Ja për çka po hetohet kryeshefi i Telekomit të Kosovës Agron Mustafa

Ekonomia January 05, 2018 - 15:18

Rreth tetë muaj pasi kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Agron Mustafa njoftoi se ka shpëtuar nga falimentimi kompaninë që ai drejton, Prokuroria Speciale e Kosovës është duke hetuar lidhur me marrëveshjen PTK- ZMobile dhe rrethanat që i paraprinë kësaj marrëveshjeje.

Ditë më parë KALLXO.com mëson se pjesë e hetimit është edhe vetë Agron Mustafa, dhe dy persona të tjerë që janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës behët fjalë për ish kryeshefin e kësaj kompania Ejup Qerimin, si dhe kryetarin e bordit të Telekomit të Kosovës Rexhe Gjonbalaj. Hetimi është ngritur pasi Njësia e Krimeve Ekonomike të policisë ka ngritur një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale.

Në të njëjtin kallëzim, sipas këtyre burimeve, nuk ka të përfshirë zytarë apo pronarë të kompanisë Z Mobile. Pas ngritjes së kallëzimit penal, hetimi për këtë rast i është besuar prokurorit special Abdurrahim Islami. Ky i fundit në një prononcim për KALLXO.com ka konfirmuar hetimet ndaj Mustafës dhe të tjerëve.

“Po, mund të konfirmoj se po hetohen tre persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa aktvendimi për nisjen e hetimeve është nxjerrë më datën 21 dhjetor të këtij viti”, tha Islami për KALLXO.com. I kontaktuar nga KALLXO.com kryshefi ekzekutiv i Telekomit Agron Mustafa është shprehur i habitur me këto veprime të policisë. “Ëoë!…Mua për Z Mobile?!…Habi e madhe. Kontrata është nënshkrua me 2008, unë kam fillu punën në Telekom në fund te muajit shkurt 2015, ndërsa kërkesa për fillimin e procedurës së Arbitrazhit ka filluar në fillim të muajit prill 2015”, tha Mustafa.

Mirëpo, burime brenda Prokurorisë thonë se kryeshefi aktual, ai i kaluari si dhe kryetari i bordit të Telekomit po hetohen rreth marrëveshjes që kanë bërë me kompaninë “Z-Mobile”, ku kjo e fundit ka deklaruar se ka hequr dorë nga 32 milionë euro të cilat është dashur ti paguaj Telekomi i Kosovës pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit.

“Z-Mobile ka hequr dorë nga marrja e 32 milionë euro në këmbim të kësaj kompania ti jepen edhe 100 mijë numra shtesë duke arritur tash në 300 mijë numra, po ashtu për 300 mijë klientë të ‘Z-Mobile’ Telekomi i Kosovës duhet t’i ofroj shërbime 3G dhe 4G, të cilat më parë nuk i kishte. Po ashtu, me këtë marrëveshje kontrata këtij operatorit virtual i vazhdohet në heshtje edhe për 6 vite tjera, deri ajo në vitin 2019 është dashur të rinegociohej” ka bërë të ditur burimi brenda Prokurorisë.

Më tutje burimi ka bërë të ditur se operatori virtual “Z-Mobile” nuk ka paguar rreth 9 milionë euro që janë shpenzimet e Telekomit të Kosovës që kjo e fundit i paguan Monaco Telekomit për numrat që i ka në shfrytëzim ky operator virtual. “’Z-Mobile’ heq dorë nga marrja e 32 milionë eurove, por kjo përfiton shumë më shumë. Andaj kjo marrëveshje rrezikon seriozisht kompaninë publike Telekomin e Kosovës”ka bërë të ditur burimi i besueshëm brenda Prokurorisë.