Konkursi i KEK-ut për punësimin e banorëve të Hadës e Shipitullës – Aplikojnë 2500 persona

Ekonomia November 23, 2017 - 10:58

Mbi 2500 ka shkuar numri i aplikantëve në konkursin e hapur nga Korporata Energjetike e Kosovës për 93 vende të lira të punës. Ky konkurs është shpallur ekskluzivisht për punësimin e banorëve të fshatrave Hade e Shipitullë.

Pjesa tjetër e qytetarëve të cilët po aplikojnë nga gjithë Kosova po shpenzojnë kohë dhe para kot për shkak se ky konkurs është shpallur me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj ekskluzivisht për t’i punësuar banorët e këtyre dy fshatrave.

Madje edhe në konkurs është sqaruar se KEK-u ka është shpallur konkurs për plotësimin e vendeve të lira të punës bazuar në Vendimin e Kryeministrit të Kosovës nr. 04/02 të datës 15.09.2017 nga i cili banorëve të fshatit Hade dhe Shipitullë iu lejohen përparësi në kushte të barabarta për ata që janë banor të zonës me rëndësi të veçantë.

Image

Qe ky konkurs është hapur pikërisht për punësimin e këtyre banorëve e ka konfirmuar për Klan Kosova edhe këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Haki Shatri.

Ai ka thënë së aplikantët e tjerë që nuk janë nga këto dy fshatra mund ta ndihen të pabarabartë por ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve duke thënë se vendi është në vështirësi për shkak se nga tokat e këtyre banorëve varet furnizimi i qytetarëve me energji elektrike.

Njëri nga aplikuesit në këtë konkurs e që nuk është banor i fshatrave Hade dhe Shipitullë e ka quajtur të padrejtë favorizimin e banorëve të këtyre fshatrave.

“Është e padrejtë, atyre duhet tu ofrohet pagesa e shpronësimit “ ka thënë ai.

Ndërsa aplikuesit që vinë nga këto dy fshatra thonë se kanë përparësi në këtë konkurs .

“Ne e kemi një përparësi për punësim nga fshatin Shipitullë sepse me pasurinë tonë po mendohet të ndriçohet e tërë Kosova” ka thënë për Klan Kosovën një aplikues banor i fshatit Hade.

Ndërsa Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka kërkuar që të këtë shumë kujdes në zbatimin e këtij vendimi pavarësisht se ai ka bazë.

“Nëse eventualisht gjatë procesit të rekrutimit vërehen lëshime apo shkelje të kësaj dispozite apo të këtij kriteri atëherë patjetër që mund të them se ka pas shkelje dhe patjetër që mund të konsiderohet edhe vet shkelje e vet ligjit dhe vet vendimit” ka thënë Jashari.

Ndryshe, drejtori Menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj para disa muajve ka paralajmëruar për një krizë të mundshme energjetike (Kosova mund të mbetet në terr) nëse nuk shpejtohet procesi i shpronësimeve në këto zona dhe t’i hapët rrugë eskalatorëve të KEK-ut për të bërë nxjerrjen e qymyrit dhe për të krijuar rezerva të mjaftueshme për sezonin e dimrit.

Qeveria e kaluar kishte marrë vendim për të filluar procesi i shpronësimit por kjo çështje është duke u zvarritur edhe sot dhe KEK-u nuk garanton se do të mund të prodhon energji elektrike nëse nuk krijohen rezervat e thëngjillit para sezonës së dimrit kur edhe është e pamundur të punohet.

Shpronësimi i kësaj zone ka vite që nuk po mund të finalizohet edhe për dyshime të shumta se në atë zonë janë ndërtuar shtëpi deri në 700 metra katror vetëm për të përfituar nga shtetit në rastin e shpronësimeve. Për këto raste Qeveria e kaluar kishte kërkuar nga prokuroria e shtetit që të fillonte hetimet.