Rregullatori politik

Ekonomia December 12, 2017 - 07:59


Në bordet e ndërmarrjeve publike, por edhe të institucioneve të pavarura në vend po emërohet njerëz të politikës, pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të drejtueseve të institucioneve kryesore në vend se në krye të këtyre bordeve duhet të emërohen njerëz profesionistë pa libreza partiake, shkruan sot gazeta Zeri.

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, është futur në listën e ngushtë për anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE). Para se të vijë në këtë mandat Ismajli për një kohë po ashtu ka ushtruar pozitën e kryeshefi të KOSST-it. Ismajli në kohën sa ishte ministër i MZHE-së ka qenë anëtar i Aleancës Kosova e Re, e Behgjet Pacollit, por pas largimit nga kjo pozitë Ismajli ka dhënë dorëheqje nga partia.

Po ashtu në listën prej gjashtë personash është futur edhe Bekim Jakupi, i cili aktualisht është kryesues i Bordit në ngrohtoren “Termokos”, në Prishtinë. Në këtë pozitë Jakupi ishte deleguar nga Partia Demokratike e Kosovës.  
Në listë të ngushtë për këtë pozitë po ashtu është futur edhe Skënder Buja, i cili për momentin është duke punuar në KEDS.

Në këtë listë është futur edhe nënkryetari i Degës së AAK-së në Ferizaj, Izet Rushiti. Më 13 qershor të këtij viti gazeta “Isnajderi” ka raportuar se Rushiti në nëntor të vitit 2016 ishte vendosur në krye të ndërmarrjes publike “Ambienti” në këtë Komunë, ani pse ai në të njëjtën kohë ka qenë edhe Asamblist Komunal. Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se Izet Rushiti ndodhej në konflikt interesi dhe se duhej të hiqte dorë nga njëra pozitë. 

“Pas informatës së marrë nga raportuesi i rastit, Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar hetime administrative për gjendje të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. 

Prandaj, zyrtari i lartë fillimisht është njoftuar me një shkresë zyrtare nga Agjencia Kundër Korrupsionit, pas së cilës është organizuar një takim me zyrtarin e lartë”, ka njoftuar AKK-ja. 

Sipas AKK-së, Rushiti ka dhënë dorëheqje nga posti i anëtarit të Asamblesë në Komunën e Ferizajt.

Po ashtu në këtë listë është futur edhe Selman Hoti, i cili kohë më parë ka qenë zyrtar i lartë në Korporatën Energjetike të Kosovës, e më pas KEDS.

Në listën e cila do t’i dërgohet Qeverisë për miratim është futur edhe Naim Sahiti, i cili po ashtu ka qenë zyrtar i lartë i KEDS-it.

Tre nga gjashtë personat e propozuar nga Komisioni do të emërohen si anëtarë Bordi të ZRRE-së derisa kryesues të Bordit është propozuar Krenar Bujupi, i cili ende ka mandat.

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile në vend thonë se politizimi i bordeve po i shkatërron edhe më shumë ndërmarrjet në Kosovë. 

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, thotë se në borde të ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të pavarura në vend përpos që po dërgohen njerëz të politikës në të shumtën e rasteve ata janë njerëz joprofesionistë, që më pastaj nuk po kanë performancë në ndërmarrjet të cilat ata i menaxhojnë. 

“Avazi i vjetër po vazhdon, pasi politika nuk heq lehtë dorë nga ndërmarrjet publike, por edhe nga institucionet e pavarura në vend”, ka thënë Demhasaj për gazetën “Zëri”.