Rritje e performancës në procesin e likuidimit

Ekonomia December 29, 2017 - 12:14

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka rritur dukshëm performancën gjatë këtij viti në procesin e likuidimit të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore, gjithnjë në përputhje me mandatin ligjor sipas Ligjit të AKP-së të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Numri i ndërmarrjeve shoqërore për të cilat ka filluar procesi i likuidimit ka arritur në 513 ndërmarrje, ndërkaq vetëm gjatë këtij viti kalendarik, janë dorëzuar 997 kërkesa kreditore për ndërmarrjet në likuidim, përderisa janë shqyrtuar dhe dërguar 987 vendime tek pretenduesit. Këto të dhëna paraqesin sukses të konsiderueshëm krahasuar me vitet paraprake.

Janë rritur edhe fondet që janë shpërndarë tek kreditorët e ndryshëm të NSh-ve dhe kjo pasqyrohet  me aprovimin në Bordin e Drejtorëve të 41 raporteve të shpërndarjes përfundimtare për kreditorët e NSh-ve në likuidim. Kjo shifër paraqet ¼ e të gjitha raporteve të aprovuara deri më tani nga Bordi prej fillimit të likuidimit.

Numri i NSh-ve të mbyllura sipas aktvendimeve të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK) për këtë vit është 5 NSh, ndërsa në total janë 17 aktvendime.

Në total, që nga fillimi i likuidimit e deri më tani janë kryer pagesa për kreditorë në shumë 24.2 milionë euro dhe nga këto shpërndarje deri më tani kanë përfituar rreth 13,000 kreditorë të ndryshëm.

Autoritetet e Likuidimit deri më tani në total kanë lëshuar 90 mijë e 526 vendime për pretendues të ndryshëm.

Image