Peja, kampion i punësimeve me kontrata të veçanta

Ekonomia November 30, 2017 - 08:23

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se gjatë vitit 2016 Komuna e Pejës kishte angazhuar 228 punëtorë me kontrata të veçanta dhe me kontrata për detyra specifike. Në raport me vitin paraprak Komuna ka rritur punësimin në këtë formë për 257 për qind, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shuma të mëdha parash të buxhetit të shtetit edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen për të punësuarit me kontrata të veçanta, të cilët janë punësuar nëpër institucione qendrore e lokale pa iu nënshtruar procedurave të rekrutimit të parapara me ligj.

LEXO EDHE: Universiteti i Beqirit (Dokument)

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit “Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta dhe Kontratat e Punës për detyra Specifike” ka gjetur se një numër i madh i komunave, por edhe i institucioneve qendrore, kanë angazhuar një numër të madh të punëtorëve në këtë formë, duke shpenzuar kështu nga buxheti i shtetit miliona euro, shkruan tutje "Zëri".

Në raportin e ZKA-së thuhet se në nivelin qendror në këtë auditim janë përfshirë pesë ministri: Ministria e Administratës Publike (MAP), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) dhe Ministria e Infrastrukturës (MI), derisa në nivelin lokal janë përfshirë gjashtë komuna: Ferizaj, Peja, Gjilani, Prizreni, Suhareka dhe Prishtina.

Rritet punësimi për 257%

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komuna e Pejës kishte trendin më të madh të rritjes prej 257% të punësimeve në këtë formë, Komuna e Ferizajt 90%, Gjilani 18%, përderisa trend rënës solid kishin komunat: Prizreni 25%, Prishtina 19% dhe Suhareka 5%.

“Në rritjen e angazhimeve tek Komuna e Pejës kishte ndikuar pagesa e 162 punëtorëve për mirëmbajtje të higjienës dhe sigurim të objekteve në Drejtorinë e Arsimit, Administratës, Kulturës, Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Këta punëtorë ishin të kontraktuar përmes operatorit ekonomik, mirëpo Komuna në dhjetor 2015 kishte shkëputur kontratën me OE-në dhe ka vazhduar pagesën e punëtoreve përmes MSHV-ve deri në përfundim të vitit 2016 për arsye se lënda ishte në procedurë gjyqësore”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Më tutje në raport thuhet se Komuna e Prishtinës, pavarësisht trendit rënës, mbetet njëra prej komunave me numrin e lartë të angazhimit të punonjësve me MSHV-të.

“Për dy vjet me radhë kjo komunë në Drejtorinë e Arsimit përmes MSHV-ve kishte angazhuar 46 punonjës në kuzhinë për përgatitje dhe shërbim të ushqimit në institucionet parashkollore. Po ashtu numër i konsiderueshëm ishte për angazhime në aktivitetet e ndryshme kulturore të bendeve të ndryshme për Ditën e Çlirimit të Prishtinës, Ditën e Diasporës, 28 Nëntorin, festat e fundvitit, etj., në kohëzgjatje 1 deri 3-ditore. Më tutje, pjesa tjetër e të angazhuarve ishte e shpërndarë në shumicën e drejtorive komunale në kryerjen e punëve si: programer, zhvillues i softuerit, për e-kioskun, për regjistrimin e subvencioneve, programer i projektit PARATUS për QMF, anketues dhe regjistrues të pronave, regjistrues i ndërtimeve pa leje, ofiqarë, bashkëpunëtorë profesionalë, etj.”, thuhet në raportin e ZKA-së.

37 të punësuar në Drejtorinë e Arsimit

Sipas Auditorit, në Komunën e Ferizajt punonjësit ishin të angazhuar pothuajse në të gjitha drejtoritë dhe kryenin punët e parapara me pozitat e rregullta.

Po ashtu edhe në Komunën e Gjilanit për dy vjet me radhë 37 punëtorë ishin të angazhuar në Drejtorinë e Arsimit në pozitën Rojtar të objekteve, të cilat do të duhej të kontraktoheshin përmes procedurave të prokurimit. Pjesa tjetër e punëtorëve mbulonin pozitat e rregullta, si dhe në rastet e shtimit të vëllimit të punëve në sezone të caktuara.

