Tmava: Ende po e presim formimin e bordeve

Ekonomia November 25, 2017 - 08:32

“Trepça” është duke numëruar në vend, ndonëse kanë kaluar gati tre muaj qëkur janë konstituuar institucionet e shtetit të Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria, shkruan sot, gazeta Zeri.

Premtimet se shpejt do të formohen dy bordet, pa të cilat nuk mund të zbatohet Ligji për “Trepçën”, nuk janë realizuar, në veçanti nuk është realizuar premtimi i ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka se në nëntor do të hapet konkursi për anëtarët e Bordit Menaxhues të “Trepçës”.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka thënë se pa formimin e bordeve nuk mund të zbatohet as Ligji për “Trepçën”, i cili do t’u hapte rrugë investimeve tepër të nevojshme në gjigantin ekonomik kosovar.

Tmava ka thënë se ka pasur disa takime në Qeverinë e Kosovës dhe ka kërkuar që sa më shpejt të formohen bordet, me të cilat i hapet rrugë zbatimit të Ligjit për “Trepçën”. Dhe pavarësisht asaj se vazhdimisht ka insistuar që të ndërmerren masa për funksionalizimin e “Trepçës” me bordet e parapara me ligj, Tmava thotë se ende nuk është ndërmarrë asgjë, ndonëse premtimet nuk kanë munguar.

“Akoma nuk ka asgjë konkrete sa i përket formimit të Bordit Menaxhues dhe atij Mbikëqyrës. Kanë thënë se në nëntor do të shpallet konkursi për Bordin Menaxhues, por deri sot asgjë nuk ka. Pa konstituimin e Bordit menaxhmenti i ‘Trepçës’ nuk mund ta marrë asnjë vendim strategjik për të ardhmen e ndërmarrjes. Formimi i Bordit del edhe si kërkesë nga Ligji për ‘Trepçën’, i miratuar vitin e kaluar nga Qeveria e Isa Mustafës”, i ka thënë “Zërit” drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, të premten.

Ndërkaq përballë kësaj situate duket të jetë i pafuqishëm edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Deri më tani asnjëra nga detyrat që kryeministri Haradinaj ua ka dhënë tre ministrave të Qeverisë së tij, Valdrin Lluka, Skender Reçica dhe Bedri Hamza, nuk janë zbatuar e ata nuk kanë dhënë as siguri se do të zbatohen.

Haradinaj ka adresuar disa detyra te ministrat e Zhvillimit Ekonomik, të Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe atij të Financave, pasi që nuk është ndërmarrë asnjë hap që Ligji për “Trepçën”, i miratuar në fund të vitit 2016, të zbatohet. 

Ndryshe, Haradinaj nëpërmes një letre pati kërkuar nga ministrat në kabinetin e tij të përfshihen me veprime të shpejta dhe konkrete rreth zbatimit të Ligjit për “Trepçën”, si dhe adresimin e kërkesave tjera të minatorëve të “Trepçës”. 

Sipas adresimeve të kryeministrit Haradinaj për ministrat e tij, drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka marrë mbështetjen e fuqishme të kryeministrit të vendit, pasi që ministrat do të duhej të konsultoheshin paraprakisht me drejtorin Tmava dhe të veprojnë sipas udhëzimeve dhe kërkesave të tij.

Në letrën e kryeministrit Haradinaj ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i është kërkuar t’i shqyrtojë kërkesat e natyrës ligjore të parashtruara nga Ahmet Tmava, drejtor i “Trepçës”, siç janë miratimi i Statutit  të “Trepçës”, regjistrimi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, regjistrimi i njësive banesore Trepça SHA dhe arsyeshmërinë ekonomike dhe financiare.

Nga ministri Skender Reçica (MPMS) kryeministri Haradinaj ka kërkuar që në bazë të vlerësimeve të drejtorit të “Trepçës”, Ahmet Tmava, të sigurohet baza juridike për dhënien e pensioneve me 70 për qind nga paga e punëtorëve, ashtu siç janë pensionet në disa institucione në Republikën e Kosovës, të sigurohet baza juridike për pranimin e stazhit të punës për vitet 1990-1999,  punësimi i të rinjve dhe zbatimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.

Ndërkaq nga ministri i Financave, Bedri Hamza, Haradinaj ka kërkuar që, duke u bazuar në Ligjin mbi Faljen e Borxheve Publike, ndërmarrja “Trepça” si shoqëri aksionare të përfshihet në faljen e borxheve të krijuara në kohën e UNMIK-ut. Por me gjithë kërkesat e Haradinajt asnjëri nga ministrat nuk kanë lëvizur nga vendi dhe nuk kanë përfillur rekomandimet e tij dhe në këtë mënyrë kombinati “Trepça”, sipas drejtorit Ahmet Tmava, vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit.

“Është jetike fillimi i zbatimit të Ligjit për ‘Trepçën’, që nënkupton formimin e dy bordeve, sepse jemi duke u përballur me problemin thelbësor të funksionimit”, ka përsëritur drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava.