AKP-ja nuk e përfill kërkesën e Limajt për ndaljen e privatizimit të tokave

Ekonomia November 07, 2017 - 08:19

Një ditë pasi zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, tha se Qeveria e Kosovës do të vendosë për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) përmes valës së 38-të të likuidimit nxori në shitje hiç më pak se 123 ndërmarrje, ku pjesa dërmuese janë prona bujqësore në të gjithë territorin  e Kosovës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Limaj kishte thënë se ndalja e privatizimit të tokave ka për qëllim krijimin e kushteve për investimet e huaja. Madje me këtë veprim fillon zbatimi i Ligjit për Investime Strategjike, ku saktësohet se shteti ua ofron tokën kompanive që investojnë në Kosovë.

“Ideja është që fillimisht të bëhet një incizim i infrastrukturës ligjore në vendin tonë. Është bërë zhurmë e madhe dhe është pritur mirë Ligji për Investime Strategjike. Boshti i këtij ligji për t’i thithur investimet e huaja është që investitorëve të huaj me investime të fuqishme shteti u ofron lehtësira. Në mesin e lehtësirave është edhe posedimi i tokës për ta ngritur biznesin e tyre”, kishte thënë zëvendëskryeministri Limaj për “Express”. 

Sipas tij, vazhdimi i privatizimit të tokave bujqësore nga AKP-ja bie ndesh me vizionin e Qeverisë për zhvillimin ekonomik për thithjen e investimeve. “Dhe, në anën tjetër, Agjencia e Shtetit, AKP-ja, vazhdon privatizimin e tokave dhe ky veprim i kësaj Agjencie krijon kaos dhe kundërthënie me vizionin tonë.

Në njërën anë kemi Ligjin për Investime Strategjike, që ofrohen lehtësira për bizneset, të cilat investojnë e në anën tjetër shitet toka. E ku të investohet në Kosovë?”, ka shtuar ai...(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Zëri, ose në versionin online me parapagim online.zeri.info...)