Kreditë e këqija bien në 87 milionë euro

Ekonomia December 09, 2017 - 08:27

 

Niveli i kredive të këqija (joperformuese) në bankat komerciale që operojnë në vendin tonë ka rënë në 87 milionë euro apo në 3,6 për qind të nivelit të kredive të përgjithshme të lëshuara nga bankat. Në raport me vendet në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e Eurozonës Kosova ka nivelin më të ulët të kredive të tilla

Niveli i kredive të këqija (jopërformuese) në vendin tonë ka rënë në 87 milionë euro, niveli ky më i ulët në raport me vendet në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e Eurozonës.

Në raportin tremujor të stabilitetit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se niveli i kredive të këqija në Kosovë ka rënë në 3,6 për qind të nivelit të përgjithshëm të kredive të lëshuara nga bankat komerciale në vend.

Duke u bazuar në të dhënat e BQK-së shihet se në fund të muajit shtator shuma e kredive në vend ka arritur në 2 miliardë e 430 milionë euro e nëse e bëjmë një kalkulim të thjeshtë del sa shuma e kredive të tilla në Kosovë ka rënë në 87 milionë euro, shifër kjo më e ulëta e shënuar deri më tash. “Sektori bankar regjistroi rënie të kredive joperformuese dhe përmirësim të mbulueshmërisë së tyre me provizione. Niveli i kredive joperformuese deri në shtator 2017 shënoi rënie në 3,6 për qind, një shkallë e ulët krahasuar me vendet në Ballkanin Perëndimor dhe vendet në Eurozonë (figura 33). Për më tepër, niveli i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione u përmirësua edhe më tej duke arritur në 139,9 për qind kryesisht si pasojë e rënies së theksuar të vlerës së kredive joperformuese në periudhën raportuese, përderisa provizionet përkundër rënies së kredive joperformuese nuk u zvogëluan në atë masë të theksuar”, thuhet në raportin e BQK-së.

Aty më tutje thuhet se deri në shtator 2017 sektori bankar shënoi rritje të theksuar të profitit si rezultat i rritjes së të hyrave dhe zvogëlimit të shpenzimeve. “Niveli i kredive joperformuese është mjaft i ulët krahas mbulueshmërisë së lartë të tyre me provizione. Po ashtu, sektori bankar vijon të ketë nivel të lartë të kapitalizimit dhe pozitë të kënaqshme të nivelit të likuiditetit”, thuhet më tutje në raport.

 Fondet pensionale arrijnë në 1.58 miliard euro

Sektori pensional vazhdon të ketë një pjesëmarrje të lartë prej 27,5 për qind në gjithsej asetet e sistemit financiar. Deri në shtator të 2017-s asetet e sektorit pensional u zgjeruan për 14,3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në shtator të 2017-s vlera e gjithsej aseteve të sektorit pensional arriti në 1.58 miliard euro, që kryesisht është reflektimi i rritjes së kontributeve të reja dhe kthimit në investime gjatë vitit aktual.

“Vlera e arkëtimeve të reja deri në shtator të vitit 2017 arriti në 117.9 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 113.6 milionë euro deri në shtator të vitit 2016. Vlera e arkëtimeve të reja të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) deri në shtator të 2017-s arriti vlerën në 117.6 milionë euro, kurse ajo e Fondit Slloveno-Kosovar të Pensioneve (FSKP-së) në 365.4 mijë euro. Sektori pensional arriti vlerë rekorde të kthimit nga investimet në këtë periudhë që nga fillimi i operimit në vend. Deri në shtator të 2017-s fondet realizuan kthim në investime prej 66.8 milionë eurosh, për dallim nga kthimi prej 56.2 milionë eurosh në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Në këtë periudhë FKPK-ja realizoi kthim pozitiv në investime prej 66.4 milionë eurosh, ndërsa FSKP-ja prej 349.4 mijë eurosh”, thuhet në raportin e BQK-së.

Aty më tutje thuhet se përmirësimi i ndjeshëm i tregueseve kryesorë ekonomikë në SHBA, në Evropë dhe në Azi stimuluan rriten e fitimeve për tregun global të aksioneve, gjë e cila u reflektua edhe në investimet e jashtme të fondit.

“FKPK-ja, që përbën 99, 5 për qind të aseteve të sektorit pensional, vazhdon të ketë të investuara pjesën më të madhe të mjeteve jashtë vendit. Investimet e FKPK-së jashtë vendit arritën vlerën prej 1.44 miliardë eurosh (1.22 miliard euro në shtator të 2016-s). Kurse investimet në sektorin e brendshëm shënuan rënie si rezultat i zvogëlimit.

