16 ndërmarrje në prag të falimentimit, njëra nga to edhe Telekomi

Ekonomia January 01, 2018 - 15:34

Kompleksi metalurgjik Trepça, viteve të fundit vazhdon të përballet me plot sfida të ndryshme të zhvillimit të saj, ngase ka një kohë të gjatë që është edhe pa bord drejtues që do të mundësonte zbatimin e Ligjit për Trepçën i cili ka hyrë në fuqi një vit më parë.

Megjithatë, ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka thënë se rritja e investimeve në sektorin e minerar, përfshirë këtu edhe aktivizimin e plotë të ndërmarrjes Trepça me investime brenda saj, si dhe aktivizimi i disa minierave në zona me interes të veçantë do të jenë një prej objektivave kryesore për vitin 2018.

Ministri Lluka ka thënë se deri në fillim të muajt shkurt do të bëhet funksional bordi i ri i Trepçës, dhe kështu sipas tij, do t’i rikthehet nami që ka pasur dikur.

“Trepça do të jetë sërish sikurse në kohën e dikurshme një promotor i zhvillimit të vendit…Po shpresoj që deri në fund të janarit eventualisht fillimi i muajit shkurt bordi do të jetë funskional në Trepçë”, ka thënë ministri Lluka.

Po ashtu puna mbarë nuk po iu ec as ndërmarrjeve tjera publike në vendin tonë, ngase në prag të falimentimit janë 11 ndërmarrje, ku sipas ministrit Lluka këto ndërmarrje po operojnë me humbje, të cilat kanë bërë punësime pa kritere me paga të majme. E njëra ndër to është  edhe Telekomi i Kosovës.

“Ndërmarrjet publike për momentin janë në një gjendje jo të mirë, vazhdojnë të kenë humbje, shumica prej tyre nga 16 sa janë, 11 prej tyre operojnë me humbje. Kanë vazhduar punësime pa kritere në këto ndërmarrje dhe ka shumë e shumë probleme tjera të cilat besoj se së shpejti me ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike ne do të fillojmë ndryshimet dhe ristrukturimin në këto ndërmarrje për t’i kthyer ato nëse jo në fitimprurëse,  të paktën jo me humbje”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, edhe për të mos pasur nevojë të subvencionohen.

Edhe Telekomi i Kosovës, sipas Llukës operon pa bord drejtues tash e një vit, i cili shtoi se janë në proces të emërimit për ta ristrukturuar këtë ndërmarrje. Sepse, sipas tij, Telekomi si një ndërmarrje më fitimprurëse, tash është duke i humbur rreth 6 milionë euro në vit.

“Unë besoj se ristrukturimet e para në Telekom do të shihen diku në muajin shkurt dhe mars, ku do të ndodhin ristrukturimet më të prekshme, të cilat do ta kthejnë ndërmarrjen me disa veprime në një ndërmarrje fitimprurëse, nga ajo që është duke i humbur rreth 6 milionë euro për momentin… Për ta privatizuar Valën janë dy kërkesa që duhet plotësohen, e para është të përfundon arbitrazhi, dhe së dyti që ta kthejmë ndërmarrjen në një kompani fitimprurëse. Sepse, nëse afron me humbje edhe vlera e privatizimit është jashtëzakonisht e dobët”, ka thënë ministri Lluka.

Ai ka shtuar se Vala ka potencial shumë më të madh, mirëpo kërkohet një vendimmarrje pak më e fortë për të bërë më stabile dhe që mund të drejtohet në rrugën e duhur Telekomi.

Ndër, prioritet për këtë Ministri do të jetë përmirësimi i sektorit energjetik, për krijimin e kapaciteteve të reja, siç është Kosova e Re si dhe rregullimi i distribuimit të rrjetit dhe kualitetit të këtij lloj shërbimi.