Sipas ZKA-së, në Komunën e Suharekës për dy vjet me radhë ishin të angazhuar pesë rojtarë në kampin “Kasablanka” në Shirokë pas tërheqjes së KFOR-it Zviceran dhe Austriak, për shkak se asetet e kampit i ishin dhënë Komunës si donacion.

“Rojtarët ishin të angazhuar nga Komuna deri në zgjidhjen e pronësisë së kampit (NSH “Damperi” Suharekë), pronësia e fabrikës duhet të rregullohet në mes të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe Qeverisë së Kosovës. Pjesa tjetër e të angazhuarve kryesisht mbulonin pozitat e rregullta të punës. Për shkak të shtimit të vëllimit të punëve në periudha të caktuara të vitit, Komuna e Suharekës dhe e Prizrenit kishin angazhuar staf në pozitat Punëtorë shëndetësor, Mjek, Zjarrfikës dhe Roje pylli. Komuna e Prizrenit, edhe pse kishte trend rënës, për dy vjet kishte plotësuar pozitat e rregullta në drejtoritë e ndryshme, si dhe ka angazhuar 10 zyrtarë në “Task Forca për implementimin e Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje” në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, me vendim të miratuar nga kryetari”, thuhet në raport.

Rriten punësimet me kontrata të veçanta

Në raportin e ZKA-së thuhet se analizat e auditimit kanë treguar se angazhimi i punonjësve me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta (MSHV) dhe me Kontrata për Detyra Specifike (KPDS) ka trend të rritjes nga viti 2015 në vitin 2016 e me këtë janë rritur edhe kostot për financimin e këtyre marrëveshjeve.

Sipas Auditorit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), edhe pse kishte trend më të ulët krahasuar me 2015-ën, mbetet njëra nga ministritë me numër më të madh të punonjësve të angazhuar me MSHV. Sipas Auditorit, angazhimet në këtë ministri mbulonin pozitat e rregullta në departamentet në kuadër të Ministrisë dhe në institucionet vartëse, si: Filharmonia, Muzeu, Teatri Kombëtar, ansambli “Shota”, Instituti Arkeologjik, etj. Po ashtu edhe në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) hyrja në fuqi e Ligjit për Patentën e Shoferit në qershor të vitit 2016 pjesërisht ka ndikuar në trendin rritës të zyrtarëve të angazhuar.

“Me këtë ligj punëtorët në pozitat e ekzaminerëve nuk e kanë statusin e shërbyesit civil, prandaj Ministria këto pozita i kishte plotësuar me zyrtarë të angazhuar me MSHV. Prandaj Departamenti i Automjeteve dhe Patentës së Shoferëve kishte numër të konsiderueshëm të të angazhuarve prej 18 zyrtarëve apo afër 30%. Ndërsa pjesa tjetër e të angazhuarve mbulonin pozitat e rregullta në shumicën e departamenteve të MI-së”, thuhet në raportin e Auditorit.

Po ashtu edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) angazhimi i zyrtarëve me MSHV ishte për shkak të mosaprovimit të rritjes së numrit të stafit të rregullt, si dhe për rastet e paraqitura ad-hoc për pozitat e rregullta, të cilat nuk mund t’i planifikojnë, siç është rasti me pushimet e lindjes; pushimet pa pagesë, suspendimi i zyrtarëve, etj.

Po ashtu punësime të tilla janë bërë edhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR). Sipas zyrtareve të kësaj ministrie, është vazhduar në këtë formë për shkak të mosaprovimit të rritjes së numrit të stafit të rregullt këto pozita i kanë plotësuar me MSHV.

“Zyrtarët janë të profileve të ndryshme për t’u ofruar mbështetje profesionale/administrative në departamentet e Ministrisë dhe institucioneve vartëse të saj”, thuhet në raport.

Paga mesatare, 307 euro

Sipas ZKA-së, në katër ministritë e audituara për vitet 2015 dhe 2016 numri i të angazhuarve me MSHV ishte në rritje dhe vlera totale e pagesave për këto dy vjet arrin në 1.469.053 euro.

