Sektori mikrofinanciar me rritje vjetore prej 24.5 përqind

Ekonomia December 24, 2017 - 08:25

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se sektori mikrofinanciar u karakterizua me rritje të përshpejtuar të aktivitetit, ku vlera e aseteve të sektorit arriti në 169.2 milionë euro në qershor 2017, që korrespodon me rritje vjetore prej 24.5 përqind.

Po ashtu, performanca e këtij sektori u përmirësua në krahasim me tre vitet e fundit, si rezultat i rritjes së theksuar të profitit që u pasqyrua në përmirësimin e indikatorëve të profitabilitetit.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka vazhduar punën për operacionalizim e Politikës për Mbikëqyrje Makroprudenciale, e cila u përpilua në vitin 2016 në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar.

“Në gjysmën e parë të vitit 2017, zhvillimet e përgjithshme të indikatorëve makroprudent në Kosovë ishin të qëndrueshme, pa ndonjë kërcënim për stabilitetin financiar të vendit”, thuhet në raportin e stabilitetit financiar të BQK-së.