Ekonomia

Shkaku i bordit të ZRRE-së qytetarët paguajnë ende rrymën e veriut

Shkaku i bordit të ZRRE-së qytetarët paguajnë ende rrymën e veriut
21 nëntor 2017 • 20 : 56

Qytetarët do të paguajnë për rrymën e harxhuar nga qytetarët në veri, për shkak se ende nuk ka zgjidhje të situatës, pasi Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë vazhdon të mbetet i pakompletuar. Por ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka premton një zgjidhje të shpejtë.

“Me të vërtetë është punë e ndjeshme. Unë kam qenë ndoshta i pari që e kam përmend se nuk është fer te konsumatorët që të bëhet një gjë e tillë. Duhet të shikohen format se si të paguhet, nëse nuk paguhen nga tarifat e konsumatorëve, për momentin derisa të ekziston programi duhet të paguhet nga taksat, që janë prapë paratë e taksa paguesve. Jemi duke punuar me shpejtësi maksimale që ta arrijmë marrëveshjen me Serbinë që ta regjistrojmë një kompani në veri për furnizim me energji, e cila do ta rregullonte edhe inkasimin e faturave”, deklaroi  Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Për zyrtarët e ZRRE-së, kjo çështje është politike.

“ZRRE ka të licencuar operatorë, për të cilët nuk ju krijohet  drejta e tyre pronësore dhe shtrirja e autoritetit në ato pjesë. ZRRE nuk ndanë territor dhe nuk përcakton tarifa në bazë të territorit, përcakton tarifa për të gjithë konsumatorët e Kosovës pavarësisht se ku ndodhen. Dhe nëse shteti nuk krijon qasje operatorëve për me shkuar dhe me vepruar në atë vend, është barrë e shtetit dhe përgjegjësi e shtetit dhe shteti duhet me u marr me këtë punë”, tha Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Për ta zbatuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që kërkon heqjen e kostos së padrejtë që rëndon qytetarët, Pepaj thotë se duhet të merret një vendim i ri.

E propozimin e KMDLNJ-së që konsumatorët të paguajnë vetëm 70 për qind të faturave, drejtues të KEDS-it e vlerësojnë shtytje për mospagim të rrymës.

“Nuk mund të komentoj asgjë rreth tarifave, ne nuk vendosim për tarifa pasi ky është një proces. Ka qenë një proces i trashëguar më parë. Pra, ka kaluar nga KEDS të KESCO. E kam vlerësuar këtë si një shtyrje për konsumatorët që të mos paguajnë diçka që bazohet në çmim. Është çështje e qeverisë se si do të ndërhyjë në të ardhmen”, deklaroi George Karagutoff, drejtor i përgjithshëm i KEDS-it.

Nga viti 2009, qytetarët përmes faturave të energjisë mbulojnë humbjet e distribucionit në veri të vendit. Para kësaj kohe, Qeveria subvenciononte importin e energjisë.

© zëri.info