Ekonomia

Kërkohet zonë e lirë ekonomike në Vushtrri

Kërkohet zonë e lirë ekonomike në Vushtrri
09 janar 2018 • 08 : 02 Foto: Driton Bublaku

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të lejohet krijimi i zonës së lirë ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë në një sipërfaqe të mjaftueshme për vendosjen e shumë bizneseve, të cilat do të krijonin vende pune për të rinjtë e vendit, shkrun sot Gazeta "Zëri". 

Edhe Vushtrria, sikurse Mitrovica, Gjakova dhe Drenasi, së shpejti do të bëhet me zonë të lirë ekonomike pasi që kryetari i ri i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka vënë në prioritet të punës së tij krijimin e zonës ekonomike në një hapësirë të mjaftueshme për vendosjen e shumë bizneseve në Lumadh të Vushtrrisë. Në këtë hapësirë, siç ka deklaruar i pari i Vushtrrisë, synohet vendosja e bizneseve të cilat do t’i zhvillojnë veprimtaritë e tyre, ku do të krijonin vende të punës për të rinjtë e Vushtrrisë.

Lumadhi është fshati që shtrihet buzë rrugës rajonale Mitrovicë – Prishtinë, ndërsa hapësira për vendosjen e bizneseve është e mjaftueshme dhe shumë e përshtatshme për kompanitë prodhuese dhe bizneset e interesuara t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre ekonomike në këtë hapësirë. Kryetari Tahiri ka deklaruar se ka adresuar kërkesën tek ministritë përkatëse dhe tani pritet që të jepet leja. Gjithashtu, sipas Tahirit, Komuna është e gatshme të investojë në ndërtimin e infrastrukturës përcjellëse në zonën e lirë ekonomike në Lumadh, por që pjesën më të madhe të mjeteve për ndërtimin e infrastrukturës së zonës do të duhet ta financojë Ministria e Industrisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës.

I pari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një takim që ka pasur me përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës ka adresuar edhe kërkesa të tjera, të cilat Tahiri i ka cilësuar parësore gjatë mandatit të tij qeverisës me Komunën e Vushtrrisë.

“Ne jemi të interesuar dhe të vendosur që të marrim leje për krijimin e zonës së lirë ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë, pasi që ajo pjesë është ideale për veprimtari të subjekteve të ndryshme ekonomike. Hapësira gjendet pranë rrugës rajonale dhe shtrihet në disa hektarë, si dhe ka pozitë ideale. Me ndërtimin e zonës së lirë ekonomike në Lumadh krijohen kushte për të gjitha bizneset e interesuara dhe në këtë mënyrë do të krijohen shumë vende pune për të rinjtë e komunës së Vushtrrisë”, ka thënë Tahiri

Ai ka kërkuar gjithashtu që të themelohet instituti i teknologjisë ushqimore në Vushtrri, si dhe një fond nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për t’i mbuluar shpenzimet e ujitjes për fermerët e Vushtrrisë.

“Meqenëse Komuna e Vushtrrisë njihet si rajoni me bujqësi të zhvilluar dhe me prodhimin e disa kulturave bujqësore që kanë depërtuar edhe në tregun e jashtëm, është e nevojshme që në Vushtrri të themelohet instituti i teknologjisë ushqimore. Gjithashtu është tepër e nevojshme që Qeveria e Kosovës, përkatësisht MBPZHR-ja, ta ndajë një fond të posaçëm për t’ua mbuluar shpenzimet e ujitjes fermerëve të Vushtrrisë, në mënyrë që atyre t’u lehtësohet puna”, ka sqaruar ai.  

Ndryshe, komuna e Vushtrrisë vlerësohet si zonë industriale pasi që në atë pjesë të Kosovës operojnë me sukses një mori fabrikash që prodhojnë edhe për tregun e jashtëm. Janë të njohura tashmë fabrikat për prodhimin e mobileve “Ciao Berto” e “Bini”, si dhe disa fabrika të tjera që prodhojnë produkte të tekstilit dhe të pijeve. Më e njohura është fabrika për përpunimin e patates “Vipa Çips – Pestova”, prodhimet e së cilës tashmë kanë pushtuar tregun evropian. Kompanitë prodhuese janë kryesisht të vendosura buzë rrugës Mitrovicë – Prishtinë, në Maxhunaj, Nedakovc, Stanovc e Pestovë.

Janë saktësisht 1.236 hektarë tokë që mbillen me patate për çdo vit në komunën e Vushtrrisë, shumica në Pestovë, disa të kompanisë “Pestova” e disa të tjerë të fermerëve kooperantë, që prodhojnë mbi 50 mijë tonë patate në vit. Shumica e sipërfaqes së tokës të mbjella me patate ndodhen nën sistemin e ujitjes. Dhe, pikërisht për shkak të kushteve të mira klimatike, ujitjes me kohë dhe trajtimit profesional të bujqve rendimentet e patates janë të larta. Tani, 19 vjet pas përfundimit të luftës, patatja në Vushtrri nuk prodhohet më vetëm për konsum familjar, por për konsum të gjithë qytetarëve të Kosovës e madje edhe për eksport.

Në anën tjetër, nëse merret shembulli i Zonës së Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës deri tek funksionalizimi i plotë i saj do të mundë të kalojë kohë e gjatë, përveç nëse kryetari Tahiri arrin ta konkretizojë këmbëngulësinë e tij.

Për 4 vjet të mandatit të tij kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk ka arritur ta funksionalizojë asnjë biznes nga 19 të tillë sa janë vendosur aty. Disa projekte të investitorëve të huaj kanë dështuar në Mitrovicë, ndonëse Komuna e Mitrovicës kishte krijuar lehtësira të mëdha.

“Green 3Power”, një kompani suedeze-amerikane e cila kishte premtuar 45 milionë euro investime në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin nga ato të 12 megavateve të energjisë elektrike, është tërhequr, ndonëse Komuna e Mitrovicës ia kishte dhënë 10 hektarë tokë në ZLE në Frashër. 

© zëri.info