Qiraja, përgjysmë më e lirë në Parkun e Biznesit në Drenas

Ekonomia January 08, 2018 - 08:22

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, gjatë një vizite në Parkun e Biznesit në Drenas, të shtunën, kanë thënë se ekonomia e vendit ka lëvizur pavarësisht problemeve me të cilat është duke u përballur. Limaj ka apeluar tek qytetarët e Kosovës t’i kthejnë sytë nga prodhimet vendore, ndërsa pronarët e barnatoreve t’u japin hapësirë prodhimeve farmaceutike të vendit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, Bajram Hasani, kanë siguruar prodhuesit vendorë se institucionet publike kanë për obligim që të lidhin marrëdhënie kontraktuese me ta.

Gjatë një vizite në Parkun e Biznesit në Drenas, të shtunën, Limaj dhe Hasani ua kanë kumtuar bizneseve vendimin se qiraja për bizneset në Parkun e Biznesit në Drenas do të ulet për 50 për qind.

LEXO EDHE: Rrahje mes serbëve për ''Bozhiq'', Vuçiq bën thirrje për qetësi dhe stabilitet

Zëvendëskryeministri Limaj, i cili përveç nga ministri i MTI-së Barjam Hasani, shoqërohej edhe nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës Shyqiri Bytyçi, ka ftuar qytetarët e Kosovës që t’i kthejnë sytë nga prodhimet vendore, shkruan tutje "Zëri".

“Nga ajo që shoh këtu tregon se ekonomia e vendit ka lëvizur, pavarësisht problemeve me të cilat është duke u përballur. Shohim prodhime vendore nga duart e njerëzve tanë, intelektualëve tanë dhe kjo më jep shpresë dhe vullnet se nëse këta njerëz do ta kenë mbështetjen dhe kujdesin aq sa ka mundësi të japë shteti, ata do të vazhdojnë t’i fuqizojnë produktet e tyre dhe kështu do të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës dhe mbi të gjitha, që është qëllim i përbashkët, rritjen e mirëqenies së vendit tonë”, tha zëvendëskryeministri Limaj, duke shtuar se MTI-ja do të marrë masa lehtësuese për eliminimin e barrierave me të cilat përballen bizneset në Parkun e Biznesit në Drenas.

Në veçanti Limaj u bëri thirrje barnatoreve të Kosovës që t’u japin hapësirë prodhimeve farmaceutike vendore, pasi që paraprakisht përcolli nga afër procesin e prodhimit në fabrikën për prodhimin e barnave “Gentipahrm” në Parkun e Biznesit në Drenas.

“Duke qenë se janë prodhues vendorë, duhet ta kenë një mundësi për ekspozim të produkteve në barnatore të Kosovës. Nuk është mirë që këto kompani farmaceutike të prodhojnë dhe në barnatore të shohin pak produkte medicinale vendore. Farmacistët ngurojnë të shesin produkte vendore në farmacitë e tyre dhe kjo logjikë duhet të hiqet. Ashtu siç po e bëjmë për prodhimet vendore në markete, e njëjta masë do të përdoret edhe për produktet farmaceutike. Prodhimet tona vendore duhet ta kenë vendin e vet. Nëse ata nuk kanë vullnet do ta bëjmë me ligj”, siguroi zëvendëskryeministri Limaj.

Ndërsa ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, duke treguar përkushtimin dhe vendosmërinë për t’i përkrahur bizneset në Kosovë, tha se nga ky muaj do të lirohet qiraja për 50 për qind për bizneset që operojnë në Parkun e Biznesit në Drenas.

“Ne sot së bashku me zëvendëskryeministrin Limaj kemi vizituar zonën ekonomike në Drenas dhe i inkurajuam bizneset. Ne do ta vazhdojmë përkrahjen dhe heqjen e të gjitha barrierave, por ne e kemi një apel - që të kenë prodhime sa më cilësore. Prodhuesve u mbetet që të fokusohen të cilësia, kurse ne do ta shtojmë përkrahjen. Prodhuesit kanë pasur ankesa se qiraja është e shtrenjtë. Ne sot po ua kumtojmë lajmin se do ta zbresim 50 për qind qiranë, që është një lehtësim për ta. Nga janari do ta paguajnë 50 për qind më lirë qiranë”, ka thënë ministri Hasani.

