Luksi institucional, vitin tjetër 7 milionë euro për vetura të reja

Ekonomia December 08, 2017 - 08:02

Gjatë vitit 2018 institucionet qendrore në vend kanë paraparë t’i shpenzojnë më shumë se 7 milionë euro për blerjen e veturave të reja. Në projektbuxhetin e vitit 2018 shihet se për këtë qëllim vetëm FSK-ja e Policia e Kosovës do t’i shpenzojnë më shumë se 5.1 milionë euro

Më shumë se 7 milionë euro para të buxhetit të shtetit gjatë vitit 2018 po planifikohen të shpenzohen vetëm për blerje të automjeteve të reja për institucionet qendrore, pa i llogaritur këtu edhe komunat e Kosovës.

Po ashtu përmes një tenderi publik para pak ditësh Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), institucion ky i cili zhvillon prokurime në emër të institucioneve që marrin para nga buxheti Kosovës, ka nënshkruar kontratat me operatorët ekonomikë për marrje me qira të qindra veturave e ku vlera e kontratës është 7.2 milionë euro. E një tender tjetër i njëjtë si ky aktualisht është duke u proceduar nga AQP-ja.

Në projektbuxhetin e vitit 2018, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni që do të shpenzojë më së shumti mjete për automjete të reja gjatë vitit 2018, por edhe gjatë dy vjetëve në vijim. Për automjete jotaktike në vitin 2018 janë paraparë 100 mijë euro e derisa për automjete taktike vetëm gjatë vitit 2018 janë paraparë që të shpenzohen 3.2 milionë euro. Po ashtu edhe 900 mijë euro të tjera janë paraparë të shpenzohen në vitin 2019, derisa në vitin 2020 për këtë qëllim do të shpenzohen edhe 1.6 milion euro të tjera.

  Policia, 1.8 milion euro për vetura

 Policia e Kosovës gjatë vitit që vjen për furnizim me automjete të reja ka paraparë një buxhet prej 1.8 milion eurosh, për vitin 2019 ka paraparë që t’i shpenzojë për këtë qëllim 1 milion e 650 mijë euro, derisa në vitin 2020 për blerjen e veturave të reja Policia e Kosovës ka paraparë që t’i shpenzojë në total hiç më pak se 5.3 milionë euro.

Në projektbuxhetin e vitit 2018, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, shihet se për vitin 2018 Kuvendi i Kosovës për furnizim me vetura të reja ka planifikuar t’i shpenzojë 130 mijë euro, po aq ka planifikuar t’i shpenzojë për këtë qëllim edhe gjatë vitit 2019 dhe gjatë vitit 2020.

Po ashtu gjatë vitit që vjen në bazë të projektbuxhetit shihet se edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka planifikuar t’i shpenzojë 30 mijë euro për vetura të reja. Po ashtu 150 mijë euro gjatë vitit që vjen për vetura të terrenit ka paraparë që t’i shpenzoj edhe Agjencia  Pyjore e Kosovës, derisa në dy vjetët në vijimin për këtë qëllim nuk ka  paraparë që ta shpenzoj asnjë euro.

Po ashtu gjatë vitit 2018 edhe Ministra e Infrastrukturës për blerjen e një veture 4x4 ka paraparë që t’i shpenzojë 60 mijë euro.

Gjashtëdhjetëmijë euro për blerje të automjeteve për vitin që vjen po ashtu i ka paraparë që t’i shpenzojë edhe Ministria e Shëndetësisë.

Një shumë të konsiderueshme të mjeteve, prej 310 mijë eurosh, në vitin që vjen për furnizim me automjete të reja ka paraparë që t’i shpenzojë edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Gjithnjë duke u bazuar në projektbuxhetin, i cili deri më tash nuk ka arritur të miratohet as në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, shihet se gjatë vitit që vjen për furnizim me vetura të reja Ministria e Punëve të Brendshme ka paraparë që t’i shpenzojë hiç më pak se 250 mijë euro. Po ashtu një shumë të konsiderueshme të mjeteve prej 136 mijë eurosh për këtë qëllim ka paraparë që t’i shpenzojë edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

