Kryetari i Bordit të BQK-së Bedri Peci vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Suedisë

Ekonomia November 24, 2017 - 09:48

Bashkëpunimeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) me bankat homologe dhe institucionet financiare ndërkombëtare të Evropës dhe me gjerë i shtohet edhe bashkëpunimi me Bankën e njohur në botë, Riksbank e Suedisë.

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Bordit Prof. Dr. Bedri Peci dhe i përbërë nga anëtari i Bordit të BQK-së Nuhi Ahmeti, zëvendësguvernatori për Operacione Bankare Lulzim Ismajli dhe Udhëheqësi i Divizionit për Parandalimin e Pastrimit të Parave Labinot Preniqi, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Suedisë, Riksbank. Delagacioni u takua me Kryesuesen e Këshillit të Përgjithshëm të Riksbank Susanne Eberstein, zëvendëskryesuesin e Këshillit të Përgjithshëm Michael Lundholm, Guvernatorin Stefan Ingves dhe Zëvendësguvernatorin Henry Ohlsson.

Me këtë rast, u diskutuan modeli dhe struktura qeverisëse në Bankën Qendrore të Kosovës dhe atë të Suedisë, gjendja e sektorit financiar, politika monetare, menaxhimi i rezervave shtetërore, rritja e efikasitetit të sistemit të pagesave dhe sfidat kryesore që ballafaqohet bankingu qendror në Republikën e Kosovës.
Përfaqësuesit e Bankës së Suedisë i premtuan delegacionit të BQK-së që t’i ofrojë mbështetje për projektin elektronik të pagesave përmes mobilit të quajtur “Swish” të cilin banka suedeze e ka implementuar kohë më parë.

Në përmbyllje të takimit Kryetari i Bordit të BQK-së Peci ftoi kryesuesen e Këshillit të Përgjithshëm të Bankës Qendrore të Suedisë Eberstein që në një të ardhme të afërt të vizitojë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, e cila me kënaqësi e pranoi këtë ftesë.

Image