Ekonomia

Alarmon KOSTT, 8.5 milionë euro për furnizimin e Veriut me rrymë

Alarmon KOSTT, 8.5 milionë euro për furnizimin e Veriut me rrymë
01 dhjetor 2017 • 23 : 12

KOSTT-i thotë se udhëzimi i fundit i ZRRE-së për të hequr koston e furnizimit të veriut nga faturat e energjisë elektrike e rrezikon seriozisht qëndrueshmërinë e kësaj ndërmarrjeje. Në një kalkulim të kostos së mbulimit të humbjeve që derivojnë nga ky udhëzim i ZRrE-së, KOSTT-it thotë se vetëm deri në muajin prill (dhjetor – mars) kësaj ndërmarrjeje do t’i duhen 8.5 milionë euro. Kjo kosto është vetëm për katër muaj, pasi nëse praktika e njëjtë vazhdon për një vit, humbjet janë deri në 22 milionë euro.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se këto mjete do t’i duhen kësaj ndërmarrje për të mbuluar humbjet që i sjellë furnizimi i veriut me energji elektrike me çmimet e tregut deri në muajin prill.

KOSTT është obliguar nga ZRrE-ja për mbulimin e kostos së furnizimit të veriut me rrymë. Deri më tani mjetet për pagesën e energjisë elektrike të blerë nga KEK-ut dhe kompensimin e KEDS-it, KOSTT-i i ka siguruar përmes tarifave të energjisë elektrike, sepse ZRRE-ja e kishte lejuar që energjinë që shpenzohej në veri të paguhet nga gjithë konsumatorët e KESCO-s.

Por, pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për pezullimin e vendimit të bordit të ZRRE-së për faturimin e kostos së furnizimit të veriut të gjithë konsumatorëve të rregullt të KEDS-it, ZRrE-ja është obliguar që të ndalojë këtë praktikë.

“Kostot e furnizimit me energji elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës sipas aktvendimit të gjykatës nuk do të vazhdojnë të mbulohen përmes tarifave përfundimtare deri në vendosjen e çështjes meritore nga gjykata”, thuhet në shkresën që ZRRE-ja ua ka dërguar palëve të interesit, përfshirë edhe KOSTT-in. Tutje në këtë shkresë të ZRrE-së thuhet se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë mekanizima për mbulimin e kostos së furnizimit të veriut me rrymë.

KOSTT-it vazhdon t’i mbetet obligimi për mbulimin e kostos së furnizimit të veriut, mirëpo zvogëlimi i të hyrave të lejuara ia pamundëson që t’i paguajë obligimet ndaj KEK-ut dhe KEDS-it.

Gazeta JnK e ka siguruar shkresën që KOSTT ia ka adresuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli, në të cilën janë shpjeguar dëmet financiare si pasojë e heqjes së kostos së furnizimit të veriut nga faturat e energjisë.

Aty thuhet se të hyrat e lejuara për KOSTT për vitin tarifor 2017-2018 për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetues dhe humbjeve në veri të Kosovës janë aprovuar nga ZRRE në vlerë prej 12,7 milionë euro. Prej tyre, 8.7 milionë euro është kosto e furnizimit të veriut me rrymë dhe pjesa tjetër si të hyra të lejuara për mbulimin e humbjeve në transmision.

Këto 12.7 milionë euro, KOSTT-i është dashur t’i sigurojë nga dy burime: KEK-u është obliguar nga ZRRE-ja që të furnizojë KOSTT-in me rrymë për një vlerë prej 10,7 milionë euro, si detyrim rregullues për të hyrat e realizuara nga KEK-u për vitin paraprak; si dhe 2 milionë euro KOSTT-i do t’i siguronte nga tarifat e energjisë.

KOSTT-i alarmon që KEK-u e ka pasur të pamundur të kryej obligimin që kishte marrë nga ZRRE-ja për funizim me energji për shkak të problemeve me furnizim me qymyr.

“Për shkak të problemeve në prodhimin e energjisë elektrike nga KEK, KOSTT maksimalisht do të realizojë të hyra në vlerë prej 6.8 milionë euro”, thuhet në shkresën e KOSTT.