Këto ministri kanë rritur shpenzimet e tyre vjetore për MSHV, përderisa gjatë vitit 2015 shpenzimi total i ministrive ishte 575.184 euro, në vitin 2016 ishte 893.869 euro, apo një rritje të këtyre shpenzimeve për 318.685 euro.

Rreth 55% buxhet më tepër kanë shpenzuar ministritë për këtë kategori krahas vitit paraprak. Paga mesatare mujore për këtë staf në vitin 2016 ishte rreth 307 euro apo 3.693 euro vjetore.

“Nga krahasimi i numrit të zyrtarëve të angazhuar me MSHV në raport me numrin e pozitave të lejuara me Ligjin e Buxhetit 2016 vërejmë se MI-ja kishte 20,3% zyrtarë të angazhuar me MSHV, MBPZHR-ja 16,9%, MMPH-ja 12,8% dhe MKRS-ja 11,7%. Ndërsa në vitin 2015 MBPZHR-ja ka përqindjen më të madhe të të angazhuarve, 16,1%, MKRS-ja 10,7%, MI-ja dhe MMPH rreth 10%. Qëllimi i angazhimit të zyrtarëve me MSHV në ministri kryesisht ishte mbulimi i pozitave të rregullta dhe jo angazhimi i ekspertëve të ndonjë fushe të veçantë, staf i cili do të duhej të angazhohej për një periudhë të caktuar kohore dhe për një punë të caktuar, që nuk mbulohet me pozita të rregullta”, thuhet në raport.

E në anën tjetër, në gjashtë komunat e audituara për vitet 2015/2016 angazhimi me MSHV/KPDS në disa raste ka pësuar rënie dhe në disa të tjera rritje.

Buxheti i shpenzuar për të dy vjetët për komunat e audituara është 2.434.544 euro. Këto komuna kanë rritur shpenzimet e tyre vjetore për MSHV/KPDS, përderisa gjatë vitit 2015 shpenzimi total në këto komuna ishte 882.913 euro, në vitin 2016 ishte 1.551.631 euro, apo një rritje për 668.718 euro. Rreth 76% buxhet më tepër kanë shpenzuar komunat në vitin 2016 për këto marrëveshje, të krahasuara me vitin 2015.

“Nga krahasimi i numrit të zyrtarëve të angazhuar me MSHV/KPDS, në raport me numrin e pozitave të lejuara me Ligjin e Buxhetit 2016, vërejmë se Komuna e Pejës kishte mbi 10% zyrtarë të angazhuar me MSHV/KPDS, Ferizaj rreth 4%, Prishtina 3,6%, Gjilani 3,5%, Suhareka 3,3% dhe Prizreni 1,7%. Ndërsa për vitin 2015 Komuna e Prishtinës ka përqindjen më të madhe të të angazhuarve 4,3%, krahas numrit të lejuar me buxhet, Suhareka 3,4%, Gjilani 3%, Peja rreth 3%, Prizreni dhe Ferizaj 2,1%. Tek komunat qëllimi i angazhimit të zyrtarëve me MSHV/KPDS kryesisht ishte mbulimi i pozitave të rregullta, shtimi i vëllimit të punëve sezonale dhe dështimi në kontraktimin e shërbimeve përmes prokurimit publik për shërbimet e sigurimit dhe mirëmbajtjes”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.

Nuk aplikojnë procedura rekrutimi

Sipas ZKA-së, para se të bëhet kontrata me individë, është e domosdoshme që organizata buxhetore t’i aplikojë procedurat e thjeshtëzuara të rekrutimit.

