Ambasadori amerikan kërkon të zbardhet korrupsioni në Kosovë

Ekonomia November 13, 2017 - 12:02

Me rastin e  hapjes së “Javës së Ndërmarrësisë”, ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie tha se kanë nevojë për mbështetje të sundimit të ligjit, derisa bëri thirrje për zbardhje të korrupsionit, dhe largim prej favoreve të pamerituara.

“Ne kemi nevojë për një biznes të mbështetur nga sundimi i ligjit. Korrupsioni është ende problem dhe inkurajojmë qytetarët për zbardhjen e korrupsionit. Shumë fusha që po e zbehin biznesin afarist të Kosovës ende duhet të luftohen. Zbardheni korrupsionin, ikni favoreve të pamerituara. Ne duhet të rrisim vendet e reja të punës për komunitetet dhe gratë”, u shpreh ambasadori Delawie.

Ndër të tjera Delawie komentoi punën e Qeverisë për hapjen e bizneseve.

“Me rëndësi është përmirësimi i jetës së njerëzve dhe kjo ka të bëj me qeveri të përgjegjshme. Vitet e kaluara, Qeveria e Kosovës ka marrë hapa për të nxitur të rinjtë për mbijetesë dhe hapjen e bizneseve të reja siç është fondi për garantimin e kredive dhe reforma e mjedisit të biznesit, që inkurajon bizneset e reja”, tha ndër të tjera ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Në anën tjetër mbështetjen e tij e shprehu kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u pajtua me deklaratat e ambasadorit amerikan, sa i përket fuqizimit ligjor në fushën e biznesit.

“Ne duhet të ecim me rend dhe ligj,  të konsolidojmë shtetin ligjor. Bota ka bërë shumë përparim me sipërmarrësit dhe nuk është çudi se sot jemi bashkuar dhe  që Kosova po e ndjen nevojën me nxënë hapin. Falënderojmë Qendrën Inovative në Kosovë, që e  ka bashkuar Kosovën në këto trende globale në ndërmarrësi. I gëzohem faktit që kemi në ombrellën e Qeverisë këtë tryezë, sepse duam të jemi me ju në këto ditë ku i nevojitet ecjes tuaj dhe jemi partnerë”, u shpreh kryeministri, shkruan Ekonomia Online.

Drejtori i Qendrës Inovative në Kosovë, Uranik Begu tha se përmes këtyre aktiviteteve është krijuar një aleancë për fuqizimin e ndërmarrësisë në vend.

“Java Globale e Ndërmarrësisë sot ka një numër rekord partnerësh rreth 40 që përgjatë javës do të bëjnë aktivitete që të inspirojnë të rinjtë dhe të rejat për ndërmarrësinë. Sot ky network operon në 170 shtete për të ndihmuar ndërmarrësit kudo që nisin një biznes të ri. Ne në Kosovë kemi arritur të kemi një aleancë më të fortë dhe në rritje për të fuqizuar ndërmarrësinë në vend. Sot jemi bashkuar për t’i dhënë mbështetje të fortë institucionale ndërmarrësisë në vend. Ky entuziazëm duhet të konkretizohet me ndërmarrje të reja inovative të cilat do të jenë bartëse të zhvillimit ekonomik”, u shpreh Begu.

Ndërsa, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se roli i qeverisë në këtë aspekt është tejet i madh.

“Për ne në Odën Amerikane të Kosovës, aktivitetet që ndodhin gjatë kësaj jave janë shumë me rëndësi. Të krijojmë vende të reja të punës, të përmirësojmë bilancin tregtar në vend. Uroj që jehona e këtyre aktiviteteve të vazhdoj edhe në javët në vijim. Roli i qeverisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe shteti duhet të garantoj dhe siguroj liritë e lëvizjes së të rinjve në mënyrë që të gjenerojnë ide”, tha Zeka.