Transfere të dyshimta milionëshe për partitë politike

Ekonomia January 03, 2018 - 08:05

 

Pagesa që bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, tranfere gati milionëshe të dedikuara për mbrojte ligjore, pagesa dhjetëra mijëra euro në emër të shërbimeve për persona jashtë Kosovës, llogari bankare me nënllogari të shumta, qarkullim i qindra mijëra eurove para të gatshme, por edhe shumë shkelje të tjera kanë evidentuar auditorët e pavarur gjatë autidimit të pasqyrave financiare për partitë parlamentare në Kosovë për vitin 2013, 2014, 2015 dhe 2016. Po ashtu auditorët kanë hasur edhe në mospërputhje të mëdha financiare në raportet që përfaqësuesit e subjekteve politike ua kanë ofruar atyre gjatë procesit të auditimit.

Po ashtu në raportet e hartuara, të cilat i ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se në disa raste gjatë auditimit është konstatuar që subjekti politik nuk prezantuar saktë shënimet krahasuese për vitin 2015, pasi ka mospërputhje të shënimeve të deklaruara për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2015 dhe shënimeve krahasuese për të njëjtin vit të prezantuara për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2016.

 PDK-ja, 821 transafere për ndihmë ligjore

Auditori ka gjetur shumë shkelje gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) gjatë 4 vjetëve të fundit. Auditorët kanë gjetur se të hyrat e kësaj partie nga buxheti i shtetit gjatë 4 vjetëve të fundit kanë qenë 4.423.723 euro, ku të gjitha janë shpenzuar për paga, qira dhe shërbime të tjera. Gjatë këtyre viteve PDK-ja ka deklaruar një shumë të vogël të mjeteve që i janë dhuruar nga anëtaret e tyre në gjithë Kosovën. Në raportin e auditimit për vitin 2013 auditori ka konstatuar që PDK-ja gjatë vitit 2013 ka pasur të hapur edhe një llogari tjetër bankare në emër të subjektit, e cila është përdorur ekskluzivisht për transferet që ishin të dedikuara për ndihmë ligjore. “Totali i transaksioneve në këtë llogari është 821.365 euro. Të hyrat e pranuara në këtë llogari dhe shpenzimet e ndodhura nuk janë raportuar në raportin vjetor dhe njëkohësisht të hyrat e pranuara janë në kundërshtim me kërkesat ligjore të Ligjit Nr. 04/L-212 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike, të ndryshuar dhe të plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-058, Neni 5, Kontributet për Subjektet Politike”, thuhet në raportin e auditorit për PDK-në për vitin 2013, të cilat i ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (ZKQ). Po ashtu gjatë këtij viti PDK-ja ka deklaruar të hyra në vlerë prej 8.661 eurosh për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2013, nga të cilat vlera prej 7.931 eurosh është pranuar përmes arke në kundërshtim me kërkesat ligjore. “Gjatë auditimit tonë ne po ashtu kemi konstatuar që subjekti politik nuk i ka deklaruar të hyrat nga fushata në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, duke nënvlerësuar kështu të hyrat vjetore për 256.621 euro. Po ashtu PDK-ja gjatë vitit 2013 ka deklaruar shpenzime në kategorinë “Pagat dhe Kompensimet” në vlerën prej 570.403 eurosh, derisa  gjatë auditimit është konstatuar që ka mospërputhje në mes të pagave të deklaruara në Administratën Tatimore të Kosovës dhe pagave të prezantuara në pasqyra financiare në vlerë 40.276 euro”, thuhet në raportin e auditorit.

 

MST: 100 mijë euro kontribute të paverifikuara

 

Po ashtu shkelje të mëdha auditori ka hasur edhe në pasqyrat financiare të PDK-së për vitin 2014. “Ashtu siç prezantohet në shënimin 7 ‘Kontributet në natyrë, në mall dhe në shërbime’ subjekti politik ka deklaruar kontribute në natyrë nga vëzhguesit në shumë totale prej 99.735.00 eurosh gjatë vitit 2014. Gjatë auditimit tonë ne kemi konstatuar që subjekti politik nuk ka dokumentacion mbështetës për kontributet e pranuara, marrëveshje, deklarata, etj. Subjekti politik i ka kryer pagesa një marrësi të vetëm në vlerë mbi 5.000 € brenda një dite, që është në kundërshtim me kërkesat ligjore të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit me nr. 03/L-196,  të datës 30 shtator 2010, Neni 25 Detyrimet shtesë të partive politike dhe të kandidatëve të regjistruar”, thuhet në raportin e auditorit për pasqyrat financiare të PDK-së për vitin 2014.