Në këtë mënyrë qiraja për një metër katror në Parkun e Biznesit do të ulet nga 15 centë në 7.5 centë. Ulja e qirasë ishte kërkesë e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, të cilën e ka miratuar ministri i MTI-së, Bajram Hasani.

Ministri Hasani prejse ka marrë drejtimin e MTI-së ka ndërmarrë disa veprime konkrete për t’i mbrojtur prodhuesit vendorë.

Ai fillimisht vuri taksen në importimin e miellit nga Serbia, ndërsa pak ditë më parë vuri taksen edhe për importin e materialit ndërtimor nga Serbia, përkatësisht të blloqeve.

Ndryshe, bizneset të cilat janë vendosur në Parkun e Biznesit që nga dita e nënshkrimit të kontratës kanë paguar 0.15 euro qira për një metër katror të sipërfaqes.

Nga shuma e qirasë 70 për qind kanë shkuar në buxhetin e Komunës së Drenasit, ndërsa me 30 për qind të mjeteve të tjera nëpërmes Ministrisë së Industrisë dhe të Tregtisë bëhej mirëmbajtja e Parkut të Biznesit.

Parcelat janë të ndryshme, prej 10, 30 dhe 50 ari, por me kërkesë të vet bizneseve ka edhe të atilla që biznesin e tyre e zhvillojnë në sipërfaqe prej 60 ari. Me marrëveshje, 30 për qind të të punësuarve duhet të jenë të Komunës së Drenasit. 

Në anën tjetër, Komuna e Drenasit ka kërkuar që 62 deri në 84 hektarë të tjerë të tokës përballë Parkut të Biznesit në Korroticë të Epërme të përfshihen në elaboratin e shpronësimit për t’u dhënë mundësi të vendosjes edhe bizneseve të tjera, krahas 31 bizneseve të cilat aktualisht janë funksionale në Parkun e Biznesit.

Bordi Mbikëqyrës për Menaxhimin e Parkut të Biznesit në Drenas pati mbajtur një mbledhje menjëherë pas inkorporimit në bord të kryetarit Ramiz Lladrovci, në të cilën ishte diskutuar raporti i gjendjes së bizneseve në Parkun Industrial të Drenasit.

Bordi Mbikëqyrës pati vendosur që t’i shkëpusë kontratat me të gjitha bizneset të cilat nuk janë aktive, si dhe kishte vendosur që të shpallë konkurs për kompanitë që janë të interesuara të vendosen në Parkun e Biznesit në Drenas në katër parcela, njëra që nuk ishte dhënë në shfrytëzim dhe tri parcela në të cilat kompanitë që kanë lidhur kontratat nuk kanë qenë aktive, respektivisht nuk kanë filluar fare të punojnë.

Në komunën e Drenasit i patën thënë “Zërit” kohë më përpara se Komuna është në procedurë përfundimtare për krijimin e zonës ekonomike përballë Parkut të Biznesit në sipërfaqe prej 106 hektarësh, për të cilën është kryer studimi i fizibilitetit, por kryetari  Lladrovci ka sqaruar se kjo pjesë përballë Parkut të Biznesit ka 62 hektarë me mundësi të zgjerimit në 84 hektarë.

Me krijimin e kësaj zone ekonomike synohej të rritet shkalla e zhvillimit ekonomik dhe do të gjenerohen qindra vende të reja të punës. 

Parku i Biznesit në Korroticë të Epërme të Drenasit përmbledh praktikat më të avancuara nga BE-ja, SHBA-ja dhe vende të tjera e që sipas projektit përbën një filozofi unike të politikave të shtetit të Kosovës për mbështetje substanciale të sektorit privat, në veçanti sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.