Qumështarët kërkojnë nga kryeministri lehtësira për sektorin e prodhimit

Ekonomia November 12, 2017 - 16:15

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme ka takuar përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës.

Përfaqësuesit e organizatës ndër të tjera kanë kërkuar që të krijohen lehtësira në sektorin e prodhuesve të qumështit. Haradinaj është zotuar se do të punojë për përmbushjen e kërkesave të tyre.

Me këtë rast, ata e njoftuan kryeministrin Haradinaj për gjendjen në këtë sektor, për të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen fermerët, sidomos ata që merren me prodhimin e qumështit.

“Kryeministri Haradinaj tha se është angazhuar që t’i mbrojë interesat e të gjithë prodhuesve dhe përpunuesve vendorë, sepse të gjithë janë të këtij vendi dhe bashkërisht duhet angazhuar që Kosova të vendoset në binarë”, thuhet tutje në njoftimin e Kryeministrisë.

Kryeministri Haradinaj është zotuar se nga nesër do të fillojë punën për krijimin e lehtësirave për prodhuesit e qumështit.

Shoqata e qumështit udhëhiqet nga Besim Kuqi dhe numëron rreth 2500 fermerë.