Në veri të Mitrovicës do të punësohen 246 punëtorë

Ekonomia January 04, 2018 - 08:11

Tre udhëheqësit kryesorë të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës i zgjedhur edhe për një mandat në zgjedhjet e 22 tetorit të vitit të kaluar, Adriana Hoxhiq, shefe e administratës në komunën veriore të Mitrovicës, ish-shefe e Zyrës Administrative të Kosovës në veri, si dhe Aleksandër Spiriq, kryetar paralel i Mitrovicës së Veriut, kanë siguruar qytetarët e veriut se edhe në vitin 2018, sikurse që ishte në vitin 2017, do të hapin shumë vende të reja të punës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ata krenohen me punën e tyre, siç kanë thënë në interes të qytetarëve të veriut të Mitrovicës, posaçërisht për hapjen e vendeve të punës në vitin 2017.

Sipas tyre, në vitin 2017 janë hapur gjithsej 246 vende të reja të punës dhe për këto vende pune janë shpallur dy konkurse.

LEXO EDHE: Ikën kryetari, partia drejt ndarjes

Intervistomi me gojë dhe me shkrim i kandidatëve ka shkuar në faza dhe ai ka përfunduar, por nuk është raportuar për numrin e shqiptarëve të pranuar në punë sipas konkursit e që sipas Bashkim Cimilit, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, nuk është paraqitur asnjë raport në Kuvend, shkruan tutje "Zëri".

Ai thotë se ndonëse ishte interesuar nuk ka marrë asnjë përgjigje për numrin e shqiptarëve të pranuar, që sipas Cimilit duhet të jetë 30 për qind, duke u bazuar në strukturën etnike të popullatës në veri.

“Ne kemi kërkuar që përqindja e shqiptarëve që pranohen në punë të jetë 30 për qind, por kryetari Rakiq pati siguruar se të paktën do të pranohen 10 për qind. Në dy rastet konkursi është mbyllur, kandidatët janë intervistuar, por unë kam njoftime se janë pranuar vetëm 3 shqiptarë, bile edhe ata janë të jugut të Mitrovicës, nuk janë të veriut hiç”, ka thënë Cimili për "Zërin", duke shtuar se as Rakiq e as Adriana Hoxhiq nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

“Ata nuk po pranojnë të flasin për këtë çështje, nuk tregojnë për numrin e shqiptarëve të pranuar, ndonëse unë insistoj vazhdimisht. Bile ata as telefonin nuk po e hapin”, tha Cimili për “Zërin” të martën.  

“Premtoj se në vitin 2018 do të hapim edhe shumë vende të reja të punës, do të realizojmë shumë projekte. Natyrisht punët nuk mund t’i kryejmë vetë, por me mbështetjen e qytetarëve”, ka thënë Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, ndërkaq Adriana Hoxhiq, shef e administratës në komunën veriore të Mitrovicës, ka paralajmëruar edhe konkursin e tretë për pranimin e punëtorëve në arsim.

“Ne jemi krenarë pikërisht për faktin se kemi hapur shumë vende pune. Trendi i hapjes së vendeve të punës do të vazhdojë. Tani do ta shpallim edhe një konkurs për punëtorë në arsim, do të jetë konkursi i tretë pas dy konkurseve të para, njëri për 168 punëtorë dhe tjetri për 78 punëtorë, kryesisht në arsim dhe në shëndetësi”, ka thënë Hoxhiq, e cila ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të investojë mjete në ndërtimin e objekteve të banimit, jo vetëm për familjet e pastreha dhe raste sociale, por edhe për kuadro serbe në veri.

E në anën tjetër Aleksandër Spiriq, kryetar paralel i Mitrovicës së Veriut, e ka vlerësuar të rendë vitin 2017 për shkak se, siç ka thënë ai, “të presioneve të vazhdueshme mbi Organin e Përkohshëm, duke pasur parasysh faktorët që kanë ndikuar në institucione serbe”.

“Megjithatë, si rezultat i lidhjeve të pathyeshme me shtetin e Serbisë kemi buxhetin për vitin 2018 për sigurimin e pagave për të punësuarit, si dhe për projekte të rëndësishme që do të realizohen”, ka thënë Spiriq, i cili ka siguruar serbët se shteti i Serbisë do të investojë mjete për ndërtimin edhe të një varg ndërtesave të larta për familjet serbe, që sipas tij do të ndërtohen në “Lagjen e Boshnjakëve”.