Rritje të pagave nga 1 janari, parashihen 589 milionë për paga dhe mëditje

Ekonomia December 05, 2017 - 12:15

Në seancën ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2018, ministri i Financave Bedri Hamza, duke prezantuar para deputetëve këtë projektligj, ka njoftuar se do të ketë rritje të buxhetit në shumë sektorë, raporton “Zeri.info”.

Hamza me këtë rast, ka bërë të ditur se shpenzimet për paga do të kapin shifrën mbi 500 milionë euro.

Ai po ashtu, ka treguar se prej 1 janarit do të ketë rritje të pagave për gjithë sektorin publik në Kosovë.

“Janë paraparë 589 milionë euro për paga dhe mëditje. Ky buxhet parasheh rritje për gjithë sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm. Përmes buxhetit për transfere sociale do të mbështeten edhe viktimat e dhunës seksuale nga lufta. Shpenzimet për mallra dhe shërbime pritet të rriten krahasuar nga viti paraprak. Vlera e shpenzimeve arrin 264 milionë euro. Shpenzimet kapitale planifikohen të rriten për 37 për qind”, deklaroi Hamza në seancën e sotme, raporton “Zeri.info”.

Më tej, ai tha se në periudhën afatmesme rritja reale do të jetë prej 5 për qind.

Hamza më tej ka bërë të ditur se të hyrat në tërësi do të jenë 1 miliardë e 820 milionë euro, vlerë kjo që siç tha ai, është më e lartë për 6% se në vitin e kaluar.

Ndërkohë, ka thënë se të hyrat nga TVSH-ja pritet të jenë 446 milionë euro, kurse nga dogana pritet të jenë 1 miliard 75 milionë.

Hamza gjatë fjalës së tij, ka bërë të ditur se 50 milionë euro janë dedikuar për rritje shpenzimesh në nivel komunash, në arsim pritet të ketë rritje prej 6 milionë eurosh, në shëndetësi rritje prej 4 milionë eurosh, kurse në bujqësi mbështetja është rritur për 9 për qind.

Ministri i financave ka njoftuar gjithashtu se mbështetje do të ketë edhe në fushën e drejtësisë.

“Për funksionet e drejtësisë buxheti parasheh 246 milionë euro. 434 milionë euro për zhvillim ekonomik”, theksoi ai.