Pas premtimit të Haradinajt, AKP pezullon vendimet për riorganizimin e Pallatit të Rinisë

Ekonomia October 25, 2017 - 17:29

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në mbledhjen e sotme miratoi valën e shitjes ‘Vala alternative e shitjeve – SHAL 38A’ ku do të shpallen për shitje 10 asete që konsiderohen më atraktive.

Gjatë kësaj mbledhje Bordi i Drejtorëve diskutoi për valën e fundit të shitjeve të aseteve të ndërmarrjeve në likuidim me nr.36 që u realizua gjatë këtij muaji dhe me këtë rast aprovoi transaksionet e aseteve që ishin për shitje në tenderin publik, thuhet në njoftimin e AKP-së.

Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve kërkoi që të rishikohen aspektet teknike të shtojcave të Rregullave të Tenderit me qëllim të ofrimit të lehtësirave për ofertuesit gjatë procesit të ofertimit, ndërsa ndryshimet e mundshme do të sillen për amandamentim në mbledhjen e ardhshme të bordit.

Bordi diskutoi dhe e miratoi raportet e shpërndarjes së përkohshme për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore MIT015 Extra, PRZ038 Dardania dhe PRZ047 Prizren Trans.

Në këtë mbledhje të Bordit u diskutua edhe lidhur me NSH “Univerzal” Leposaviq, me ç’rast bordi kërkoi që të iniciohet procedura dhe të merren hapat e nevojshëm për futjen në administrim të këtij aseti deri në shpallje publike për qiradhënie apo shitje të asetit në fjalë.

Pas premtimit të kryeministrit se Pallati i Rinisë në periudhën pas 2 apo 3 muajve do të bëhet ndërmarrje publike dhe do të largohet nga kompetencat e Agjencisë, Bordi pezullon të gjitha vendimet dhe udhëzimet e mëhershme lidhur me riorganizimin e ndërmarrjes shoqërore Pallati i Rinisë, deri në një vendim tjetër dhe janë udhëzuar zyrtarët përkatës që deri në një vendim apo udhëzim tjetër, të vazhdojnë dhënien me qira të lokaleve të lira sipas dispozitave ligjore dhe autorizimeve të veta.