KRPP-ja dhe AQP-ja paralajmërojnë masa për shkelësit e ligjit

Ekonomia November 04, 2017 - 08:19

Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dhe Ekrem Hoxha, ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (OSHP), përmes një shkrese i kanë paralajmëruar me marrje të licencës të gjithë zyrtarët e Prokurimit që shkelin Ligjin e Prokurimit Publik, shkruan sot, gazeta Zeri.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) dhe Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) përmes një shkrese kanë paralajmëruar masa për zyrtarët e Prokurimit të cilët shkelin Ligjin e Prokurimit Publik.

Në shkresën e siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se për autoritetet kontraktuese që nuk bashkëpunojnë me AQP-në do të merren masa për marrjen e certifikatës së Prokurimit.

“Autoritetet kontraktuese që nuk u përmbahen kërkesave të AQP-së për Prokurimet Qendrore do të përjashtohen nga këto aktivitete dhe si rrjedhojë KRPP-ja nuk do t’i publikojë aktivitetet e tyre dhe do të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore”, thuhet në njoftimin që u është dërguar, shkruan Zeri.

Aty më tutje thuhet se KRPP-ja do të informohet nga AQP-ja për çdo autoritet kontraktues e në rast se autoritetet kontraktuese refuzojnë ta ofrojnë bashkëpunim, siç ceket në LPP, në Udhëzimin Administrativ nr. 03/2017 për plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ numër 05/2016 për zbatimin e procedurave qendrore të prokurimit, i cili është miratuar në mbledhjen 133 të Qeverisë së Kosovës me vendim numër 02/133, të datës 24.02.2017.

“Çdo kontratë e lidhur në kundërshtim me Udhëzimet për Prokurime Qendrore dhe pa miratim të AQP-së do të shpallet e pavlefshme gjatë periudhës së ardhshme, siç parashihet me Ligjin e Prokurimit Publik”, thuhet në njoftimin e siguruar nga gazeta “Zëri”.