Ekonomia

6 milionë euro për furnizim me kompjuterë

6 milionë euro për furnizim me kompjuterë
04 dhjetor 2017 • 08 : 32 Foto: Laura Hasani
Enis Veliu

Agjencia Qendrore e Prokurimit ka shpallur tenderin 6-milionësh për “Furnizim me kompjuterë” për rreth 80 institucione qendrore e lokale të Republikës së Kosovës. Ofertat për këtë proces të prokurimit do të hapen gjatë kësaj jave, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Gjashtë milionë euro para të buxhetit të Kosovës do të shpenzohen në tre vjetët e ardhshme për furnizim me kompjuterë dhe pajisje tjera në tenderin e shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), institucion ky i cili zhvillon prokurime të përbashkëta për të gjitha institucionet të cilat marrin para nga buxheti i shtetit.

LEXO EDHE: Rruga e keqpërdorimeve

Në njoftimin për kontratë, i cili është shpallur ditë më parë, thuhet se rreth 80 institucione të vendit duke përfshirë këtu ministritë, agjencitë e pavarura, Policinë, etj., do të blejnë 3843 kompjuterë, shtëpiza së bashku me tastierë, maus, 1337 llaptopë me çantë, 2633, USB, 64GB, 32GB, 235 projektorë së bashku me perde, 644 hard-disk të jashtëm, 1221 ram-memorie, si dhe 860 hard-disk për kompjuterë.

LEXO EDHE: Ende nuk nis ndarja e drejtësisë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës

Në dosjen e tenderit të siguruar nga gazeta Zëri thuhet se të drejtë konkurrimi në këtë tender 6-milionësh kanë operatorët ekonomikë që duhet t’i ofrojnë dëshmi të kënaqshme Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP) se qarkullimi vjetor i operatorit ekonomik gjatë tre vjetëve të fundit (2014, 2015, 2016) ka qenë në vlerë së bashku në të tria vjetët prej jo më pak se 1 milion euro.

Po ashtu kompanitë duhet t’i kenë deklaratat tatimore vjetore të dorëzuara në Administratën Tatimore të Kosovës për tre vjetët e fundit (2014, 2015, 2016) dhe deklaratat mujore të TVSH-së për vitin 2017 në rast se nuk e plotëson gjatë tre vjetëve të cekura.

“Kjo nënkupton se qarkullimi i kërkuar është 3 vjet dhe 9 muaj sepse jemi në fund të vitit 2017. Operatori ekonomik që përmbush kërkesën e qarkullimit vetëm me një, dy apo tre vjet, do të thotë se OE-ja ka përmbushur kërkesën minimale të përcaktuar në dokumentet e tenderit, kusht i domosdoshëm dhe i detyrueshëm për t'u kualifikuar”, thuhet në dosje të tenderit.

Aty më tutje thuhet se operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses së paku 2 kontrata (me një vlerë prej më shumë se 150,000 eurosh, secila kontratë  apo një kontratë që tejkalon vlerën 300,000 euro.) të natyrës së njëjtë (Furnizim me Pajisje të TI-së) në 3 (tre ) vjetët e fundit dhe nëntë (9) muajt e vitit 2017.

“Ofertuesit duhet të dorëzojnë formularin e autorizimit të një prodhuesi (MAF) që deklaron se ata janë të autorizuar për të shitur, për të instaluar, për të mirëmbajtur dhe për të kryer shërbimet e pajisjeve për:  monitorë, shtëpizë, llaptopë dhe projektorë. OE-ja duhet të ofrojë katalogë për të gjithë artikujt, i cili do të përmbajë një përshkrim të detajuar të mallrave të ofruara të cilat duhet të jenë në përputhje me specifikimet teknike”, thuhet më tutje në dosjen e këtij tenderi.

 

© zëri.info