Gjuriq: I kemi tapitë se “Trepça” është e jona

Ekonomia December 08, 2017 - 08:14

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në shënim të 90-vjetorit të punës së “Trepçës” ka lexuar një letër të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili ka porositur punëtorët “se kombinati jo vetëm që është subjekt ekonomik, por është pjesë e trashëgimisë familjare e nacionale, pjesë e traditës serbe”

Kajtaz Gecaj / Mitrovicë

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u është drejtuar me një letër punëtorëve të kombinatit “Trepça” në veri në shënim të 90-vjetorit të punës së gjigantit ekonomik kosovar, me të cilën i ka siguruar ata se “Trepça” gjithmonë do të jetë e tyre.

Manifestimi është mbajtur në Zveçan dhe në të ka marrë pjesë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Gjuriq ka lexuar një letër të presidentit serb, i cili ka porositur punëtorët e kombinatit se derisa është Serbia askush nuk do t’ua rrëmbejë “Trepçën”. “Kombinati ‘Trepça’ jo vetëm që është subjekt ekonomik, por është pjesë e trashëgimisë familjare e nacionale, pjesë e traditës serbe. Kur një ndërmarrje kultivon dhe ndërtohet 90 vjet, sikurse që është rasti me ‘Trepçën’, ajo është pjesë e trashëgimisë familjare dhe nacionale. ‘Trepça’ është dëshmi e ngjarjeve të mëdha historike, e ndryshmeve të rendit shoqëror dhe e sistemeve politike, por ajo u ka rezistuar të gjitha sprovave. Derisa është Serbia ‘Trepçën’ nuk mund t’ua rrëmbejë askush. Për këtë arsye ‘Trepça’ është më shumë se një kompleks minerar, ajo është garanci e së ardhmes dhe e progresit dhe ajo do të jetë edhe e fëmijëve tuaj, që ka qenë edhe e jona, e prindërve tanë dhe e gjyshërve tuaj”, ka thënë Vuçiq në letrën e tij dërguar punëtorëve të “Trepçës”.

Ndërkaq drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se “Trepça” ka qenë më e fortë sesa krizat ekonomike, jostabiliteti politik dhe erërat e luftës.  “E kemi mbrojtur ‘Trepçën’ ashtu siç serbi mbron shtëpinë e vet, pa u zmbrapsur dhe pa u menduar kurrë për t’u dorëzuar. Në këtë luftë armët kanë qenë politike dhe argumentet juridike e ekonomike. Fuqia jonë ka qenë bashkimi dhe uniteti. Kemi arritur ta ndalim përpjekjen që të na e rrëmbejnë atë që është pa asnjë dilemë e jona për shkak se kemi vepruar të bashkuar, sikurse ushtria, duke luftuar për atë pa të cilën nuk ka mbijetesë, e ajo është ‘Trepça’, ka thënë Gjuriq, i cili ka shtuar se të gjitha tapitë serbe në Kosovë maten me dekada të tëra. “Kështu është edhe në rastin e ‘Trepçës’ dhe në 100-vjetorin e punës, pas 10 vjetëve, presim që të frymojmë lirshëm”, ka përfunduar Gjuriq.

Në anën tjetër drejtori i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, tha se qëllimi i menaxhmentit të kombinatit ka qenë që t’i ruajë resurset njerëzore dhe teknologjike. Sipas tij, Kosova është e pasur me minerale dhe për këtë arsye, siç ka thënë ai, “shumëkujt i ka rënë në sy”.

“Trepça’ është dhe ka mbetur promotori kryesor i zhvillimit të Kosovës nëpër të gjitha periudhat e zhvillimit. Xehet e ‘Trepçës’ janë të njohura në gjithë botën”, tha mes të tjerash Dimkiq.

Letër urimi punëtorëve të “Trepçës” në veri u kanë dërguar edhe tenisti i njohur Novak Gjokoviq, pastaj peshkopët Irinej e Teodosije, si dhe familja mbretërore Karagjorgjeviq.