Përveç telasheve me KEK-un, KOSTT-i thotë se gjendjen e ka renduar edhe më shumë udhëzimi i fundit i ZRRE-së.

“Si pasojë e udhëzimit të Fundit të ZRrE-së, realizimi i të hyrave zvogëlohet për 5.0 milionë euro që d.m.th KOSTT do të mund të inkasojë vetëm 1.8 milionë euro në total për vitin tarifor; Kostoja për mbulimin e humbjeve në rrjetin transmetues dhe vazhdimi i mbulimit të humbjeve në veri të Kosovës sipas çmimeve aktuale në treg do të arrijë vlerën rreth 22 milionë euro. Më këtë rast, dëmi financiar për KOSTT do të jetë rreth 20 milionë euro, për periudhën tarifore prill 2017- mars 2018”, thuhet në shkresën e KOSTT-it, të cilën e ka siguruar Gazeta JnK.

Kjo ndërmarrje alarmon se do të ketë të pamundur ta marrë barrën e mbulimit të humbjeve nga pjesa veriore.

“Në rrethanat e krijuara pas Udhëzimit të ZRrE, KOSTT nga data 2 dhjetor 2017, nuk do të ketë mundësi ligjore dhe financiare të merr për obligim mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës për periudhën e mbetur tarifor Dhjetor 2017- Mars 2018”, thuhet në shkresën e KOSTT-it.

KOSTT-i rekomandon që në kohë sa më të shpejtë të emërohet furnizuesi për furnizimin e konsumatorëve në katër komunat e veriut të Kosovës.

Deri në emërimin e këtij furnizuesi, KOSTT-i e lë si opsion të hapur që të tërheqë energji nga rajoni, por e cila do t’i faturohet Kosovës. Në bazë të çmimeve të energjisë në treg, kostoja e një furnizimi të tillë, përmes tërheqjes së energjisë nga rrjeti energjetik i rajonit (pra nga furnizues të tjerë) arrin në 8.5 milionë euro nga dhjetori deri në muajin prill 2018.

“KOSTT këtë kosto financiare nuk mund ta mbulojë dhe për këtë duhet të sigurohet buxhet i veçantë. Në këto rrethana furnizimi me energji elektrike i pjesës veriore të Kosovës do të vazhdojë në mënyrë të padefinuar /paautorizuar do të evidentohet nga Koordinatori i Evropës Kontinentale, si obligim i Kosovës ndaj rajonit. KOSTT rekomandon që të sigurohet buxhet, për periudhën kohore deri në emërimin e furnizuesit, për mbulimin e kostos për energjinë evidentuar si obligim i Kosovës ndaj rajonit për sasinë e konsumuar në katër komunat e veriut të Kosovës”, thuhet në shkresën e KOSTT-it.

Tutje, KOSTT-i ka alarmuar që në rast se këto mjete nuk sigurohen, atëherë KOSTT, si operator i licencuar për operimin e sistemit transmetues dhe tregut të energjisë elektrike në Kosovë, do të ketë humbje të mëdha financiare, që pamundëson qëndrueshmërinë financiare karshi obligimeve licencore, për operim të sigurt dhe të besueshëm të sistemit transmetues të Kosovës. Gjithashtu, KOSTT-i thotë se do të ketë të pamundur të kryejë obligimet financaire ndaj kreditorëve siç është Banka Gjermane për Zhvillim dhe BERZH.

“Pamundëson mirëmbajtjen e domosdoshme të aseteve të KOSTT-it; Pamundëson funksionalitetin e qëndrueshëm, si biznes i rregulluar, Rrezikon procesin e anëtarësimit të KOSTT në ENTSO-E”, janë edhe disa pasoja që ka listuar KOSTT në rast se nuk gjendet një alternativ.

Zhvillimet e fundit në sistemin energjetik kanë ardhur pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e faturimit të shpenzimeve të rrymës në veri qytetarëve të pjesëve tjera të Kosovës. Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator 2017, e ka pezulluar ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë. Ky vendim i Gjykatës ishte marrë sipas padisë  së Avokatit të Popullit.

© zëri.info