Veriu, i privilegjuar

Ekonomia November 09, 2017 - 08:10

Shqiptarët e lagjeve veriore të Mitrovicës dhe të komunave tjera të veriut të Kosovës janë të barabartë me serbët vetëm me mospagesë të rrymës dhe të shpenzimeve të ujit.

Në të gjitha segmentet tjera ata janë të diskriminuar, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Shteti i Kosovës nuk ka arritur që ta shtrijë autoritetin e vet në pjesën veriore edhe sa i përket faturimit për harxhime të energjisë elektrike dhe për ujin e pijes.

Faturat e energjisë elektrike që ata i shpenzojnë në bazë të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike u ndahen të gjithë qytetarëve të Kosovës nëpër faturat mujore të energjisë elektrike, derisa faturat e ujit që ata i shpenzojnë është duke i paguar Qeveria e Kosovës.

LEXO EDHE: Mësimi tërëditor i kushton Kosovës 66 milionë euro

Avokati i Popullit, Ilmi Jashari, ka kërkuar që paratë e paguara për rrymën e serbëve t’u kthehen qytetarëve shqiptarë të jugut të vendit pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës për shfuqizimin e vendimit, që ka detyruar qytetarët e jugut ta paguajnë haraçin për qytetarët e veriut, shkruan tutje "Zëri".

Në këtë mënyrë përfundimisht është pezulluar vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, i cili i detyronte qytetarët që nëpërmjet faturave të energjisë të paguajnë për rrymën që nuk e shpenzojnë vetë, por që shpenzohet në veri të vendit. Këtë vendim e ka marrë edhe Gjykata e Apelit, pas asaj të Themelores, pas ankesës së bërë nga avokati i Popullit, Ilmi Jashari.

“Shkalla e parë ka vendosur pro kërkesës sonë dhe ndërkohë i është dhënë mundësi palës tjetër që të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit. Para disa ditësh përfundimisht edhe Gjykata e Apelit e ka miratuar kërkesën tonë prapë dhe me fjalë tjera është pezulluar ekzekutimi i këtij vendimi”, ka thënë Jashari. 

Por, rreth 12 milionë euro harxhime për rrymë qytetarëve të veriut të Mitrovicës dhe të Zveçanit ua ka faturuar kompania “Elektrokosmet”, e cila funksionon në kuadër të Elektro - Privreda Serbije – EPS. Elektrodistribucioni “Elektrokosova” në veri të Mitrovicës është përpjekur t’i mbledhë borxhet, të cilat, siç kishte thënë drejtori i saj Sllobodan Vukadinoviq, arrijnë shumën prej 12 milionë eurosh.

Sipas Vukadinoviqit, rryma është faturuar prej viti 2009 dhe se furnizimi është bërë nga Elektro - Privreda Serbia (EPS). 

“EPS-ja veriut të Kosovës nga viti 2009 i ka dërguar energji elektrike në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh, ndërsa niveli i kryerjes së obligimeve nuk është i lartë. Do të thotë, veriu i Mitrovicës është i ngarkuar me rreth 12 milionë euro për energjinë që është dërguar nga EPS-ja, nga të cilat rreth 60 deri në 70 për qind të obligimeve të pashlyera i kanë subjektet afariste”, ka thënë Vukadinoviq.

Por, me të gjitha masat qytetarët e veriut, as serbët e as shqiptarët, nuk ia kanë paguar asnjë cent për rrymën e harxhuar kompanisë serbe “Elektrokosmet”, selia e së cilës është në veri të Mitrovicës. 

Ashtu siç nuk kanë paguar kurrë për shpenzimet e energjisë elektrike qytetarët e veriut të Kosovës e institucionet publike, ndërmarrjet dhe bizneset nuk kanë paguar asnjëherë as për ujin e shpenzuar.

Veriut të Kosovës për çdo muaj i dërgohen rreth 377 mijë metra kub ujë nga fabrika për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës.

Për 377 mijë metra kub ujë veriut të Kosovës i faturohen 69.225 euro, ose rreth 800 mijë euro në vit.

Faturimi nuk bëhet me qëllimin që të mblidhen mjetet për ujin e shpenzuar në atë pjesë, pasi që inkasimi në anën përtej Ibrit është i pamundshëm, por ai bëhet vetëm sa për të ditur se sa metra kub ujë i dërgohen pjesës veriore.

Qeveria e Kosovës herë pas herë ka subvencionuar ujësjellësin rajonal “Mitrovica” për ujin e harxhuar në pjesën veriore të Kosovës dhe nga 12 - 16 milionë euro sa është borxhi total i veriut, deri më tani ka mbuluar vetëm rreth 300 mijë euro.

Veriut i faturohet uji me çmimin prej 18 centësh, gati trefish më ulët se që është çmimi aktual për një metër kub ujë (45 centë).