Po ashtu në raportin e auditorit për pasqyrat financiare të PDK-së për vitin 2015 thuhet se subjekti politik nuk ka mirëmbajtur një kontabilitet të mirëfilltë për të mundësuar regjistrimin e transaksioneve financiare dhe përgatitjen e pasqyrave financiare konform Standardeve të Kontabilitetit të aplikueshme në Kosovë. Sipas auditorit po ashtu, subjekti politik në blerjet e kryera nuk ka aplikuar ndonjë procedurë të tenderimit, e cila do të mundësonte një shfrytëzim sa më efikas, me kosto ekonomike, transparente dhe të drejtë të fondeve të subjektit politik. “Subjekti Politik nuk ka respektuar kërkesat ligjore në lidhje me publikimin e raporteve financiare vjetore”, thuhet në raport.

Po ashtu të gjitha shkeljet e evidentuara gjatë tre vjetëve paraprake janë evidentuar edhe në raportin e auditorit për vitin 2016.

 LDK-ja, blerje pa tender

Po ashtu shkelje auditori ka konstatuar edhe gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016, ku gjatë këtyre viteve të hyrat e kësaj partie nga buxheti i shtetit kanë qenë 3.599.945 euro, ku të gjitha janë shpenzime dhe shërbime. “Pagat dhe kompensimet në vlerë 255.862.62 euro në mungesë të dokumenteve mbështetëse, kontratave të punës, vendimeve etj, ne duke aplikuar procedurat standarde dhe alternative të auditimit nuk ishim në gjendje të përfitojmë një siguri të arsyeshme në lidhje me plotësinë e kësaj shume për periudhën e përfunduar më 31 dhjetor 2013”, thuhet në raportin e auditorit të pasqyrave financiare për vitin 2013 për LDK-në. Po ashtu, sipas auditorit, subjekti politik nuk ka mirëmbajtur një kontabilitet të mirëfilltë për të mundësuar regjistrimin e transaksioneve financiare dhe përgatitjen e pasqyrave financiare sipas Standardeve të Kontabilitetit të aplikueshme në Kosovë.

“Subjekti politik i ka kryer pagesa një marrësi të vetëm në vlerë mbi 5.000 euro brenda një dite në kundërshtim me kërkesat ligjore të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Neni 26 Detyrimet shtesë të partive politike. Subjekti politik në blerjet e kryera nuk ka aplikuar ndonjë procedurë të tenderimit, e cila do të mundësonte një shfrytëzim sa më efikas, me kosto ekonomike, transparente dhe të drejtë të fondeve të subjektit politik. “Subjekti politik nuk e ka të definuar me statut mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar të saj dhe të drejtën e anëtarëve për t’u informuar për të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e subjekteve politike si dhe për përgjegjësinë e organit gjegjës për transaksione financiare, ashtu siç parashihet në Ligjin Nr. 04/L-212 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike të ndryshuar dhe të plotësuar me Ligjin Nr. 04/L058, Neni 17 Kontrolli i Brendshëm. Subjekti politik nuk ka respektuar kërkesat ligjore në lidhje me publikimin e raporteve financiare vjetore dhe të fushatës sipas Ligjit Nr. 04/L-212”, thuhet në raport. Po ashtu, të gjitha këto shkelje të njëjta janë evidentuar edhe gjatë auditimit të pasqyrave financiare edhe për vitet 2014, 2015 dhe 2016.

