Ekonomia

Bizneset e Kosovës: Disa individë në Shqipëri po na dëmtojnë

Bizneset e Kosovës: Disa individë në Shqipëri po na dëmtojnë
09 janar 2018 • 13 : 37

Klubi i Prodhuesve të Kosovës(KPK) përmes një kumtese ka reaguar ndaj deklaratave se ndërmarrësit nga Kosova po e bllokojnë dhe janë shkaktar të mosfunksionimit të tregut të përbashkët Shqipëri – Kosovë.

KPK dëshiron të ju përkujtojë se Kosova dhe Shqipëria janë anëtare të CEFTA-së, që të dyja kanë nënshkruar marrëveshje për tregti të lirë dhe rrjedhimisht të dyja duhet të aplikojnë tregtinë e lirë.

Sipas kumtesës, këmbimi tregtar Kosova në këtë faze të zhvillimit kryesisht ka relevancë importuese duke pasur parasysh nivelin e ulet të mbulimit të importit me eksport. Sipas të dhënave në dispozicion në vitin 2017 Shqipëria eksporton në Kosovë mallra në vlerë rreth 150 milionë euro, ndërsa Kosova eksporton në Shqipëri rreth 35 milionë euro.

Këto dallime thellohen kur i shtohet fakti që prodhuesit e Kosovës përballën me shumë barriera dhe probleme kur eksportojnë në tregun e Shqipërisë. Duhet të kujtojmë rastet e shumta kur prodhuesve të Kosovës u janë vënë taksa shtesë ose i ju janë bllokuar mallrat në kufi, si për shembull me rastin e patates, miellit, birrës, barnave, e të tjera. Prandaj janë pikërisht individë të caktuar brenda institucioneve të Shqipërisë që janë duke e bllokuar funksionimin e tregut të lirë dhe të përbashkët.

Në fund të vitit të kaluar, në mbledhjen e katërt të përbashkët në mes të qeverisë të Kosovës dhe të Shqipërisë në Korçë, është planifikuar të nënshkruhet marrëveshja e cila do të zhvendoste doganën e Kosovës nga pika doganore e Morinës në portin e Durrësit. Kjo zhvendosje e doganës është vetëm një akt simbolik e nuk do të ndikonte në krijimin e një tregu të përbashkët, sepse kjo doganë do të shërbente për futjen e mallrave nga vendet e treta në Kosovë. Përfitimi i vetëm financiar nga kjo zhvendosje do të shkonte vetëm për shpediterët nga Shqipëria, në vend të atyre nga Kosova.

Tregtarët dhe prodhuesit nga Kosova kanë probleme të shumta që duhen gjetur zgjidhje sesa zhvendosja simbolike e pikës doganore në portin e Durrësit. Probleme këto që kanë të bëjnë me procedurat që aplikohen nga shteti shqiptar për produktet nga Kosova, si pagesa për skaner, mospranimi i certifikatave fitosanitare, kontrollet e gjata dhe të panevojshme produkteve, të cilat shkaktojnë vetëm vonesa dhe rrjedhimisht rritje të kostos. Këto janë problemet reale të cilat po ndikojnë në mosfunksionimin e një tregu të përbashkët.

Bankat komerciale të Shqipërisë vazhdojnë të kreditojnë ekonominë e Kosovës dhe të kenë fitime të larta. Sipas raporteve të ndryshme del se bankat e Shqipërisë kanë lëshuar kredi në vlerë mbi 300 milionë euro në Kosovë, kështu duke rritur mjaftë shumë fitimin nga ky aktivitet ekonomik. Po ashtu, Industria e Sigurimeve në Kosovë vazhdon të mbizotërohet nga kompani nga Shqipëria të cilat operojnë me sukses në Kosovë.

© zëri.info