KEDS fyen nismëtarët e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës

Ekonomia December 18, 2017 - 16:39

KEDS-i përmes një njoftimi për media, ka thënë se ka një sqarim rreth iniciativës “Protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike” të paralajmëruar për ditën e mërkurë më datë 20 dhjetor.

Në njoftimin e publikuar thuhet se KEDS-i nuk ka autoritet për përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike, prandaj protesta e paralajmëruar është në adresë të gabuar.

“KEDS nuk ka autoritet për përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike – protesta në adresë të gabuar. KEDS, si kompani që u nënshtrohet ligjeve të Republikës së Kosovës, ka për detyrim të zbatojë politikat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe nuk ka asnjë ndikim ose autoritet në përcaktimin e çmimeve të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje thuhet se nga KEDS-i kurrë nuk është deklaruar se do të ketë ndonjë rritje të çmimit, pasi që as lirimi as ngritja nuk vendoset nga KEDS, prandaj protesta e shpallur është në adresë të gabuar.

“Nga KEDS kurrë nuk është deklaruar se do të ketë ndonjë rritje të çmimit, pasi që as lirimi as ngritja nuk vendoset nga KEDS, prandaj protesta e shpallur është në adresë të gabuar. Ne e kemi bërë këtë të qartë në çdo deklaratë kur na është kërkuar. Jemi të habitur që njerëzit që po thirrin për protestë ende e drejtojnë këtë protestë gabimisht ndaj nesh, duke vënë kështu në pikëpyetje motivin e vërtetë të saj.
Dëshirojmë ta informojmë publikun se KEDS është vetëm një nga akterët e zinxhirit të energjisë në Kosovë, me detyrimin dhe përgjegjësinë e qartë për shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS-it. /Insajderi/