Komuna nuk ka obligime ndaj edukatoreve të 'Smart'-it

Ekonomia October 30, 2017 - 08:28

Zëdhënësi i Komunës së Vushtrrisë, Shemsedin Preteni, ka thënë se me kontratë Komuna e Vushtrrisë është obliguar t’i përzgjedhë dhe t’i propozojë 25 edukatore për punë në institucionet parashkollore, ndërsa pagat do t’ua paguante “Smart”-i. Pas dështimit Komuna e Vushtrrisë ka shkëputur kontratën, ndërsa “Smart”-i është duke u hetuar për mashtrim, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Një kontratë në mes të Komunës së Vushtrrisë dhe organizatës “Smart” nga Vushtrria për punësimin e 25 edukatoreve për punë në institucionet parashkollore, që nuk janë të përfshirë në buxhetin e Kosovës, ka dështuar pasi që OJQ “Smart” nuk ka kryer pagesën për muajin shtator, ashtu siç ishte paraparë me kontratën e nënshkruar në mes të Komunës së Vushtrrisë dhe OJQ-së “Smart”.

LEXO EDHE: Kuvendi në 'gjumë', 4 seanca për 54 ditë

Përveçse është shkëputur kontrata me insistimin e kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, organizata “Smart” tani është duke u hetuar për mashtrim pasi që edukatorët kanë denoncuar në Polici Avni Melenicën, drejtor ekzekutiv i “Smart”-it, shkruan tutje "Zëri"

LEXO EDHE: Institucionet japin 7.2 milionë € për vetura me qira

Ky i fundit me kontratë është obliguar t’i punësojë 25 edukatore për 6 muaj, ndërsa Komuna e Vushtrrisë, sipas Shemsedin Pretenit, zëdhënës i Komunës, ishte obliguar që ta përzgjedhë kuadrin që kërkohej dhe t’i propozojë për punësim.

Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në mes të Komunës së Vushtrrisë dhe organizatës “Smart” nga Vushtrria, për 5 vjet kjo e fundit ka punësuar 25 edukatore me pagë prej 350 eurosh në muaj.

Për një vit “Smart” ishte obliguar që për 25 edukatore t’i paguajë 84.000 euro, ndërsa për 5 vjet 420.000 euro. Por meqë “Smart” nuk ka arritur ta kryejë obligimin për paga as për shtator, marrëveshja është prishur me insistimin e kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku.

Marrëveshja në mes të përfaqësuesve të kësaj organizate, Avni Melenica drejtor ekzekutiv, Armela Toplica sekretare dhe kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, ishte nënshkruar më 21 korrik të këtij viti. Sipas marrëveshjes, OJQ “Smart” kishte marrë për obligim financimin e kuadrit arsimor të nivelit parafillor, i cili nuk është i financuar nga buxheti i Kosovës.

E për ta zbatuar projektin në terren “Smart” kishte lidhur kontrata pune në kohëzgjatje prej 6 muajsh për secilin vend pune në nivelin parashkollor dhe këta punëtorë kanë filluar me punë nga fillimi i muajit shtator 2017.

Këtij memorandumi bashkëpunimi i ishte paraprirë një kërkesë nga drejtuesit e OJQ-së “Smart”, që mban datën 17.07.2017, ku në mes të tjerash thuhet se në rast se Komuna e Vushtrrisë e refuzon këtë ofertë, i tërë projekti bartet në Komunën e Mitrovicës dhe të Skenderajt.

Drejtori i “Smart”-it, Avni Melenica, ishte zotuar se do t’i punësojë nga 25 edukatore në vit dhe se ato do ta kenë pagën prej 350 eurosh. Për një vit ai do të paguante në emër të pagave për 25 edukatore 84.000 euro, ndërsa për 5 vjet, sa ka qenë marrëveshja, “Smart” do t’i paguante 420.000 euro.

“Dhe, duke besuar se ky memorandum bashkëpunimi pos tjerash krijon edhe vende të reja pune dhe ndikon pozitivisht në zbutjen e papunësisë Komuna e Vushtrrisë u bë pjesë e këtij bashkëpunimi. Mirëpo për shkak të rrethanave të krijuara në ndërkohë në organizatën joqeveritare ‘Smart’, të cilat na bënë ta kuptojmë se do ta cenojnë integritetin institucional dhe normat ligjore, kam kërkuar transparencë rreth rrjedhës së projektit. Në mungesë të transparencës dhe mangësive në realizimin e projektit nga ana OJQ-së ‘Smart’, pas analizave të hollësishme, duke konsultuar edhe institucionet financiare, kam marrë vendim për shkëputje të parakohshme të memorandumit me këtë OJQ”, ka sqaruar kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku. 

“OJQ ‘Smart’ ka lidhur kontratat e punës me 25 edukatore në afat 6-mujor, duke filluar me punë nga data 04 shtator 2017. Ai e ka tejkaluar numrin e paraparë nga vetë OJQ-ja në raportin sqarues nr. 450/L/2017, të datës 17.07.2017, të punëtorëve të pranuar.

Ky financim i pagave nga kjo OJQ është dashur që të bëhet në baza mujore, pagë mujore për punëtorët e punësuar. Komuna e Vushtrrisë pas afatit njëmujor të punës së kuadrit arsimor, përkatësisht në ditët e para të muajit tetor 2017, ka marrë njoftimin nga Drejtoria e Arsimit se “Smart” nuk i ka kryer obligimet për paga për muajin shtator 2017.

Më 06 tetor kryetari i Komunës ia ka tërhequr vërejtjen me shkrim kësaj OJQ-je, duke kërkuar sqarime për mospagesë të pagave, si dhe duke ia caktuar afatin kohor për të dhënë informatë se kur do të bëhen pagesat e para.

Por meqë OJQ-ja ka njoftuar se ka vështirësi financiare, kryetari Mulaku ka shkëputur kontratën me të”, ka sqaruar zëdhënësi i Komunës së Vushtrrisë, Shemsedin Preteni, duke siguruar se Komuna e Vushtrrisë nuk ka asnjë detyrim ndaj 25 edukatoreve, të cilat i ka punësuar “Smart” dhe nuk ua ka paguar pagat e shtatorit. 

Në anën tjetër, ndaj OJQ-së “Smart” dhe drejtorit të saj ekzekutiv, Avni Melenica, ka nisur një hetim, pasi që ai dyshohet për mashtrim.

Në fakt edukatorët që janë punësuar nga “Smart” kanë paditur në Polici drejtorin ekzekutiv të “Smart”-it, Avni Melenica, pasi që ky nuk ua ka paguar pagat e shtatorit, duke e akuzuar atë për mashtrim.

Se rasti është hapur në Polici e ka thënë edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahtiri, i cili ka precizuar se janë duke u mbledhur deklaratat e edukatoreve dhe të drejtorit të “Smart”-it, ndërsa e ka konfrimuar edhe vetë Melenica, i cili ka sqaruar se rasti është përcjellë në Departamentin e Krimeve të Rënda, i cili do të vlerësojë se a do të shkojë rasti në Prokurori.