Të vetmet kategori që shënuan rritje në kuadër të sektorit të brendshëm ishin investimet në sektorin bankar - certifikatat e depozitat dhe paraja e gatshme e mbajtur në trezor. Sektori pensional po vazhdon të karakterizohet me rritje të theksuar të aseteve, rezultat i kontributeve të reja dhe kthimit pozitiv në investime. Mbi 90 për qind e mjeteve vazhdojnë të jenë të investuara në sektorin e jashtëm (fonde investuese), përderisa mjetet e mbajtura në vend kryesisht janë të investuara në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës dhe në bankat komerciale – certifikata të depozitat”, thuhet më tutje në raport.

 Çmimet ngrihen për 1,7%

Deri në shtator te 2017-s niveli i çmimeve në Kosovë është karakterizuar me rritje. Indeksi i çmimeve të konsumit shënoi rritje mesatare prej 1.7 për qind. Sa i përket komponentëve të IÇK-së, me rritje u karakterizuan çmimet e rrymës, të gazit dhe të lëndëve tjera djegëse (7, 0 për,qind), transportit (3,5 për qind), duke u pasuar nga çmimet e pijeve alkoolike dhe të duhanit (3,4 për qind), të veshmbathjes (1,3 për qind). Me rritje prej 1,1 për qind u karakterizuan edhe çmimet e ushqimit që përfaqësojnë rreth 33, 9 për qind të shportës së konsumatorit kosovar.

Në anën tjetër, rënie e çmimeve është shënuar tek rekreacioni dhe kultura (1,4 për qind), si dhe mjetet e komunikimit (0,9 për qind). Indeksi i çmimeve të importit në TM2 2017 shënoi rritje prej 4,1 për qind. “Çmimet e produkteve bimore, të produkteve minerale dhe metaleve bazë, të cilat janë kategoritë kryesore të indeksit të çmimeve të importit, shënuan rritjen më të lartë (14,5 përkatësisht 10,0 për qind), ndërsa çmimet e letrës dhe artikujt e saj shënuan rënien më të lartë të çmimeve (4,8 për qind). Indeksi i çmimeve të prodhimit u karakterizua me rënie prej 0,5 për qind. Në këtë periudhë me rritje të çmimeve u karakterizuan nxjerrja e xehes së metalit, energjia elektrike, prodhimi i mobileve, etj. Ndërsa, me rënie të çmimeve u karakterizuan kryesisht prodhimi i metaleve, prodhimi i drurit, prodhimi i lëkurës, etj”, thuhet në raport.

  7.302 biznese regjistrohen për 9 muaj

Në raportin tremujor të ekonomisë së Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se deri

në shtator të 2017-s është shënuar numër më i vogël i ndërmarrjeve të regjistruara dhe numër më i vogël i ndërmarrjeve të mbyllura. Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ishte 7.302 apo 871 ndërmarrje më pak sesa në periudhën e njëjtët të vitit 2016, ndërsa u mbyllën 1.191 ndërmarrje apo 666 ndërmarrje më pak. “Numri më i madh i ndërmarrjeve të reja të regjistruara vazhdon të jetë i koncentruar në sektorin e tregtisë me 1.951 ndërmarrje të reja, duke u pasuar nga sektori i hotelerisë me 747 ndërmarrje, sektori i prodhimit me 724 ndërmarrje, etj. Duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016 në shumicën e sektorëve është shënuar numër më i vogël i ndërmarrjeve të regjistruara. Në sektorin e prodhimit është shënuar rënia më e madhe e ndërmarrjeve të reja të regjistruara prej 211 ndërmarrje më pak, i pasuar nga sektori i tregtisë që u karakterizua me 200 ndërmarrje më pak të regjistruara. Sektorët kryesorë që shënuan numër më të madh të ndërmarrjeve të regjistruara ishin sektori i aktiviteteve profesionale dhe sektori i ndërtimtarisë”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Në raportin tremujor të ekonomisë së Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se deri në shtator të 2017-s është shënuar numër më i vogël i ndërmarrjeve të regjistruara dhe numër më i vogël i ndërmarrjeve të mbyllura. Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ishte 7.302 apo 871 ndërmarrje më pak sesa në periudhën e njëjtët të vitit 2016, ndërsa u mbyllën 1.191 ndërmarrje apo 666 ndërmarrje më pak.

“Numri më i madh i ndërmarrjeve të reja të regjistruara vazhdon të jetë i koncentruar në sektorin e tregtisë me 1.951 ndërmarrje të reja, i pasuar nga sektori i hotelerisë me 747 ndërmarrje, sektori i prodhimit me 724 ndërmarrje, etj. Duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016 në shumicën e sektorëve është shënuar numër më i vogël i ndërmarrjeve të regjistruara. Në sektorin e prodhimit është shënuar rënia më e madhe e ndërmarrjeve të reja të regjistruara prej 211 ndërmarrjeve më pak, i pasuar nga sektori i tregtisë që u karakterizua me 200 ndërmarrje më pak të regjistruara”, thuhet në raportin e BQK-së.