Prodhimi në 'Trepçë' bie për 30%

Ekonomia December 15, 2017 - 08:18

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka ripërsëritur se Qeveria e Kosovës është vonuar për ta formuar bordin mbikëqyrës, pa të cilin Ligji për “Trepçën” nuk mund të jetësohet, ndërsa pas mbylljes së konkursit mund të shkojë edhe një muaj për t’u zgjedhur bordi mbikëqyrës. Për pasojë, rënia e prodhimit  në “Trepçë” në 6 muajt e parë të këtij viti ka rënë për 30 për qind, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Gjendja në “Trepçë” edhe një vit pas miratimit të Ligjit për “Trepçën” në Kuvendin e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë e njëjtë, as me AKP-në e as me Qeverinë e Kosovës, e cila ka 80 për qind të aksioneve të saj.

Statuti i “Trepçës” dhe aktet e tjera nuk janë hartuar ende, pasi që Qeveria e Kosovës nuk ka formuar bordin mbikëqyrës, pa të cilin ndërmarrja nuk mund të regjistrohet si shoqëri aksionare sipas ligjit, sepse Statuti i “Trepçës” SHA propozohet nga bordi mbikëqyrës, ndërsa miratohet nga aksionarët pas aprovimit në Kuvendin e Kosovës.

LEXO EDHE: Deputetët përplasen për 'Kosovën e Re'

“Trepça” formalisht menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, ndonëse nëpërmjet Ligjit për “Trepçën”, të miratuar në tetorin e vitit të kaluar, tri asetet themelore të saj kanë marrë statusin e shoqërisë aksione, shkruan tutje "Zëri".

Ligji për “Trepçën” e bën Qeverinë e Kosovës aksionarin kryesor me 80 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër u takon punëtorëve.

“Struktura organizative, kapitali themeltar, menaxhimi dhe çështjet e tjera organizative specifike të ‘Trepçës’ SHA përcaktohen në statutin e shoqërisë aksionare sipas ligjit. Statuti i ‘Trepçës’ SHA propozohet nga bordi mbikëqyrës, miratohet nga aksionarët pas aprovimit të Kuvendit të Kosovës”, thuhet mes të tjerash në Ligjin për “Trepçën”.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka ripërsëritur se gjendja është gjithnjë e më e vështirë, pasi që ligji nuk po zbatohet, ndonëse ka kaluar mbi një vit nga miratimi i tij në Kuvendin e Kosovës.

Por, konkursi i shpallur për bordin mbikëqyrës të “Trepçës” është mbyllur dhe njëkohësisht është formuar një komision, i cili do t’i vlerësojë kandidatët që kanë konkurruar për këtë bord. Vlerësohet se procedurat e shqyrtimit deri të zgjedhja e anëtarëve të bordit do të marrë kohë rreth një muaj, gjë që në “Trepçë” vlerësohet e patolerueshme, pasi që bordi ka mundur të zgjidhet shumë më herët.

“Kemi mbetur as me AKP-në e as me Qeverinë. Kjo e fundit ka neglizhuar shumë për t’i formuar bordet, të cilat do ta zbatonin ligjin. Posaçërisht është i rëndësishëm bordi mbikëqyrës, i cili u hap rrugë zhvillimet të tjera pozitive, siç është regjistrimi i ndërmarrjes dhe hartimi i akteve të tjera, por i rëndësishëm gjithashtu është edhe bordi menaxhues. Ne vazhdimisht kontaktojmë me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe vazhdimisht kërkojmë që të nguten për t’i formuar bordet, sepse kështu siç jemi nuk po mund të lëvizim asgjë”, ka thënë Tmava.

Sipas tij, në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se është mbyllur konkursi dhe është formuar një komision, që do t’i shqyrtojë dhe do t’i vlerësojë kandidatët.

“Pa u zgjedhur bordi i ri nuk mund të fillojnë procedurat për t’u regjistruar ‘Trepça’ si ndërmarrje publike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Të gjitha procedurat, si vlerësimi i kandidatëve dhe deri te votimi në Kuvend, mund të marrin kohë prej tani një muaj. Qysh në fillim të mandatit të qeverisë ‘Haradinaj’, njëri prej problemeve kyçe që ka kërkuar zgjidhje të shpejtë ka qenë edhe funksionalizimi i ‘Trepçës’ në bazë të ligjit të miratuar. Qeveria ka shpallur konkursin për formimin e bordit të ‘Trepçës’. Afati për konkurrim është mbyllur dhe tani është formuar Komisioni për Vlerësimin e Kandidatëve, që pastaj të procedohet më tutje”, ka thënë këshilltari për çështje ekonomike i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Haki Shatri, duke folur për mediet në Prishtinë.

E në anën tjetër drejtori aktual i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë e obliguar që t’i përfundojë procedurat e zgjedhjes së bordit mbikëqyrës brenda 6 muajve pas miratimit të Ligjit për “Trepçën” në Kuvendin e Kosovës.

“Moszbatimi i Ligjit për ‘Trepçën’ e ka sjellë ndërmarrjen në gjendje të vështirë, sepse nuk mund të zbatohen politikat zhvillimore. Kemi edhe rënie të prodhimit për shkak se nuk mund të ndërmerret asgjë për ta përmirësuar gjendjen me teknologjinë dhe për t’i përmirësuar kushtet e punës pa i formuar bordet. Bordet zbatojnë ligjin dhe pastaj gjithçka shkon drejt përmirësimit të situatës dhe zgjidhjes së problemeve”, ka thënë Tmava. 

Ndryshe, në “Trepçë” thonë se për 9 muajt e parë të këtij viti prodhimi ka rënë për 30 për qind dhe është tregues se Qeveria e Kosovës duhet të veprojë shpejt.

Drejtori Tmava vazhdon të thotë se “Trepça” përballet me problemin e funksionimit si ndërmarrje.

“Aktualisht gjiganti ekonomik kosovar ndodhet në fazën vetëm sa për të mbijetuar. Ka probleme të mëdha të funksionimit, por shpresojmë te kjo Qeveri, e cila që nga fillimi është interesuar për t’i lëvizur gjërat. Kryeministri Haradinaj ka ndërmarrë masa që në fillim, ka angazhuar tre ministra të ministrive që të veprojnë shpejt, secili në fushën e vet, në mënyrë që ‘Trepça” të fillojë të funksionojë sipas ligjit, por çdo vonesë mund të jetë e dëmshme për ndërmarrjen”, tha mes të tjerash drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava.