S’ka më burg për kundërvajtësit në komunikacion

Ekonomia January 05, 2018 - 10:01

Personat që bëjnë vepra kundërvajtëse në komunikacion më nuk do të kenë mundësi që pagesën e gjobës ta bëjnë me burgim. Kjo për arsye se që nga një janari i këtij viti ka hyrë në zbatim Ligji për Kundërvajtje në Kosovë, me ç’rast është hequr edhe dënimi me burgim për të gjithë ata që kryejnë vepra kundërvajtëse. Të gjithë ata persona që kryejnë vepra të tilla do të paguajnë me para në momentin e kryerjes së veprës. Me këtë rast, zyrtarë në Ministrinë e Drejtësisë kanë konsideruar se kjo gjë do ta rrisë përgjegjshmërinë në pagesën e gjobave. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se do të zbatohen gjoba tjera për kundërvajtësit dhe se nuk do të ngarkohen më gjykatat. Në anën tjetër, njohës të çështjeve kushtetuese heqjen e dënimit me burgim nuk e shohin si zgjedhjen më të mirë. Ndërsa ekspertë të sigurisë e shohin vendimin si ngarkesë për kundërvajtësit, pasi që për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike ata zgjedhin burgun para pagesës së gjobës, transmeton Zeri.info.

Tahiri: Nuk do të ketë më lëndë për kundërvajtje në gjykata

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ditë më parë ka njoftuar për këtë ligj e që sipas tij me anë të heqjes së dënimit me burgim u është dhënë mundësi organeve kompetente që të shqiptojnë gjoba dhe sanksione tjera për zbatimin e ligjit. Ndërsa sipas tij, në këtë mënyrë nuk do të ngarkohen as gjykatat. “Një gjë e tillë u mundëson gjykatave shkarkimin nga numri i madh i lëndëve të kundërvajtjes. Prandaj, e vlerësoj gatishmërinë e institucioneve për zbatimin e këtij ligji dhe ftoj të gjitha subjektet në këtë procedurë që t’i realizojnë të drejtat dhe obligimet e përcaktuara në të”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa sa i përket këtij ligji, zyrtarë nga Policia e Kosovës në një prononcim për “Zërin” kanë thënë se Policia është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka. Zyrtarë në Ministrinë e Drejtësisë kanë thënë për “Zërin” se me anë të këtij ligji pritet të rritet përgjegjshmëria në pagesën e gjobave. “Natyrisht se presim që nga standardet e vendosura me këtë ligj të rritet dukshëm përgjegjshmëria në pagesën e gjobave eventuale, pasi që është mundësuar pagesa e atypëratyshme e gjobave dhe mundësia që nëse paguhet brenda afatit të përcaktuar kundërvajtësi të lirohet nga pagesa e gjobës deri në 50% të shumës së saj. Kjo sigurisht se do ta stimulojë pagesën e gjobave nga ana e personave fizikë dhe juridikë”, kanë thënë ata. Ndërsa sa u përket masave që do të ndërmerren nëse nuk paguhen gjobat, ata kanë treguar se ligji i ri përcakton aktivizimin e mekanizmave të përmbarimit të detyrueshëm të lëndëve kundërvajtëse në pajtim me legjislacionin në fuqi për procedurën përmbarimore, e cila do të shërbejë si rrugë ligjore e ekzekutimit të lëndëve kundërvajtëse. Sipas tyre, largimi i dënimit me burgim për veprat kundërvajtëse është bërë me qëllim të harmonizimit të ligjit me Kushtetutën.

Divizioni për Komunikim në këtë ministri ka treguar për “Zërin” se cilat gjoba dhe sanksione parashihen për ata që kryejnë vepra kundërvajtëse. “Për kundërvajtje mund të parashihet: qortim, gjobë, pikë ndëshkuese, pushim i vlefshmërisë së lejes së vozitjes, ndalim i drejtimit me automjetin, ndalim i ushtrimit të profesionit, i veprimtarisë ose i detyrës dhe dëbim i të huajit nga vendi. Ndërsa për kundërvajtje të personit juridik mund të parashihet vetëm sanksioni kundërvajtës me gjobë”, kanë shtuar ata.