“Aplikimi i procedurave të thjeshtëzuara të rekrutimit do ta siguronte organizatën se parimi i transparencës, barazisë dhe konkurrencës është duke u respektuar. Më tutje, aplikimi i këtyre procedurave do ta siguronte administratën publike se është përzgjedhur kandidati më meritor. Shumica e ministrive që kemi audituar nuk kishin aplikuar procedurat e thjeshtëzuara të rekrutimit për angazhimin e zyrtarëve me MSHV. Një situatë më e mirë ishte në MMPH, e cila për të dy vjetët për pozitën “Ciceron” tek Monumentet Natyrore të Rëndësisë së Veçantë (MNVR), Shpella e Gadimes, kishte aplikuar procedurat e thjeshtëzuara të rekrutimit. MMPH-ja nga muaji shtator i vitit 2016 edhe për pozitat e tjera për angazhimin me MSHV kishte filluar aplikimin e procedurave të thjeshtëzuara të rekrutimit. Po ashtu MBPZHR-ja për disa zyrtarë të angazhuar me MSHV në vitin 2016 ka aplikuar procedura të thjeshtëzuara të rekrutimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Nga gjashtë komunat e audituara vetëm komuna e Suharekës dhe e Prizrenit në të gjitha mostrat e testuara kishte aplikuar procedurat e thjeshtëzuara të rekrutimit. Më tutje, Komuna e Pejës pjesërisht për disa pozita kishte aplikuar procedurat e thjeshtëzuara të rekrutimit. Për vitin 2015/2016 Komuna e Ferizajt, e Gjilanit dhe e Prishtinës në asnjërën nga mostrat e testuara nuk kishin aplikuar procedurat e thjeshtëzuara të rekrutimit për angazhimin e zyrtarëve me MSHV/KPDS.

“Mosaplikimi i procedurave të thjeshtëzuara të rekrutimit nga institucionet publike ka rezultuar në mosrespektimin e parimit të transparencës, barazisë dhe konkurrencës. Më tutje, nuk ka siguruar që kandidati më meritor është përzgjedhur”, thuhet në raport.

Rekomandimet për Ministrinë e Administratës Publike

- Të sigurojë se ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për hartimin e legjislacionit sekondar në fushën e shërbimit civil në Kosovë, që rregullon procedurat e angazhimit me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta (MSHV).

- Të hartojë plane dhe raporte të monitorimit, që do të përfshiheshin organizatat të cilat i aplikojnë këto marrëveshje, në mënyrë që të prodhojnë rezultate efektive gjatë vendimmarrjes.

- Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave t’i rishikojë rastet ku organizatat kanë angazhuar staf me marrëveshje për pozitat e rregullta. Varësisht nga nevojat për staf të rregullt t’i shqyrtojë ato dhe aty ku është e domosdoshme ta gjejë një zgjidhje në kuadër të kornizës ligjore.

Rekomandimet për ministrat përgjegjës dhe kryetarët e komunave:

- Të sigurojnë se kanë identifikuar nevojat për angazhimin e punonjësve me këtë lloj marrëveshjeje, kryejnë vlerësimin dhe planifikimin për angazhimin e punonjësve me marrëveshje në fillim të çdo viti, si dhe përfshirjen e tyre në planin vjetor. 

- Të sigurojnë se angazhimi i zyrtarëve me marrëveshje për shërbime të veçanta, kontrata pune për detyra specifike bëhet vetëm në rastet specifike kur ndonjë projekt apo punë e caktuar nuk mund të kryhet me stafin aktual brenda institucionit, por kërkohet ekspert i një fushe specifike. 

- Të sigurojnë raportim të plotë dhe të saktë për stafin e angazhuar me MSHV/ Kontrata Pune për Detyra Specifike (KPDS) 

- Angazhimi me marrëveshje apo kontratë për punë specifike bëhet në përputhje me kërkesat ligjore për të siguruar se angazhimet bëhen përmes një procesi konkurrues dhe transparent. Periudha e angazhimit të bëhet në kuadër të afateve të parapara me ligj, si dhe aplikohet mbajtja në burim e tatimit në të ardhura personale dhe kontributit pensional; 

- Të sigurojnë se kanë instaluar një mekanizëm raportues dhe monitorues të të angazhuarve me marrëveshje për shërbime të veçanta /kontrata pune për detyra specifike në kuadër të organizatës, të përdorin treguesit kyç të performancës për t’i pasqyruar rezultatet e aktiviteteve dhe shërbimet e ofruara;

- Të sigurojnë se për realizimin e shërbimeve të mirëmbajtjes së higjienës, të sigurimit dhe të ngjashme kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme përmes procedurave të prokurimit publik.