe nga refugjatët e Kroacisë, të cilët Serbia i kishte vendosur në Qendrën e Kulturës.

Menjëherë pas përfundimit të luftës organizata franceze “Triangle”, e cila kishte marrë në shfrytëzim objektin për aktivitete të të rinjve, kishte financuar një projekt për renovimin e çatisë së objektit, për të cilin ishin investuar mbi 300 mijë euro. Gjithashtu ishte investuar edhe për ndërrimin e dritareve dhe renovimin e disa hapësirave përbrenda objektit. Nuk ka shkuar shumë kohë e edhe Komuna e Skenderajt kishte investuar mjete për instalimin e ngrohjes qendrore në gjithë objektin, ndërsa një tjetër projekt ishte realizuar për renovimin e brendshëm të objektit të Qendrës së Kulturës. Edhe për fasadimin e jashtëm të ndërtesë ishte realizuar një projekt, të cilin e kishte financuar Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, derisa ministër i saj ishte Nenad Rashiq. Ndonëse në shikim të parë dukej mirë, ishte konstatuar më vonë se punëkryesit kishin kryer vetëm riparime kozmetike, për shkak se për pak kohë gjithë “marifeti” kishte dalë sheshazi. Çatia e re s’e mbante ujin, ndërsa fasada e jashtme kishte pëlcitur në të gjitha anët. Komuna e Skenderajt kishte tentuar më vonë që ta realizojë edhe një projekt nëpërmes dhënies në shfrytëzim të një hapësire për kafene, me qëllim të meremetimit të disa pjesëve të brendshme të objektit, por edhe ky projekt rezultoi të ishte i dështuar.

Së fundmi në kohën kur ndërrohej pushteti në Skenderaj Drejtoria e Kulturës, e cila udhëhiqej nga Hajriz Koci, kishte angazhuar një kompani për renovimin edhe një herë të çatisë së objektit të Shtëpisë së Kulturës. Punëkryesi kishte filluar punimet derisa në pushtet ndodhej Sami Lushtaku, ndërsa i ka vazhduar pas ardhjes në krye të Skenderajt të Bekim Jasharit. Për këtë projekti, siç ka mësuar “Zëri”, janë investuar 300 mijë euro, ndonëse ish-drejtori i Kulturës, Hajriz Koci, në interesimin e gazetës nuk kishte treguar për koston e projektit.

Por në vend që gjendja të përmirësohet sa i përket çatisë së objektit, ajo është përkeqësuar edhe më shumë. Ata që kanë përcjellë punët e kësaj ndërmarrjeje ndërtimore i kanë thënë “Zërit” se kanë vërejtur që punëtorët i kanë hequr trarët e çatisë dhe në vend të tyre kanë vendosur shufra të holla.

“Ishte e qartë se me ato ‘shtafne’ që i vendoseshin punëtorët nuk mund të ndalej uji”, i kanë thënë “Zërit” disa nga punëtorët e Qendrës së Kulturës. Në këtë mënyrë tani si pasojë e depërtimit të ujit brenda pothuajse plafonët e të gjitha zyrave kanë rënë në tokë. Një prej punëtorëve të Qendrës së Kulturës tha se nuk ka ndodhur asnjëherë që të pikojë ujë në zyrën e tij, por tani pas renovimit uji ka depërtuar edhe në zyrën e tij. “Zëri” ka bërë përpjekje të kontaktojë me dikë nga Drejtoria e Kulturës në Komunën e Skenderajt, por edhe me zyrtarë të tjerë komunalë për të marrë një përgjigje lidhur me hapat që do të ndërmerren, por asnjë prej tyre nuk ka shprehur gatishmërinë të flasë për këtë çështje.

Ndryshe, Qendra e Kulturës në Skenderaj është objekti i vetëm i dedikuar për aktivitete kulturore në komunën e Skenderajt, i ndërtuar para më shumë 40 vjet me vetëkontributin e qytetarëve të Skenderajt. Aktualisht në këtë objekt janë të vendosura zyrat e një pjese të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Biblioteka e Qytetit, si dhe një zyrë e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Gjithashtu janë të vendosura edhe disa organizata dhe Qendra Rinore Publike.

Problemi më i madh duket të jetë Qendra Rinore Publike, pasi pothuajse të gjithë nxënësit e gjimnazit “Hamzë Jashari” pa dallim i frekuentojnë ambientet e Qendrës së Kulturës duke u thirrur në atë se janë anëtarë të Qendrës Rinore Publike.