MST: Islami: Ligji efikas për gjykatat, ngarkesë për qytetarët

Avni Islami, ekspert i sigurisë, ka thënë se heqja e dënimit me burgim për ata që kryejnë vepra kundërvajtëse është ngarkesë për qytetarët, pasi që, sipas tij, shumë persona që kryejnë vepra kundërvajtëse e kanë gjendjen ekonomike jo të mirë. “Është një thikë me dy tehe. Në njërën anë do të ndikojë pozitivisht në funksionimin e gjyqësorit, ndërsa do të ngarkohen ata që kryejnë kundërvajtje. Efekti i saj është ajo se gjykatat janë shumë të ngarkuara me lëndë për kundërvajtje dhe shumica e tyre nuk po arrijnë t’i kryejnë. Ndërsa shumë individë që kryejnë vepra kundërvajtëse më me dëshirë kryejnë dënimin me burgim për shkak se zakonisht pjesa dërmuese e atyre që kryejnë vepra kundërvajtëse janë kryesisht persona të cilët i kanë kushtet e rënda ekonomike”, ka thënë ai. Ai ka thënë se rritja e zhvillimit ekonomik dhe hapja e vendeve të punës do të ndikonte në uljen e numrit të kundërvajtjeve, ndërsa ka konsideruar që ky ligj do të shkaktojë probleme mes Policisë dhe qytetarëve. “Shteti duhet të hapë vende të punës dhe ta rrisë zhvillimin ekonomik, kështu do të binte edhe numri i veprave kundërvajtëse. Besoj që pjesa dërmuese do të ketë probleme me Policinë e Kosovës, sepse shuma që do të duhej ta pagunin me ligjin e ri, pra duhet t’i konfiskohet pasuria dhe Policia do të ketë probleme me familjet, të cilave nuk ka se çfarë t’u merret. Besoj që nuk do të jetë shumë efikas ky ndryshim i ligjit”, ka shtuar ai.

Baraliu: Heqja e dënimit me burgim nuk është zgjidhja më e mirë

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se Kosova është e njohur për shkallën më të lartë të veprave shumë të lehta kundërvajtësore dhe se heqja e dënimit me burgim për vepra të tilla nuk është zgjidhja më e mirë. “Ne kishim një sistem kundërvajtësor në Kosovë edhe para luftës, në kohën e autonomisë dhe pas luftës në zhvillimet që kishim. Ata i hoqën dhe i kanë futur si vepra penale të lehta të ashtuquajtura në Kod Penal, gjë që nuk kanë bërë mirë, sepse njerëzit tanë bëjnë pak vepra të rënda. Jemi në rajon të njohur me shkallën më të ulët të veprave të rënda penale, ndërkaq bëjmë jashtëzakonisht shumë vepra të lehta kundërvajtësore, pra veprime kundërvajtësore”, ka thënë ai. Baraliu ka treguar se ata që kryejnë vepra kundërvajtëse dënohen nga Policia në vendin e ngjarjes. “Mbi 60 mijë veprime kundërvajtëse, të cilat nuk i kanë trajtuar ose i kanë në trajtim ose janë parashkruar janë tani në sirtarët e gjykatave tona. Prandaj tani me ligjin e ri kanë bërë një ridizajnim të këtyre veprave, duke paraparë që edhe me Ligjin për Trafikun, edhe me Ligjin për Kundërvajtje kundërvajtësit të dënohen nga Policia në vendin e ngjarjes, pra në momentin e kryerjes së veprimit kundërvajtës”, ka theksuar ai. Baraliu ka thënë se sistemi i organizimit të gjykatave është joadekuat dhe i dëmshëm, ndërsa dënimi për ata që shkaktojnë kundërvajtje të rënda duhet të jetë deri në 60 ditë burgim. “Tani është gjendje krize sa u përket ekspertëve, gjyqtarëve, që të specializohen për trajtimin e veprimeve kundërvajtëse. Ky sistem i organizimit të gjykatave është joadekuat dhe i dëmshëm dhe do të duhej ta kishim një sistem tjetër dhe natyrisht të kishim edhe ligj për kundërvajtje, ku kundërvajtjet do të duhej të klasifikoheshin në të lehta të mesme dhe të rënda. Dhe maksimumi i kundërvajtjes është siç ka qenë në Ligjin për Kundërvajtje të Kosovës, për kundërvajtje të rënda të jetë deri në 60 ditë burgim”, ka thënë ai./ZERI.