Infrastruktura prapë ‘gëlltitë’ buxhetet komunale

Ekonomia November 05, 2017 - 21:51

Investimet kapitale prej 2 milionë eurosh në kryeqytet vitin e ardhshëm do të shkojnë në ndërtim dhe asfaltim të rrugëve.

Sipas buxhetit të miratuar të komunës, Prishtina ka ndarë 1.5 milion për tregun e ri, ndërsa 1 milion euro për ndërtim të katër parqeve rekreativo-sportive dhe 1 milion të tjera për sipërfaqet e gjelbëruara.

Në të gjitha investimet që pritet të bëhen në Prishtinë, kapin shifrën prej 24 milionë eurove.

Mitrovicë ka vendosur t`i shpenzojë 2.4 milionë në ndërtim dhe asfaltim të rrugëve, ndërsa 65 mijë euro për hartimi i projekteve, planeve hapësinore, Planit Zhvillimor Komunal dhe hartave zonale.

Në pjesën e shëndetësisë janë ndarë 9 mijë e 500 euro për mirëmbajtje të objekteve shëndetësore dhe 30 mijë euro për auto-analizator hematologjik-biokimik.

Peja do të investojë në rrugë 1.3 milionë euro, ndërsa në trotuare 80 mijë euro. Në participim me Bankën Gjermane për Zhvillim janë ndarë 1.3 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza. Në pjesën e zhvillimit ekonomik, janë planifikuar 50 mijë euro për ndërtimin e shtegu i çiklistëve Pejë-Radac.

Shërbimet publike dhe infrastruktura rrugore, do t`i kushtojnë komunës së Gjakovë 3.7 milionë euro. Për ndërtim të rrugëve me kubëza janë planifikuar 180 mijë euro, ndërsa për parkun e qytetit 150 mijë euro. Në Rogovë do të ndërtohet një qendër grumbulluese e perimeve.

Ndërtimi i infrastrukturës Prizrenit do t`i kushtojë 8.5 milionë euro, ndërsa 1.3 milionë euro investime në bujqësi. Me 300 mijë euro do të bëhet mbjellja e drunjve dekorativ, ndërsa me 350 mijë të tjera pritet rehabilitimi dhe mirëmbajtja e sistemit të kanalizimit dhe ujësjellësit.

Me anë të participimit do të mbështetën 10 mini-ferma me bagëti të imta, ndërtimin e 50 serave, ngritja e 3 hektarëve me pemë arrore dhe 4 hektarëve të tjerë me pemë të imta: mjedra, dredhëza, boronicë, aroni.

Ferizaj do të investoj 1 milion euro në infrastrukturë rrugore, ndërsa 5.6 milionë në infrastrukturën publike. 250 mijë euro janë ndarë për përkrahja e fermerëve me destinim zhvillimin e bujqësisë.

Ndërtimi i shtigjeve për biçikleta nga parku Liria në drejtim të fshatit Nerodime është planifikuar me 138 mijë euro, ndërsa aktivizimi i pishinës për të rritur dhe për fëmijë me 194 mijë euro.

Gjilan do të kujdeset që rreth 1.5 milionë euro të investoj në infrastrukturën publike. Problemet e ujërave të zeza, që derdhën në lumenjtë Stanishorka dhe Mirusha, synohet të zgjidhen me një investim prej 300 mijë eurove.

Ndërsa, masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike në nivel komunal do të kushtojnë 287 mijë euro. Planifikimi urban dhe Inspeksioni planifikojnë t’i shpenzojnë 600 mijë euro./rtk/