Fondet pensionale arrijnë në 1 miliard e 540 milionë euro

Ekonomia October 27, 2017 - 08:16

Rreth 1.6 miliard euro ka arritur shuma e mjeteve që ka grumbulluar deri më tash Fondi i Sigurimeve Pensionale të Kosovës e ku shumica e këtyre mjeteve edhe më tutje gjenden jashtë shtetit, shkruna sot, gazeta Zeri

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) deri në qershor të 2017s- sektori pensional shënoi rritje të përshpejtuar vjetore të aseteve prej 15,8 për qind.

LEXO EDHE: Shmid Haradinajt: Demarkacioni, kusht për vizat 

Vlera e përgjithshme e aseteve të sektorit pensional arriti në 1.54 miliard euro që paraqet sektorin e dytë më të madh në sistemin financiar me 27,7 për qind të aseteve.

Sipas BQK-së, rritja e aseteve të sektorit pensional kryesisht mund t’i atribuohet rritjes së kontributeve të reja dhe kthimit në investime gjatë kësaj periudhe, shkruan Zeri.

“Vlera e arkëtimeve të reja arriti në 77.2 milionë euro krahasuar me vlerën prej 74.3 milionë eurosh në qershor të 2016-s. Vlera e arkëtimeve të reja të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK-së) arriti në 77.0 milionë euro, ndërsa ajo e Fondit Slloveno-Kosovar të Pensioneve (FSKP-së) arriti në 244.3 mijë euro. Sektori pensional rriti dukshëm kthimin në investime në 56.5 milionë euro, për dallim nga kthimi prej 33.6 milionë eurosh në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. FKPK-ja realizoi kthim pozitiv në investime prej 56.3 milionë eurosh, ndërsa FSKP-ja 227.8 mijë euro”, thuhet në raportin tremujor të vlerësimit të ekonomisë së BQK-së.

Aty më tutje thuhet se përmirësimi i treguesve të zhvillimit ekonomik dhe fitimeve të korporatave në BE, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Japoni ndikuan që indekset kryesore të kontribuojnë në rritje të theksuar të kthimit në investime të FKPK-së. Për më tepër, edhe rënia e rrezikut politik në BE ndikoi në kthimin pozitiv në investime.

“FKPK-ja, që përbën 99,5 për qind të aseteve të sektorit pensional, ndërroi strategjinë investive në krahasim me vitin e kaluar duke rritur investimet jashtë vendit krahas zvogëlimit të investimeve në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës. Investimet e fondit jashtë vendit arritën vlerën prej 1.3 miliard eurosh (1.1 miliard euro në qershor të 2016-s) për dallim nga investimet në letrat me vlerë të Kosovës që shënuan rënie në 68.8 milionë euro (103.3 milionë euro në qershor të 2016-s)”, thuhet më tutje në raportin e BQK-së.