15 milionë € për vetura me qira

Ekonomia November 13, 2017 - 07:51

Institucionet e Kosovës do t’i japin 15 milionë euro për shfrytëzim të 545 automjeteve me qira për 66 muaj. Për katër lote të këtij tenderi është nënshkruar kontrata mes Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe operatorëve ekonomikë fitues. Për dy lote të tjera janë hapur ofertat, por ende nuk është përzgjedhur fituesi derisa për tri lotet e fundit nuk ka pasur asnjë ofertë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Institucionet e Kosovës do t’i shpenzojnë hiç më pak se 15 milionë euro për 545 vetura, të cilat ata do t’i marrin me qira për 66 muajt e ardhshëm.

Në bazë të dokumenteve, të cilat ka arritur t’i sigurojë gazeta Zëri, shihet se përmes një tenderi publik të zhvilluar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) kompania “Automita” ka fituar 4 lote të kategorisë së parë dhe të dytë të tenderit “Shfrytëzimi afatgjatë i automjeteve me qira” dhe vlera e të gjitha loteve është mbi 7.2 milionë euro, derisa kontrata mes autoritetit kontraktues dhe kompanisë fituese është nënshkruar më 16 dhe 24 tetor të këtij viti.

Po ashtu, para pak ditësh Agjencia Qendrore e Prokurimit ka hapur ofertat edhe për kategorinë e tretë të automjeteve në të cilën përfshihen dy lote për marrje me qira për 66 muaj të 78 automjeteve.

Për këtë tender, ku deri më tash nuk është zgjedhur fituesi, kanë aplikuar vetëm dy kompani, ndërsa në bazë të dokumenteve të siguruara shihet se për lotin 1 “Mercom Company” me vetura të markës “Peguot” ka aplikuar me 1 milion e 281 mijë euro gjersa për lotin 2 kjo kompani ka ofertuar po ashtu me 1 milion e 281 mijë euro.

Derisa kompania tjetër “Leasing-Si” me automjete “Opel” për lotin 1 ka ofertuar me 1 milion e 207 mijë euro e ku shumë të njëjtë po ashtu ka ofruar edhe për lotin 2 të këtij grupi.

Asnjë ofertë për “Xhipa”

Po ashtu ofertat janë hapur të mërkurën edhe për 3 lotet që gjenden në kategorinë e katër të tenderit “Shfrytëzimi afatgjatë i automjeteve me qira” e që të gjithë janë “Xhipa 4x4”, por për këtë pjesë të tenderit nuk ka qenë asnjë ofertë.

Në bazë të dokumenteve të siguruara nga gazeta “Zëri” shihet se për këto 3 lote të kategorisë së katër janë paraparë të shpenzohen hiç më pak se 3.7 milionë euro,  respektivisht 1 milion e 650 mijë euro për lotin 1, 943 mijë euro për lotin 2 dhe 1 milion e 143 mijë euro për lotin 3.

Gjithnjë në bazë të të dhënave të siguruara shihet se në këtë kategori të tenderit parashihet marrja me qira e 109 xhipave e ku Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka 5, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale 2, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale 3, Administrata Tatimore e Kosovës 10, Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës 5, Ministria e Punëve të Brendshme 8,  Agjencia Pyjore e Kosovës 5,  Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës 10,  Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor 6,  Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik 1, Ministria e Drejtësisë 1,  Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale 3, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal 1, Agjencia Kosovare e Inteligjencës 5, Policia e Kosovës 33, Komuna e Prishtinës 10, si dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës 1.

Në anën tjetër Arif Elshani, nga kompania “Mercom Company”, thotë se ka aplikuar në dy lotet e grupit të tretë të këtij tenderi, por ai tregon se deri më tash nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga autoriteti kontraktues nëse është shpallur apo jo fitues i këtij tenderi.

“Ne kemi aplikuar dhe tash po presim përgjigje nga autoriteti kontraktues”, ka thënë Elshani.

Po ashtu edhe zyrtarë të kompanisë “Leasing-Si” kanë konfirmuar se kanë aplikuar në këto lote të tenderit, por edhe këta thonë se deri më tash nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga AQP-ja.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje po ashtu i ka dërguar pyetje edhe Agjencisë Qendrore të Prokurimit, por as pas tri ditësh pritjeje nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ta.

Por jozyrtarisht zyrtarë të këtij institucioni kanë treguar se për dy lotet, ku kanë aplikuar dy kompani, së shpejti do të shpallet fituesi dhe sa i përket kategorisë së fundit për marrje me qira të xhipave ata kanë bërë të ditur se shumë kompani i kanë tërhequr ofertat, por kanë hezituar të aplikojnë për shkak të çmimi të lartë të xhipave që kanë kërkuar autoritetet kontraktuese.

Çmimi i blerjes më i lartë sesa çmimi qirasë

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, thotë se është e pakuptimtë që institucionet të marrin automjete me qira kundrejt një çmimi më të lartë sesa është vlera e tij në treg.

“Nuk ka logjikë kjo që ndodh. Nëse vërtet u duhen automjete, atëherë është më mirë që institucionet t’i blejnë vetë ato automjete pasi janë më të lira sesa qiraja e tyre”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, përmes tenderëve të mëdhenj po përfitojnë individë të caktuar e derisa në anën tjetër po dëmtohet rëndë buxheti i shtetit.

Institucionet të cilat kanë kërkuar “Xhipa 4x4”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit                                 5

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale                       2

Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale      3

Administrata Tatimore e Kosovës                                          10

Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës                          5

Ministria e Punëve të Brendshme                                           8

Agjencia Pyjore e Kosovës                                                     5

Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës                           10

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor                     6

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik                              1         

Ministria e Drejtësisë                                                              1

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale                               3

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal                          1

Agjencia Kosovare e Inteligjencës                                          5

Policia e Kosovës                                                                    33

Komuna e Prishtinës                                                               10

Biblioteka Kombëtare e Kosovës                                           1

Total                                                                                       109                             


“Dacia SANDERO Ambiance”

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës                20

Ministria e Punëve të Brendshme                   1

Shërbimi Korrektues i Kosovës                      20

Dogana e Kosovës                                          5

Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës   52       

Komuna e Prishtinës                                       30

Ministria e Infrastrukturës                              26

Total:                                                              154


“Renault Megan”

Ministria e Kulturës                                        10

Administrata Tatimore e Kosovës                  40

Ministria e Administratës Publike                   6

Zyra e Presidentit                                            5

Ministria e Infrastrukturës                              10

Ministria e Drejtësisë                                      10

Shërbimi Korrektues i Kosovës                      10

Dogana e Kosovës                                          15

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale       2

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit              4

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës             4

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal  4

Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës   38

Komuna e Drenasit                                         2

Komuna e Fushë Kosovës                              3

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare         1

Komuna e Lipjanit                                          8

Komuna e Prishtinës                                       30

Novobërda                                                      1

Agjencia Qendrore e Prokurimit                     1

Total:                                                              204