Vendim i jashtëligjshëm për stopimin e privatizimit

Ekonomia November 14, 2017 - 08:24

 Berat Rukiqi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë se vendimi i Qeverisë për ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore mund të jetë i drejtë, por nuk bazohet në legjislacionin aktual. Sipas tij, tokat shoqërore janë nën menaxhim të AKP-së, derisa kjo e fundit është nën menaxhim të Kuvendit dhe vetëm Kuvendi mund të marrë vendime për fushëveprimtarinë e AKP-së, shkruan sot, gazeta Zeri.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për stopimin e privatizimit të tokave bujqësore, të cilat janë nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), po konsiderohet si i jashtëligjshëm nga ekspertët e ekonomisë në vend.

Pas paralajmërimit të zëvendëskryeministrit të Kosovës Fatmir Limajt, në mbledhjen e fundit Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për stopimin e privatizimit të tokave bujqësore.

LEXO EDHE: Ministrat e deputetët, përfituesit më të mëdhenj nga rritja e pagave

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka pezulluar përkohësisht për një afat njëvjeçar privatizimin e tokave në pronësi shoqërore, periudhë gjatë së cilës do të verifikohen nevojat që kanë institucionet shtetërore dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për prona me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe investimeve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës..

Në anën tjetër Berat Rukiqi, ligjërues në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, thotë se në një status në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se Qeveria është e thirrur për të marrë vendime, por vendimet duhet të jenë të menduara mirë, si dhe me bazë të fuqishme ligjore.

Ai thotë se vendimi për ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore mund të jetë i drejtë, por nuk bazohet në legjislacionin aktual. Tokat shoqërore janë nën menaxhim të AKP-së, derisa AKP-ja është nën menaxhim të Kuvendit dhe vetëm ai mund të marrë vendime për fushëveprimtarinë e AKP-së.

“Ky vendim edhe në kushtet e zbatimit të bazuar në ndryshim të ligjit të miratuar në Kuvend krijon bazë për keqmenaxhim të procesit, pasi që prej një procesi konkurrues kalohet në një proces që është në diskrecion të vendimeve politike dhe vullnetit individual. Tendenca për të zbatuar vendime që tejkalojnë ligjet është mesazh negativ për investitorët e huaj. Paqëndrueshmëria në vendimmarrje ndikon më shumë në opinionin e investitorit sesa çdo rangim në studimet e Bankës Botërore”, ka shkruar Rukiqi.

Në anën tjetër Ekrem Hajdari, drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka thënë për gazetën “Zëri” se pas vendimit të Qeverisë për stopimin e privatizimit të tokave bujqësore, që janë nën menaxhim të AKP-së, Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, sipas tij, do të takohet shumë shpejt dhe do ta marrë një vendim në konsultim me Qeverinë dhe me Kuvendin e Kosovës. “Bordi do të takohet shumë shpejt dhe do ta marrë një vendim”, ka thënë Hajdari përmes telefonit.

Përndryshe, para marrjes së vendimit nga ana e Qeverisë së Kosovës zëvendëskryeministri Limaj kishte thënë se ndalja e privatizimit të tokave ka për qëllim krijimin e kushteve për investimet e huaja. Madje sipas tij me këtë veprim fillon zbatimi i Ligjit për Investime Strategjike, ku saktësohet se shteti ua ofron tokën kompanive që investojnë në Kosovë.

“Ideja është që fillimisht të bëhet një incizim i infrastrukturës ligjore në vendin tonë. Është bërë zhurmë e madhe dhe është pritur mirë Ligji për Investime Strategjike. Boshti i këtij ligji për t’i thithur investimet e huaja është që investitorëve të huaj me investime të fuqishme shteti u ofron lehtësira. Në mesin e lehtësirave është edhe posedimi i tokës për ta ngritur biznesin e tyre”, kishte thënë zëvendëskryeministri Limaj.