Haradinaj me 142 mijë euro të hyra në vit, ankohet se ha bukë të ftoftë

Ekonomia December 19, 2017 - 14:03

“Unë ha bukë në kerr, ha bukë në këmbë, ha ushqim të ftohtë, rrallë ha ushim të nxehtë. Ky është privilegji i të qenit kryeministër”. Kështu ka deklaruar në një intervistë të fundit kryeministri Ramush Haradinaj, duke folur për volumin e madh të punëve ditore që kryen si i pari i qeverisë.

Por, kjo po shihet më shumë si deklaratë populiste e Haradinajt. Haradinaj po mundohet të tregohet i afërt me qytetarët, por a është vërtet i tillë? Këtë më së miri e tregon pasuria e tij e fituar pas luftës.

Në fakt të hyrat vjetore të Ramush Hardinajt dhe bashkëshortes së tij janë tepër të mëdha. Kështu vetëm nga pagat, çifti Haradinaj marrin rreth 69 mijë euro në vit, derisa nga qiraja e shtëpisë marrin 73,469 euro në vit, apo gjithsej rreth 142 mijë euro në vit.

Ramush Haradinaj nuk e ka bërë ende deklarimin e pasurisë si kryeministër i vendit. Megjithatë, pasuria e tij figuron te regjistrimi për deklarimin e pasurisë si deputet i Kuvendit të Kosovës që e ka bërë më 21 gusht 2017.

Si pasuri të palujtshme Haradinaj ka deklaruar një shtëpi banimi prej 950 metra katrorë, të ndërtuar siç thuhet „me mjete vetanake dhe me ndihmë nga bashkëluftëtarët“ në vitet 2001-2002, me vlerë 300 mijë euro, të cilën e ka lëshuar me qira. Po ashtu, si pronë të palujtshme ka evidentuar kullën, apo shtëpinë e përbashkët familjare prej 800 metra katrorë e ndërtuar nga mjetet e përfituara nga prona e mëparshme e shitur në vitin 2005, në vlerë 270 mijë euro.

Po ashtu Haradinaj ka deklaruar si pronë të përbashkët 200 hektarë tokë kodrinore të blerë nga privatizimi në vitin 2005, në vlerë 75 mijë euro. Pastaj ka truall 21 ari e gjsymë në emër të tij, të blerë në vitin 2005 në vlerë 27.300 euro si dhe një shtëpi banimi 500 metra katrorë po ashtu në emër të tij, të blerë me kredi në vitin 2016 në vlerë 202 mijë euro.

Si pasuri të palujtshme, Haradinaj ka deklaruar një veturë të blerë në vitin 2013 me vlerë 8 mijë euro. Haradinaj ka deklaruar se nuk posedon letra me vlerë, derisa në bankë ka të deponuara mbi 20 mijë euro.

Nga ana tjetër, Haradinaj ka detyrime financiare ndaj institucioneve financiare në vend, gjegjësisht bankës dhe Administratës Tatimore. Ai ka duke shlyer një kredi nga viti 2016 deri në vitin 20131, në vlerë totale 150 mijë euro, gjegjësisht këst mujor prej 1264 euro e 17 cent.

Haradinaj ka deklaruar pagën si deputet prej 1294 euro, dhe pension invalidor 2700 euro në vit, pastaj pagën vjetore në AAK 17.708 euro.

Ndryshe, paga e kryeministrit llogaritet se arrin mbi 16 mijë euro në vit.

Pos tij, edhe bashkëshortja e tij ka pagë të majme. Ajo ka pagë vjetore nga RTK-ja në shumë 7920 euro, pastaj pagë mujore 12 mijë euro nga kompania ELSIG dhe pagë vjetore nga Agjencia e Marketingut “Vibe” 12 mijë euro.

Ndërsa nga qiraje për shtëpi, Haradinaj merr 6679 euro në muaj, apo 73,469 euro.

“Te pjesa e deklarimit të drejtat dhe detyrimet financiare ndaj personave juridik dhe fizikë, kam deklaruar se kam detyrime ndaj ATK-së, pagesën e tatimit për përfitimin nga qiraja e shtëpisë, për 11 muaj në vit. Kjo, për shkak se unë përfitoj 11 qira në vit, pasi një qira i shkon agjensionit të patundshmërisë Ylli që është ndërmjetësues i kontratës së qiradhënies”, ka shkruar Haradinaj në sqarimin në fund të deklarimit.

Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë të fundit ka thënë se ka shtuar ritmin e punës karahasur me pararendësit e tij.

“Tash me thanë të drejtën, mua më vjen keq se ka shumë kërkesa prej njerëzve që kanë derte, kanë halle. E meritojnë me i taku aq sa mbërrij me i taku. Unë i kam përdorë këto orët shtesë si ditëve të shtune, apo ditëve të tjera që punojmë deri vonë. Nuk parashihet në punën e qeverisë që t’i trajtojë të gjitha këto, është e pamundshme, por janë akumuluar shumë probleme të mbetura prej kohësh, si dhe janë edhe palë institucionale të cilat vijnë pasi po e shohin se po merremi me tema”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se po përpiqet t’iu japë zgjidhje problemeve të ndryshme në vend.

“Ka njerëz që jam koritur me ta, pasi nuk kam arritur t’i takojë, por jam i nderuar për aq sa kam mundur t’u dëgjoj hallet dhe t’ju ndihmoj sadopak”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka folë edhe rreth problemeve në shëndetësi.

“Ne të gjithë kemi hequr shumë në këtë vend dhe po heqim shumë. Psh. shëndetësia nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve tanë, dhe është shumë keq që është kjo gjendje, por ne duhet ta ndërrojmë këtë gjendje në shëndetësi dhe s’ka arsye mos të ndërrojë. Nëse ne s’po mund ta integrojmë veriun, ose ta bëjmë Listën Serbe për të na votuar, atëherë ne mundemi të ndryshojmë shëndetësinë”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se të gjithë ata që kanë nevojë janë të mirëseardhur në zyrën e tij.

“Ju kam thënë edhe sipërmarrësve të gjithë jeni të mirëseardhur, të vegjël, të mëdhenj, të mesëm, studentëve dhe grupeve të tjera. Po punoj ashtu, unë nuk e mendoj këtë, unë ha bukë në kerr, shumicën e rasteve duke shkuar në tema të caktuara. Ha bukë në këmbë, rrallë më ndodh të ulem të ha ushqim të nxehtë. Rrallë shumë rrallë, ashtu… I kam thënë një ditë shoferit tim se askush nuk e beson se ky është privilegji të jesh kryeministër, duke hëngër aty diçka të ftohtë që kish mbetur ashtu. Por, nuk ankohem për këtë. Është nder nëse të jepet mundësia të bësh diçka në vendin tënd. Shpresoj se po e bëjmë bashkë”, ka thënë Haradinaj./Insajderi