Ministrat e deputetët, përfituesit më të mëdhenj nga rritja e pagave

Ekonomia November 14, 2017 - 08:15

Ministrat, zëvendësministrat, por edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës do të përfitojnë më së shumti nga vendimi i Qeverisë për rritje të pagave prej 4 për qind nga një janari i vitit që vjen, shkruan sot, gazeta Zeri.

Por, nga ky vendim do të përfitojnë shumë pak shërbyesit civilë, ku paga e tyre sillet prej rreth 400 euro. Nga një janari i vitit që vjen pagat e shërbyesve do të rriten nga 15 deri në 20 euro, derisa pagat e ministrave, zëvendësministrave, por edhe të deputetëve të Kuvendit do të rritën prej më shumë se 70 euro në muaj.

Ish-ministri i Financave, Agim Krasniqi, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se padrejtësitë dhe gabimet po rriten me rritjen e pabarabartë të pagave.

LEXO EDHE: Kundërshtohet sabotimi i Listës Serbe

Ish-ministri i Financave, Agim Krasniqi, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se padrejtësitë dhe gabimet po rriten me rritjen e pabarabartë të pagave.

“U sqarua në shifra se sa do të rriten pagat në sektorin publik. U tha se do të rriten 4% për të gjitha kategoritë. Kjo do t’i rritë te pjesa me e madhe e shërbyesve publikë pakënaqësitë jo për rritje të pagave, por për thellim të dallimeve mes pagës minimale dhe asaj maksimale e për më keq edhe në mes të pagës mesatare dhe asaj maksimale”, ka shkruar ai.

Sipas tij, për të qenë të drejtë urgjent Kosovës i nevojitet miratimi i ligjit për paga për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit, kjo pasi, sipas tij, sistemi aktual është krejtësisht i bazuar në padrejtësi brenda një institucioni e mos të flasim për padrejtësi që janë mes institucioneve të ndryshme. Një vozitës në disa institucione paguhet 300 euro në muaj e në një institucion tjetër 600 euro. Ngjashëm është për plot pozita ekuivalente. Ky dallim është edhe më i madh nëse hyjmë në analizë dhe përfshij edhe ndërmarrjet publike. Ka të tilla që subvencionohen kohë pas kohe edhe nga buxheti i shtetit e në anën tjetër marrin paga shumë më të larta se ata që paguhen nga ky buxhet”, ka thënë ai.

Por në anën tjetër Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave (MF), konfirmon për gazetën “Zëri” se nga një janari i vitit që vjen pagat e punëtorëve që marrin paga nga buxheti i shtetit do të rriten për 4 për qind.

Sipas tyre, nga kjo rritje do ta përfitojnë rrogën 81 mijë punëtorë. “Rritja do të jetë në bazë të rritjes ekonomike të vendit e që pritet të jetë 4%. Sa u përket pensioneve, ato veç kanë pasur një rritje viteve të kaluara, por nuk do të thotë se nuk do të trajtohen në të ardhmen, ndërsa asistenca sociale do të ketë rritje prej 20%, që do të thotë se do të përfitojnë afër 26 mijë familje nga kjo rritje”, ka thënë Shahini për gazetën “Zëri”.