U.D i Guvernatorit Fehmi Mehmeti priti në takim Natalya Apostolovan

Ekonomia October 19, 2017 - 16:37

U.D i Guvernatorit z.Mehmeti falënderoi fillimisht znj. Apostolova për mbështetjen e vazhdueshme që në vazhdimësi Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka treguar për institucionet tona në të gjitha sferat. Jemi të vetëdijshëm që zhvillimi i sektorit financiar mbetet njëri nga parakushtet kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit theksoi z.Mehmeti.

Roli i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës zë vend shumë të rëndësishëm, marrë parasysh mandatin kushtetues për rregullimin, mbikëqyrjen por edhe zhvillimin e një tregu financiar të qëndrueshëm dhe stabil. BQK vazhdimisht ka ndërmarrë masa në drejtim të rregullimit dhe fuqizimit të sektorit financiar, me qëllim të shtytjes së zhvillimit ekonomik të vendit tha ndër të tjera U.D i Guvernatorit z.Mehmeti.

Z.Mehmeti po ashtu theksoi se BQK krahas ruajtjes së stabilitetit makrofiskal dhe rregullimit të sektorit financiar, vazhdimisht do të përkushtohet të bëjë progres edhe në drejtim të përmbushjes së kritereve për integrime evropiane, me fokus të veçantë në obligimet që dalin në kuadër të marrëveshjes për stabilizim asocciim. Në këtë drejtim, ju jemi mirënjohës juve dhe taksapaguesve të Bashkimit Evropian për asistencën dhe mbështetjen që keni dhënë, nëpërmjet financimit të projekteve të ndryshme dhe ofrimit të ekspertëve, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve vendore me fokus në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimit të demokracisë.

Në takim u diskutua edhe për proceset eurointegruese të BQK-së dhe sektorit financiar në përgjithësi, ku rol të rëndësishëm në këtë drejtim u cek se ka nënshkrimi i Memorandumi i Mirëkuptimit me Autoritetin Bankar Evropian (EBA), qëllimi i të cilit është të krijojë një kornizë për bashkëpunimi dhe shkëmbim të informacionit midis EBA dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Përmirësimi i infrastrukturës ligjore dhe fuqizimi i sundimit të ligjit në vend, ishte po ashtu njëra nga pika e diskutimit të këtij takimi, duke u cilësuar si njëra ndër parakushtet themelore për zhvillimin dhe integrimin e një tregu të shëndoshë financiar, të bazuar në një ekonomi të tregut të lirë dhe konkurrencës lojale, ku në këtë drejtim Bashkimi Evropian ka qenë mjaft kontribuues. Theks të veçantë iu dha asistencës dhe mbështetjes së miratimit të ligjeve mjaft të rëndësishme siç është ligji për sigurimet, ligji kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit etj. Po ashtu u vlerësua roli i BQK-së në segmentin e sundimit të ligjit dhe luftimit të ekonomisë joformale . Në fund znj.Apostolova u shpreh e kënaqur rreth zhvillimeve pozitive të arritura në sektorin financiar sidomos gjatë viteve të fundit në Kosovë.

Gjithashtu, ajo ka nënvizuar se Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, do të vazhdojë bashkëpunimin dhe do të mbështesë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, nëpërmes mekanizmave financiar në fusha të ndryshme të cilat ndihmojnë në avancimin e funksioneve të saj.