LVV-ja, donacion në kundërshtim me ligjin

Auditorët po ashtu kanë hasur në shkelje ligjore edhe gjatë auditimit të pasqyrave financiare për lëvizjen “Vetëvendosje” për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016 e ku gjatë kësaj periudhe kohore kjo parti nga arka e shtetit ka marrë 1.958.250 euro. Në raportin e auditorit për vitin 2013 thuhet se subjekti politik me një rast ka pranuar donacione në vlerë mbi 1.000.00 euro (1.115.00 euro) nga i njëjti person brenda një dite në kundërshtim me kërkesat ligjore të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Neni 26 Detyrimet shtesë të partive politike. Sipas auditorit po ashtu, subjekti politik në fjalë në blerjet e kryera nuk ka aplikuar të gjitha procedurat e kërkuara për blerjet dhe furnizimet si koutimet ose tenderimi, e cila do të mundësonte një shfrytëzim sa më efikas me kosto ekonomike, transparente dhe të drejtë të fondeve të subjektit politik. “Gjatë auditimit tonë ne kemi vërejtur që te shpenzimet e reprezentacionit dhe karburantit në disa raste SP-ja nuk ka dokumentacion relevant mbështetës, përveç faturave, pagesave dhe urdhërblerjeve, që do të mundë t’i arsyetonin dhe mbështesnin shpenzimet e ndodhura. Subjekti politik nuk ka mirëmbajtur një kontabilitet sipas parimit aktual për të mundësuar regjistrimin e transaksioneve financiare dhe përgatitjen e pasqyrave financiare sipas Standardeve të Kontabilitetit të aplikueshme në Kosovë. Ashtu siç është shpalosur ne shënimin ‘6 donacionet në të holla’, subjekti politik me këtë rast ka pranuar 2.800 euro nga i njëjti person fizik në kundërshtim me dispozitat e Nenit 5, pika 1 e Ligjit Nr. 03/L-174 Për Financimin e Subjekteve Politike, i cili lejon maksimumin e pranimit të donacionit nga persona fizikë në vlerë 2.000.00 euro”, thuhet në raportin e auditorit. Po ashtu më tutje në raport thuhet se

LVV-ja gjatë vitit 2013 ka operuar me një llogari kryesore bankare dhe me 31 nënllogari në kuadër të “Procredit Bankës”, si dhe me 4 llogari të tjera në BKT (3 llogari në valuta të huaja dhe 1 llogari bankare në Euro). Sipas auditorit, llogaritë bankare në BKT janë mbyllur gjatë vitit 2013. “Subjekti Politik nuk ka arritur t’i mbyllë nënllogaritë bankare në “Procredit Bankë” deri në vitin 2014 edhe pse sipas kërkesave ligjore të bazuara në Ligjin Nr. 04/L-212 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike, të ndryshuar dhe të plotësuar me Ligjin Nr. 04/L058, Neni 3, pika 3, ka kërkuar operimin vetëm me një llogari bankare. Kërkesa ligjore është miratuar më 31 korrik 2013”, thuhet në raport. Po ashtu edhe në vitin 2014 auditori ka gjetur se subjekti politik me këtë rast ka pranuar 5.000 euro nga i njëjti person fizik në kundërshtim me dispozitat e Nenit 5, pika 1 e Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike, i cili lejon maksimumin e pranimit të donacionit nga persona fizikë në vlerë 2.000 euro. Po ashtu shkelje të njëjta auditori ka evidentuar edhe gjatë vitit 2014, 2015 dhe 2106.

