Eksporti i Serbisë në Kosovë 450 milionë euro, i Kosovës në Serbi 20 milionë euro

Ekonomia November 20, 2017 - 08:41

Përveç taksës në miellin e Serbisë që hyn në Kosovë në korrikun e vitit 2016, sipas përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Serbisë dhe të zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë së Serbisë, Kosova ka vënë taksë edhe në materialin ndërtimor që hyn në Kosovë nga Serbia, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kjo masë ishte ndërmarrë për shkak të çmimit më të ulët të shitjes së materialit ndërtimor blerësve në Kosovë sesa të atyre në Serbi.

Kjo masë, sipas prodhuesve të materialit ndërtimor të jugut të Serbisë i ka goditur fabrikat që prodhojnë material ndërtimor, të cilat, siç thonë ata kanë zvogëluar eksportin për një të tretën.

Për këtë masë të Prishtinës, siç raportojnë mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, do të bisedohet në Beograd në një takim të Sekretariatit të CEFTA-s, në të cilin Prishtina do ta marrë kryesimin nga Beogradi në këtë organizatë. 

Siç precizohet në një njoftim të Grupit të Prodhuesve të Materialit Ndërtimor të Serbisë, fabrika “Mladost” në Topliçka Mala Plana me dekada ka plasuar 80 për qind të prodhimit të vet në tregun e Kosovës. Kjo pjesëmarrje tani ka zbritur në 50 për qind, shkruan tutje "Zëri".

“Kjo taksë prej 2 centësh për një bllok ndërtimi për një kamion me blloqe bën 80 euro, gjë që ngrit çmimin në Kosovë për rreth 12 për qind. Nëpër depo janë krijuar stoqe të mëdha dhe ato janë pasojë edhe e kësaj takse, gjë që pamundëson shitjen dhe për këtë arsye ka ardhur në pyetje edhe funksionimi i fabrikës dhe ajo mund të mbyllet”, ka thënë drejtori i fabrikës së materialit ndërtimor “Mladost”, Millosh Dushiq.

Ndërkaq shefja e Grupit të Prodhuesve të Materialit Ndërtimore të Serbisë, Sllavica Zhivkoviq, ka thënë se deri më tani janë eksportuar në Kosovë material ndërtimor në vlerë prej 10 milionë eurosh, ndërsa pas aplikimit të taksës eksporti është zvogëluar në rreth 7 milionë euro.

“Për ne tregu më i madh është Kosova dhe pjesa më e madhe e materialit ndërtimor eksportohet atje. Në Kosovë ndërtohet shumë, punohet shumë dhe këto fabrika (tjegullore) janë të orientuar vetëm në tregun e Kosovës. Konkurrenca që vjen nga Serbia nuk u shkon në favor prodhuesve kosovarë të materialit ndërtimor”, ka thënë Zhivkoviq.

“Pas kërkesës sonë që kjo masë të hiqet dhe të sqarohet situata, ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga pala tjetër (kosovare). Ajo çfarë kemi bërë është se si shtet dhe si ministri, për këtë çështje e kemi sinjalizuar, gjegjësisht e kemi njoftuar Komisionin Evropian”, ka thënë Olivera Jociq nga Ministria e Tregtisë së Serbisë.

Në anën tjetër, siç transmetojnë mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, nga Oda Ekonomike e Serbisë kanë konfirmuar se eksporti vjetor i Serbisë në Kosovës është 450 milionë euro, ndërsa i Kosovës në Serbi 20 milionë euro. Më së shumti eksportohen prodhimet bujqësore dhe ushqimore, ndërsa importohen prodhimet të papërpunuara, lëndë e parë.

E në Odën Ekonomike të Serbisë kanë rekomanduar që dy ministritë e Tregtisë, e Kosovës dhe ajo e Serbisë, të ulen dhe të bisedojnë për të gjitha çështjet dhe të gjejnë mënyra që edhe eksporti i prodhimeve të Kosovës në Serbi të rritet.

“Mendoj se duhet dy ministritë të punojnë në kuadër të CEFTA-s dhe në kuadër të forumeve të tjera që maksimalisht të relaksohen dhe të gjejnë mënyrë që mallrat e Kosovës ta gjejë rrugën në Serbi sepse ata kanë çka të ofrojnë për tregun e Serbisë”, ka thënë Nenad Gjurgjeviq nga Oda Ekonomike e Serbisë, sipas të cilit në gjysmën e parë të këtij viti Serbia ka shënuar rritje të eksportit dhe të importit me nënshkruesit e Marrëveshjes së CETA-s dhe se suficiti në ndërrim të mallrave është rreth 1 miliard euro.