 Ministria e re, 150 mijë euro për automjete

Një shumë e konsiderueshme e mjeteve, prej hiç më pak se 150 mijë euro, gjatë vitit që vjen prapë ka paraparë që t’i shpenzojë edhe Ministria e Inovacionit, e cila është formuar tash e që drejtohet nga Besim Beqaj. Po ashtu, sipas projektbuxhetit të vitit 2018, gjatë vitit që vjen 100 mijë euro për këtë qëllim do t’i shpenzojë Universiteti i Prishtinës, derisa për këtë qëllim Zyra e Avokatit të Popullit do t’i shpenzojë 66 mijë euro e derisa Komisioni i Pavarur i Mediave ka planifikuar që gjatë vitit 2018 t’i shpenzojë 60 mijë euro, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës 30.000 euro, si dhe Zyra Kombëtare e Auditimit 25.000 euro.

 

13.1 milionë euro për blerje të ambasadave

 

Në projektbuxhetin e vitit që vjen shihet se një shumë e madhe e mjeteve, prej hiç më pak se 4.5 milionë euro, janë paraparë për blerjen e ambasadave nëpër shtete të ndryshme të botës. Po ashtu me projektbuxhetin për vitin 2019 për këtë qëllim janë paraparë edhe 4.1 milionë euro të tjera, derisa në vitin 2020 për blerje të ambasadave janë paraparë edhe 4 milionë euro, duke arritur në total në 13 milionë euro. Po ashtu me projektbuxhetit për vitin 2019 dhe 2020 janë paraparë edhe 1 milion euro të tjera buxhet për blerjen e objektit të Ambasadës në Uashington.

1 milion euro shpenzime konfidenciale

Duke u bazuar në projektbuxhetin e vitit 2018, shihet se gjatë vitit që vjen e të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, Polica e Kosovës për shpenzime konfidenciale ka paraparë 1 milion euro. Po ashtu për autoblinda, topa uji, limuzina të blinduara dhe automjete speciale të tjera ka paraparë një buxhet prej 920 mijë eurosh, për hetuesi 200 mijë euro, për pajisje të teknologjisë informative 550.700 euro, për pajisje policore 2.600.000 euro, për pajisje te avancuara për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit shtetëror 200 mijë euro, si dhe për pajisje të specializuara për Policinë Kufitare 300 mijë euro.

  5 milionë euro për projektin “Blinaja”

Në bazë të projektbuxhetit të vitit 2018, shihet se Qeveria për ndërtimin e rezidencës në Blinajë të Lipjanit ka planifikuar t’i shpenzojë 1 milion euro, derisa gjatë dy vjetëve në vijim për këtë qëllim ata kanë paraparë që t’i shpenzojnë edhe 4 milionë euro, duke arritur në 5 milionë euro. Po ashtu me projektbuxhet janë paraparë që të shpenzohen edhe 2.5 milionë euro për ndërtimin e ndërtesës për Zyrës e Presidentit, ku gjatë vitit që vjen për këtë qëllim janë paraparë të ndahen 500 mijë euro, derisa në dy vjetët në vijim janë paraparë që të shpenzohen edhe 2 milionë euro të tjera.

7.4 milionë për ndërtim të shtëpive

Duke u bazuar në projektbuxhetin e vitit 2018, shihet se gjatë vitit që vjen Ministria për Komunitete dhe Kthim për ndërtim të shtëpive për të kthyerit ka paraparë që t’i shpenzojë hiç më pak se 2.4 milionë euro.

Po ashtu me projektbuxhetin edhe për vitin 2019 për këtë qëllim janë paraparë që të shpenzohen 2.5 milionë euro, po kaq është planifikuar të shpenzohen edhe gjatë vitit 2020.

 

Forca e Sigurisë së Kosovës                            3.300.000 €

Policia e Kosovës                                            1.802.060 €

Ambasada                                                       400.000 €

Ministria e Mjedisit                                         310.000 €

Ministra e Punëve të Brendshme                    250.000  €

Agjencia Pyjore e Kosovës                             150.000 €

Ministria e Inovacionit                                    150.000 €

Inspektorati Policor i Kosovës                        136.000 €

Kuvendi i Kosovës                                         130.000 €

Universiteti i Prishtinës                                   100.000 €

Avokati i Popullit                                            66.000 €

Ministra e Infrastrukturës                               60.000 €

Komisioni i Pavarur i Mediave                       60.000 €

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës                30.000 €

Zyra Kombëtare e Auditimit                          25.000 €