 AAK-ja, 73 mijë euro para të gatshme ua transferoi degëve

Auditori po ashtu shkelje ka evidentuar edhe gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës gjatë viteve 2013, 2014, 2015, si dhe 2016. Kjo parti nga buxheti i shtetit gjatë këtyre viteve ka pasur buxhet nga arka e shtetit 1 milion e 440 mijë euro. “Gjatë auditimit tonë ne kemi konstatuar se nga totali i shpenzimeve të deklaruara në vlerë 631.813.31 euro për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2013 73.050 euro janë mjete të transferuara, të bartura në para të gatshme degëve të saja, mirëpo pa u mbështetur me dokumentacion mbështetës mbi ndodhjen e shpenzimeve. Gjatë auditimit tonë është konstatuar se në kuadër të përfitimeve të tjera subjekti politik i ka bërë kompensime mujore personit jorezident të Kosovës për shërbime në shumën totale prej 28.800.00 eurosh për të cilin nuk i është ndalur tatimi në burim sipas Legjislacionit Tatimor të Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e auditorit për auditimin e pasqyrave financiare për vitin 2013 për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Aty më tutje në raport thuhet se subjekti politik gjatë vitit 2013 ka operuar me një (1) llogari kryesore bankare dhe me 27 nënllogari në kuadër të “Raiffesisen Bankës” në kundërshtim me kërkesat ligjore te Ligjit Nr. 04/L-212 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike. Subjekti politik nuk ka shpalosur shënimet mbi pagesat e kryera në vlerë mbi 5.000.00 euro një marrësi të vetëm brenda ditës, ashtu siç parashihet në Ligjin Nr. 04/L-212 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike, të ndryshuar dhe të plotësuar me Ligjin Nr. 04/L058, Neni 15, Raportimi Financiar. Subjekti Politik nuk ka mirëmbajtur një kontabilitet të mirëfilltë për të mundësuar regjistrimin e transaksioneve financiare dhe përgatitjen e pasqyrave financiare sipas Standardeve të Kontabilitetit të aplikueshme në Kosovë. Subjekti Politik nuk e ka të definuar me statut mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar të saj dhe të drejtën e anëtarëve për t’u informuar për të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e subjekteve politike, si dhe për përgjegjësinë e organit gjegjës për transaksione financiare, ashtu siç parashihet në Ligjin Nr. 04/L-212 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike, të ndryshuar dhe të plotësuar me Ligjin Nr. 04/L058, Neni 17, Kontrolli i Brendshëm”, thuhet më tutje në raportin e auditorit të pavarur. Po ashtu shkelje të njëjta me shifra të ndryshme auditori ka evidentuar edhe gjatë auditimit të pasqyrave financiare të kësaj partie politike edhe për vitin 2014, 2015 dhe 2016.

Nisma, donacione përmes arkës

Po ashtu auditori në shkelje ka hasur edhe gjatë auditimit të pasqyrave financiare të Nismës për vitin 2014, 2015 dhe 2016. Sipas auditorit, Nisma ka deklaruar donacione në vlerë 8.433 euro për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2014. “Subjekti politik ka pranuar donacione përmes arkës në vlerë 8.433.00 euro në kundërshtim me ligjin. Për më tepër, subjekti politik ka pranuar donacion në para të gatshme nga dy persona fizikë në shumat mbi 1000 euro brenda një dite, e cila është shkelje e ligjit. Subjekti Politik nuk ka mirëmbajtur një kontabilitet të mirëfilltë për të mundësuar regjistrimin e transaksioneve financiare dhe përgatitjen e pasqyrave financiare sipas Standardeve të Kontabilitetit të aplikueshme në Kosovë. Subjekti politik i ka kryer pagesa një marrësi të vetëm në vlerë mbi 5.000 euro brenda një dite në kundërshtim me kërkesat ligjore të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Neni 25, pika 2 e Ligjit Nr. 03/L-196, Detyrimet Shtesë të Partive Politike”, thuhet në raportin e auditorit. Po ashtu, sipas auditorit, subjekti politik në blerjet e kryera nuk ka aplikuar ndonjë procedurë të tenderimit e cila do të mundësonte një shfrytëzim sa më efikas, me kosto ekonomike, transparente dhe të drejtë të fondeve të subjektit politik. Auditori po ashtu ka konstatuar se subjekti politik nuk ka respektuar kërkesat ligjore në lidhje me publikimin e raporteve financiare vjetore dhe të fushatës sipas Ligjit Nr. 04/L-212. Duke u bazuar në raportet e auditorit shihet se subjekti politik në fjalë gjatë tre vjetëve të fundit ka marrë nga buxheti 464.500 euro. Derisa shkeljet e evidentuara në raportet e auditorit për vitin 2014 janë evidentuar edhe në vitet 2015 dhe 2016.

 

PDK

2013    1,000,109

2014    1,099,374

2015    1,158,740

2016    1,165,500

TOT:   4,423,723

 

LDK

2013    803,787

2014    908,636          

2015    945,000          

2016    942,522

TOT:   3,599,945

 

VV

2013    465,500

2014    484,750          

2015    504,000          

2016    504,000

TOT:   1,958,250

 

AAK

2013    394,433

2014    372,750

2015    329,383

2016    343,972

TOT:  1,440,538

 

NISMA

2013    \

2014    96,500

2015    179,800

2016    189,000

TOT:464,500