Pas dy javë ndërprerjeje vazhdon prodhimi në 'Ferronikel'

Ekonomia December 06, 2017 - 08:41

Menaxhmenti i “Ferronikelit” me gjithë insistimin e “Zërit” nuk është deklaruar rreth ndërprerjes dyjavore të prodhimit, i cili ka ardhur, siç është thënë “për shkak se një pjesë e pajisjeve kanë shkuar në remont për t’u përgatitur për stinorin e dimrit”. Nika: Asnjëherë s’i kemi pasur punët më mirë.

Ndërprerja e prodhimit përreth dy javë në gjigantin e dytë më të madh ekonomik kosovar pas “Trepçës” kishte sjellë dyshime se sërish diçka nuk është në rregull me “Ferronikelin” dhe funksionimin e tij, sikurse që ishte rasti para gati dy vjetësh kur “Ferronikeli” kishte ndërprerë prodhimin për shkak të problemeve me çmimin e energjisë elektrike dhe kur rreth 800 punëtorë ishin dërguar në pushim me 70 për qind të pagës, shkruan Zeri.

Për më tepër frika ishte shtuar pas lajmit për mbylljen e “Feni Industries” në Kavadar të Maqedonisë, të cilën sikurse edhe “Ferronikelin” e ka në pronësi kompania “Cunico Resources”. “Feni Industries”, sipas informacioneve të “Cunico Resources”, është duke shkuar drejt likuidimit nën mbikëqyrjen e shtetit të Maqedonisë, për shkak të borxheve të mëdha që ka krijuar. Por në “Ferronikel” mbretëron krejtësisht gjendje normale.

As punëtorët e as menaxhmenti nuk kanë treguar ndonjë shqetësim, ndonëse te punëtorët ishte hetuar njëlloj pesimizmi.

“Zëri” është përpjekur të kontaktojë me menaxhmentin e “Ferronikelit”, por asnjëri nga ata nuk kanë pranuar të flasë publikisht për këtë çështje. Njëri prej tyre në kushte anonimiteti ka thënë se prodhimi në “Ferronikel” është duke shkuar pa asnjë problem dhe se nuk ka asgjë që bën të dyshojë se kjo fabrikë ta ketë fatin e simotrës së saj në Maqedoni. “Ka pasur vetëm njëlloj remont të disa pajisjeve që kemi konsideruar se janë të nevojshme dhe asgjë më shumë. Remonti i pajisjeve ka qenë i planifikuar, por kjo nuk ka ndikuar fare te punëtorët. Ata kanë punuar normalisht dhe pagat i kanë marrë me kohë”, ka thënë shkurt ai.

Njëjtë sikurse ai e thotë edhe Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”. Nika ka siguruar se në “Ferronikel” asnjëherë nuk kanë qenë punët më mirë sesa tani. “Gjithçka është në rregull, punët shkojnë mirë, prodhimi nuk është ndalur asnjëherë, me përjashtim të një periudhe prej dy javësh kur makinat kanë shkuar në remont dhe menjëherë ka vazhduar prodhimi. Procesi i kontrollimit të teknologjisë prodhuese ka qenë i planifikuar më herët, për shkak se duhet ato pajisje të përgatiten për stinorin e dimrit. Pagat punëtorët i marrin me kohë, madje ka raste kur i marrim edhe më përpara”, ka thënë kryetari i SP-së së “Ferronikelit”, Fehmi Nika.

Ai ka shtuar se aktualisht në “Ferronikel” janë të punësuar mbi 800 punëtorë, plus kontraktuesit,  ndërsa ka përsëritur se prodhimi është ndalur vetëm rreth dy javë, për shkak të remontit të disa pajisjeve. 

Prodhimi i xehes në “Ferronikel” dërgohet në Maqedoni, pasi që fabrika e atjeshme “Feni” është pronë e së njëjtës kompani që ka në pronësi edhe “Ferronikelin”. Përveç xehes që eksploatohet në rajonin e Çikatovës së Vjetër në Drenas, “Feronikeli” ka edhe një minierë të nikelit në Magurë të Lipjanit.