Ekonomia

Mblidhet Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, diskuton edhe për pagën minimale

Mblidhet Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, diskuton edhe për pagën minimale
16 nëntor 2017 • 20 : 31

Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, KES, ka mbajtur sot takim konstituiv, ku janë prezantuar anëtarët e rinj të Këshillit.

Kryesimi i KES-it për këtë vit është duke u bërë nga Ministra e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe në mbledhjen e sotme, me dakordim të të gjithë anëtarëve të KES-it, është marrë vendim që KES të kryesohet nga ministri i MPMS-së edhe për një vit kalendarik, duke nisur nga sot, bën të ditur një njoftim nga Ministria.

Në takimin e sotëm, me theks të veçantë u diskutua edhe rreth funksionalizimit të komisioneve profesionale të KES-it.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, duke folur rreth komisioneve të Këshillit, tha se puna e Komisioneve të KES-it nuk ka qenë aq funksionale dhe që nga konstituimi i Këshillit në vitin 2011, ato nuk kanë qenë aktive, duke ju referuar raporteve të Sekretariatit të KES-it.

Duke konsideruar se puna profesionale e KES-it bazohet në këto komisione, ministri Reçica theksoi se duhet të dalin më shumë raporte, informata dhe rekomandime profesionale.

Ai gjithashtu tha se vendimet për themelimin e komisioneve profesionale të nxjerra në vitin 2012 duhet të ndryshohen, duke i bërë ato vendime të reja, si dhe ka kërkuar funksionalizimin e komisioneve nëpërmjet propozimit të përfaqësuesve nga organizatat anëtare të KES, në mbledhjen e radhës.

Pikë tjetër diskutimi ishte edhe Projektudhëzimi Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr.09/2013 për kriteret dhe procedurat e përcaktimit të pagës minimale në Kosovë.

Një grup punues ka punuar në Projektudhëzimin Administrativ për të cilin anëtarët janë dakorduar që t’i dërgojnë propozimet shtesë deri në javën e ardhshme, këto propozime të diskutohen dhe më pas ky Projektudhëzim të dërgohet në dëgjim publik.

Bashkërisht, të gjithë anëtarët e KES janë pajtuar për bashkëpunim dhe angazhim reciprok për të zhvilluar dialogun social edhe më tutje në nivel bipartit ashtu edhe në nivel trepartit, si dhe është dakorduar që çështjet kryesore të punës të Këshillit të trajtohen me prioritet.

© zëri.info