Hamza: Kosova do ta mbyllë vitin me rritje të madhe ekonomike

Ekonomia November 15, 2017 - 08:12

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Kosova duket se do ta përmbyllë vitin 2017 me një rritje mjaft të lartë ekonomike dhe kjo rritje pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Për sa i përket stabilitetit fiskal, Qeveria e Kosovës si gjatë viteve të kaluara dhe në vitet në vijim do të vazhdojë me politikat e saj buxhetore të kujdesshme, për t’u siguruar se deficiti buxhetor mbetet në nivelet e pranueshme; që përbërja strukturore e buxhetit të jetë adekuate dhe që niveli i borxhit publik të jetë i menaxhueshëm. Ndërsa, për sa i përket reformave strukturore ne kemi bërë një punë mjaft premtuese, gjë që është reflektuar me raportin e fundit të Bankës Botërore ‘Të bërit biznes’. Sipas këtij raporti, Kosova renditet në top-dhjetëshin e vendeve më reformatore në botë dhe ka kërcyer për 20 vende të renditjes botërore, duke arritur kështu në vendin e 40-të”, shtoi ministri Hamza.

LEXO EDHE: Balotazhi i burrave

Këto komente ministri Hamza i bëri në konferencën e organizuar nga Banka Qendrore e Kosovës “Qasja në financa, kreditimi bankar dhe sektorët bankarë në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”.

Në këtë konferencë po trajtohen tema dhe çështje të rëndësishme për rëndësinë e aktivitetit të sektorit bankar në rajonin e Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe për të ardhmen e këtij sektori si një shtyllë e rëndësishme e financimit të zhvillimit ekonomik në këto vende.

Pjesëmarrës të kësaj konference janë ekspertë të shumtë të kësaj fushe nga Banka Qendrore e vendit, bankat qendrore të rajonit dhe më gjerë, institucioneve financiare vendore dhe ndërkombëtare, si dhe bankave komerciale.

Fehmi Mehmeti, ushtrues detyre i guvernatorit të BQK-së, ka thënë para të pranishmëve se sfidat bankare janë të mëdha, por Kosova bashkë me bashkëpunëtorët e saj po arrijnë t’ia dalin.

“Zhvillimet e parakrizës së fundit dhe ato gjatë krizës e pas krizës kanë rikujtuar se sektori bankar paraqet një shtyllë shumë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik kur nuk ecën mbarë mund të jetë edhe një burim i problemeve për vendin. Prandaj konferencat si kjo paraqesin një mundësi shumë të mirë për të parë se nga po ecin sektorët bankarë të rajonit dhe si po zhvillohet lidhja e tyre me ekonominë ku po veprojmë”, ka thënë ai.

Më tutje gjatë fjalës së tij u.d i guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit në sektorin financiar në Kosovë me fokus të veçantë në industrinë bankare në Kosovë.

Më tutje Mehmeti theksoi se konferencat si kjo paraqesin një mundësi shumë të mirë për të parë se nga po ecin sektorët bankarë të rajonit tonë dhe si po zhvillohet lidhja ndërmjet tyre dhe ekonomive ku po veprojnë.

“Përmirësimi i cilësisë së portofolit kreditor konsiderohet si një faktor me kontribut të rëndësishëm në nxitjen e kreditimit bankar, mirëpo fakti se norma e kredive joperformuese në shumicën e këtyre vendeve mbetet mbi nivelin e parakrizës nënkupton se problemet me cilësinë e kredive mund të jenë duke parandaluar një rritje edhe më të shpejtë të kreditimit”, ka thënë ai.

Po ashtu edhe shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Ruud Vermeulen, i cili është pjesë e kësaj konference paraqiti prezantimin e tij me temën “Sistemi bankar në Ballkanin Perëndimor”, me ç’rast tha se kriza e kreditimit po i pengon bankat.

“Të hyrat për kokë banori janë 2/3 në këtë pjesë. Pas krizës së kreditimit ka ngecur dhe mbetja e kësaj krize ende po i pengon bankat. Ka ndryshime mes vendeve p.sh. Kosova ka ulje, kurse Mali i Zi ka një rritje në kreditim. Për rajonin në tërësi financimi nga bankat e huaja është në rritje. Në përqindje sa i përket financimit të bankave të huaja në Ballkanin Perëndimor është e madhe”, tha Vermeulen.